Flet edhe një herë Jusuf Buxhovi, ka një mesazh për ata që e kritikuan pas deklaratës për UÇK-në

Politika

Flet edhe një herë Jusuf Buxhovi, ka një mesazh për ata që e kritikuan pas deklaratës për UÇK-në

Nga: A.ZH Më: 12 korrik 2019 Në ora: 21:08
Jusuf Buxhovi

Ka mjaftuar një deklaratë e historianit të njohur Jusuf Buxhovi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që të ngjallen reagime të shumta.

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”, ishte kjo deklarata e Buxhovit, e thënë mbrëmë në “Rubikon”, që shkaktoi reagime të shumta në opinion.

Me kritika ndaj Buxhovit, është shprehur fillimisht zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik dhe anëtari i PDK-së, Gani Koci, i cili ka thënë se lufta e UÇK-së është dashur të spastrojë “mbeturina të sojit të buxhovëve”.

Edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj Buxhovit, duke thënë se lufta e Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër si loti dhe se ajo luftë e fitoi mbështetjen ndërkombëtare.

“Është më shumë se e turpshme kur akuzat e ndonjë “intelektuali” shqipfolës sot puqen në plotëni me gënjeshtrat serbe. Populli ynë thotë: “Turpi nuk hahet me bukë””, ka deklaruar mes tjerash ai.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar më shumë shpjegime nga një ndër themeluesit e LDK-së, rreth deklaratës së tij.

“Nuk e njoh shumë Buxhovin, por e njoh si njërin nga themeluesit e LDK-së. Konteksti ose vrasja nëse ka ndodhë duhet me shpjegua se çka nënkupton. Ka krime të pasluftës, ai është mirë me i shpjegua se si ka ndodhë. Por, edhe nëse flet për luftë është mirë me shpjegus se si kanë ndodhë”, ka deklaruar Haradinaj.

E për të gjitha këto reagime, ka komentuar vet historian Jusuf Buxhovi në një prononcim për gazetën “Bota sot”. Ai ka deklaruar se mbetet në qëndrimet e tij publike, të bëra mbrëmë në KTV.

Ndërsa, për kritikuesit, ai ka thënë se nuk do të merret me të tillët dhe thashethemet e tyre që i duhen kuzhinës orvelliane.

“Unë nuk do të merrem me të tillët dhe thashethemet e tyre që i duhen kuzhinës orvelliane. Kam folur publikisht dhe mbetëm te ato qëndrime”, ka thënë Buxhovi.

Ai ka kërkuar edhe nga mediat, që kenë kujdes me bartjen e informatave dhe të mos bien pre e fenomenit të inskenimit të atmosferës linçuese, siç ndodhi sot, sipas tij, edhe nga zëvendësministri Koci, që përmendi likuidimin.

“Bartja e tyre kuturu ndez atmosferën linquese, siç ndodhi sot edhe nga zëvendësministri Koci, që përmendi likuidimin! Gazetat serioze, si e juaja, që e ka qenë viktimë e shpifjeve të tilla deri sa edhe i janë vrarë gazetarët, duhet të kenë parasysh t'i mbrojnë autoritetet nga shpifjet dhe shpifësit e tillë”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat