Tentativa e rrezikshme e Thaçit dhe Ramës për ta dëmtuar territorin e Kosovës përmes unifikimit diplomatik

Politika

Tentativa e rrezikshme e Thaçit dhe Ramës për ta dëmtuar territorin e Kosovës përmes unifikimit diplomatik

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 13 korrik 2019 Në ora: 08:08
Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmarrë hapat fillestarë drejt unifikimit të misioneve diplomatike e konsullore. Të dy qeveritë kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët e cila përcakton ngritjen e “Grupit Ndër-Ministror për Përfaqësim të Përbashkët Ndërkombëtar” dhe “Këshillin e Përbashkët për Planifikim Strategjik”.

Menjëherë pas këtij vendimi, kanë reaguar përfaqësues të Serbisë, të cilët kanë nisur edhe përhapjen e propagandave të ndryshme, siç është ajo për të ashtuquajturën “Shqipëri e madhe”.

Bytyçi: As Tirana, as Prishtina nuk kanë dhënë ndonjë reagim të qartë për akuzat serbe

Profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi ka thënë për “Bota sot” se para pak ditësh ministri i Kosovës Pacolli dhe i jashtëligjshmi ministër shqiptar, Cakaj, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi sa i përket fushës së diplomacisë.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Sipas tij, në atë marrëveshje Shqipëria merr përsipër përfaqësimin e Kosovës në ato vende, ku Kosova nuk ka përfaqësi diplomatike, derisa kjo marrëveshje është shitur si unifikim i diplomacisë së dy vendeve në një të vetme.

“Kjo nuk është e saktë, sepse personalisht jam kundër çdo hapi që çon në këtë moment në interpretime se gjoja ‘Kosova dhe Shqipëria po përgatiten të bashkohen’. Në Beograd jo pa qëllim një marrëveshje pak a shumë normale midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e diplomacisë interpretohet si kërcënim, ose si përpjekje për bashkimin e dy vendeve në një shtet të vetëm. Interesi i tyre ka të bëjë me atë se udhëheqësit serb, duke i interpretuar marrëveshje të tilla arrijnë disa objektiva. Së pari, ndikojnë te vendet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duke dërguar tek ato mesazhin se ‘Ju nuk keni pse e njihni shtetin e Kosovës, pasi ajo po shkon drejt bashkimit me Shqipërinë’. Kësisoj rrit skepticizmin e këtyre vendeve sa i përket shtetësisë së Kosovës dhe realizon qëllimin final të saj për zhbërjen e kësaj shtetësie. Këtë qëllim kishte gjithashtu fillimi dhe vazhdimi i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Dhe së dyti, në Beograd duke kundërshtuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë besojnë se rrisin numrin e shqiptarëve që do të ishin pro kësaj ideje”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai konsideron se, Serbia është angazhuar për bashkimin e Kosovës së ndarë me Shqipërinë, përmes bashkimit të dy vendeve, duke realizuar ëndrrën e ripushtimit të territorit më të pasur të Kosovës.

“Prandaj dhe Serbia reagon e kundërshton sepse beson se shqiptarët ‘për inat të Serbisë’ do të shkojnë drejt bashkimit, dhe kjo realizohet vetëm përmes ndarjes së territorit të Kosovës. Kjo strategji serbe duhet njohur dhe luftuar me forcë. Së treti, nëse keni vënë re, as Tirana, as Prishtina nuk kanë dhënë ndonjë reagim të qartë për akuzat serbe. Kjo, sepse autorëve të kësaj marrëveshjeje iu intereson ‘sulmi’ që udhëheqësit serbë e rusë ndërmarrin kundër tyre. Në këtë mënyrë ata rritin kreditit patriotike te shqiptarët”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, Serbia dhe Rusia nuk duan bashkëpunëtorë me pushtet në Shqipëri e në Kosovë, të cilët të mos kishin besimin e qytetarëve të të dy vendeve.

“Nëse Rama, Thaçi p.sh humbasin autoritetin e tyre te publiku, ata mund të humbasin edhe pushtetin. Dhe asnjëri prej tyre nuk u duhet serbëve e rusëve pa ndikim dhe pa pjesëmarrje në vendimmarrje. Për të gjitha këto arsye Shqipëria dhe Kosova duhet të qëndrojnë larg veprimeve që dëmtojnë shtetësinë e Kosovës. Çdo mënyrë tjetër të vepruari e dëmton Kosovën, madje edhe territorin e saj. Shqipëria dhe Kosova duhet ta mbështesin njëri-tjetrin, pa unifikuar asgjë në këtë moment, thjesht duhet të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dy vendeve. Psh Shqipëria mund ta heqë taksën në Rrugën e Kombit dhe ta lehtësojë barrën financiare të shpenzimeve të atyre qytetarëve të Kosovës që udhëtojnë në Shqipëri dhe në Kosovë. Por në vend të kësaj, të dy palët bëjnë shou për të krijuar imazhin e rremë se këta na qenkan ‘nacionalist’ e kundër Serbisë. Përralla janë këto. Veprimet dhe aktet e turpshme për ndryshimin e kufijve e kanë zbuluar plotësisht fytyrën e vërtetë të autorëve të marrëveshjeve të tilla”, ka thënë profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi.

Murati: Rusia dhe Serbia mendojnë se mund të përfitojnë dhe të krijojnë avantazh për të rikthyer pozitat, që kanë pasur në Kosovë

Image
Shaban Murati

Kurse, diplomati Shaban Murati ka thënë se paradokset në diplomaci janë si paradokset në letërsi, pra nuk njohin kufij.

Sipas tij, kjo për faktin se një tejkalim i tillë kufijsh etikë dhe diplomatikë është deklarata e ministrisë së jashtme të Rusisë në datën 8 korrik kundër bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e politikës së jashtme dhe nismës së dy shteteve për përdorimin e selive të përbashkëta diplomatike.

“Diplomacia ruse lëshon bateri të rënda, duke akuzuar se “shkaktojnë shqetësime serioze hapat provokuese dhe veprimet sfiduese të Tiranës dhe të Prishtinës në zbatim të konceptit të “Shqipërisë së Madhe”, etj. Gjylja diplomatike ruse erdhi pas stuhisë në gotë, që ngriti qeveria dhe diplomacia serbe për këtë temë, ku kryeministrja Ana Bernabiç e cilësoi si “të tmerrshme” marrëveshjen midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e politikës së jashtme, ndërsa ministri i jashtëm serb, I.Daçiç, të cilit i ka mbetur ora në kohën e qeverisë së kriminelit Millosheviç, ku bënte pjesë, deklaroi mufkën e radhës se Kosova nuk ka të drejtë të krijojë bashkëpunim strategjik në politikën e jashtme me Shqipërinë sepse “është pjesë integrale e Serbisë”. Ky mobilizim diplomatik ruso-serb ka arsyet e veta”, ka thënë diplonmati Murati.

Sipas tij,janë dy rrethana të tanishme, ku Rusia dhe Serbia mendojnë se mund të përfitojnë dhe të krijojnë avantazh për të rikthyer pozitat, që kanë pasur në Kosovë para vitit 1999.

“E para është dështimi i nismës diplomatike franko-gjermane për të realizuar marrëveshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, dështim që u sanksionua me mos-mbajtjen e takimit të caktuar të Parisit të 1 korrikut. Rrethana e dytë është situata e krizës politike dhe institucionale në Shqipëri, ku klasa politike shqiptare e ka futur vendin në një trekëndësh, ku të gjithë shtetet jomiqësore po inkurajohen ta godasin ku të mundin. Kësaj jave Shqipëria përuroi publikisht portretin moldav dhe venezuelian të politikës së jashtme me sindromën e dy kuajve, që e tërheqin në drejtime të kundërta, duke dobësuar si rolin rajonal të faktorit shqiptar, ashtu dhe mbështetjen për Kosovën. Këtë shfaqje dobësie shtetërore të Shqipërisë shfrytëzuan Rusia dhe Serbia, duke e vlerësuar si moment oportun diplomatik për të goditur ecjen e Shqipërisë dhe të Kosovës në rrugën e drejtë të bashkëpunimit strategjik në fushën e politikës së jashtme. Duke e ditur se nervi i reagimit të Shqipërisë ka vdekur, strategjia diplomatike ruso-serbe është vetëm të godasin, qoftë dhe jashtë çdo logjike dhe norme të së drejtës dhe të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë diplomati Shaban Murati.

Ai konsideron se paradoksin e qëndrimit ruso-serb kundër bashkëpunimit strategjik të Shqipërisë me Kosovën në fushën e politikës së jashtme e përbën në radhë të parë fakti se Rusia dhe Serbia kanë vetë midis tyre një bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme, të zyrtarizuar edhe me një traktat dypalësh.

“Kjo është sanksionuar me Traktatin e Partneritetit Strategjik midis Rusisë dhe Serbisë, të nënshkruar në vitin 2013, ku ndër pikat kryesore është pikërisht koordinimi strategjik dhe bashkëpunimi strategjik dypalësh në fushën e politikës së jashtme. Nuk dihet përse në MPJ të Rusisë e quajnë normale bashkëpunimin e tyre strategjik me një shtet si Serbia, që ndodhet në një rajon shumë larg Rusisë, dhe e quajnë të palejueshëm bashkëpunimin strategjik midis dy shteteve sovrane Shqipëri-Kosovë, ngjitur me njeri-tjetrin”, ka thënë diplomati Murati.

Ai vlerëson se MPJ e Rusisë e di fare mirë që rezoluta e vdekur 1244 e KS të OKB nuk i takon Serbisë, sepse Serbia nuk përmendet në asnjë rresht të saj dhe nuk ka pasur kurrë një mbledhje të KS të OKB për një rezolutë të re, që të korrigjonte terminologjinë e rezolutës 1244 dhe t’ia faturonte Serbisë.

“Nuk dihet për çfarë arsyesh Moska vazhdon avazin diplomatik se në bazë të rezolutës 1244 Serbisë gjoja i takon sovraniteti mbi Kosovën, gjë që rezoluta nuk e përmban. MPJ e Rusisë mund të rihapë arkivat e saj dhe të rishohë se ministri saj i jashtëm Sergej Lavrov ka qenë pjesë e Grupit të Konkaktit pë Kosovën dhe ka firmosur dhjetë pikate famshme të Deklaratës së Grupit të Kontaktit për Kosovën, sipas të cilave Kosova nuk do të bashkohet me asnjë shtet tjetër dhe me asnjë pjesë të një shteti tjetër, që do të thotë se Rusia ka qenë dakord zyrtarisht me kushtin ndërkombëtar që Kosova nuk do të bashkohet me Serbinë. Rusia nuk respekton vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Drejtësisë për shtetin e pavarur të Kosovës dhe nga ana tjetër njeh të ashtuquajturat shtete të Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut, që i ka shpikur vetë”, ka thënë Murati, duke shtuatr se lidhur me Serbinë paradoksi është akoma më i madh.

Sipas tij, Serbia ka pranuar me marrëveshjen e 19 prillit 2013, të nënshkruar me Kosovën në Bruksel me ndërmjetësimin e BE, se është dakord që Kosova të bëhet anëtare e BE dhe nuk do ta pengojë atë as pranë palëve të treta.

“Beogradi e dinte se në BE pranohen shtete dhe jo provinca, ndaj marrëveshja e 19 prillit ishte hapi i parë serioz për të pranuar shtetësinë e Kosovës. Tani del ministri i jashtëm serb Daçiç, që e ka firmosur vetë atë marrëveshje, dhe thotë që Shqipëria dhe Kosova nuk kanë të drejtë që të bëjnë marrëveshje për bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme.

Elementi më komik i paradoksit diplomatik ruso-serb është anatemimi i tyre për nismën e përdorimit të përbashkët të selive të misioneve diplomatike nga Shqipëria dhe Kosova. Së pari, u duhet kujtuar ministrive të jashtme të Rusisë dhe të Serbisë se kjo është një praktikë e njohur diplomatike ndërkombëtare, të cilën nuk e kanë shpikur shtetet shqiptare. Është model i njohur, të cilin e përdorin me efikasitet shtetet skandinave, të cilat shfrytëzojnë selitë e përbashkëta në disa shtete për misionet e tyre diplomatike jashtë. Së dyti, Serbisë i duhet kujtuar se kjo është edhe një praktikë diplomatike serbe”, ka thënë diplomati Murati.

Voca: Serbia shqetësohet nga një lëvizja e bashkimit diplomatik Kosovë-Shqipëri, sepse Kosova ka qenë dhe mbetet proces i pandalshëm

Image
Mirsad Voca

Kurse, njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, ka thënë se çdo bashkëpunim që krijon kanale të reja diplomatike është me rëndësi madhore sa i përket përafrimit të Republikës së Kosovës, sidomos me shtete dhe organizata që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Përderisa kemi dy shtete, Kosova dhe Shqipëria, dhe secila në vete nga aspekti diplomatik kanë mandate dhe objektiva krahas prioriteteve të secilit shtet, si dhe përderisa Kosova ka prioritet lobimin pranë shteteve dhe organizatave që nuk e kanë njohur atë, bashkëpunimi në këtë drejtim me Shqipërinë do të mund të jepte rezultate nëse bëhet me një qëllim të tillë dhe me mandate të qarta. Andaj nuk mendoj se Serbia shqetësohet doemos nga një lëvizje e tillë e bashkimit diplomatik Kosovë-Shqipëri sepse Shteti i Kosovës ka qenë dhe mbetet proces i pandalshëm mirëpo Serbia siç e njohim të gjithë çdo lëvizje diplomatike të Kosovës e kundërshton rreptësishtë. Për shkak të apetiteve territoriale të saja, Serbia pretendon kaherë zyrtarisht se shqetësohet nga një përafrim Kosovë-Shqipëri duke e shfrytëzuar rastin për të krijuar një opinion të jashtëm kinse se këto dy shtete dëshirojnë të bashkohen. Dhe këtë e bën në mënyrë që opinionit ndërkombëtar t’i paraqitet edhe një lloj « fakti » i tyre se Shqiptarët janë ata që dëshirojnë ndryshim kufijsh. Nga ky këndvështrim duhet një kujdes i veçantë nga ata që e planifikojnë dhe ndërtojnë një bashkëpunim diplomatik në mes Kosovës dhe Shqipërisë duke pasur parasysh interpretimin e shumë anshëm që mund t’i atribuohet”, ka thënë Voca.

Kurse, kur është fjala tek një bashkim midis dy shteteve dhe në këtë rast me Shqipërinë, Voca ka thënë se nëse ekziston vullnet nga ana e sovranit në të dy anët, do të jetë një proces absolutisht i pandalshëm si dhe krejtësisht legjitim dhe legal edhe nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare.

“Se sa është prioritar dhe frytdhënës një bashkim, është çështje tjetër për të cilën mendoj se duhet reflektuar më thellë e më gjatë. Por, vetëm me përforcim të brendshëm shtetëror në drejtësi, ekonomi, arsim dhe ngritje të cilësisë së jetës për qytetarët si në Kosovë dhe në Shqipëri, mund t’i jepet Serbisë përgjigjja më e duhura por edhe shteteve të rajonit dhe më gjerë se në veçanti Kosova krijon stabilitet të brendshëm për rrjedhojë edhe të jashtëm. Sa i përket bashkëpunimeve ndërshtetërore midis Kosovës dhe Shqipërisë apo edhe me ndonjë shtet tjetër, nuk do të duhej të humbasim kohë se çka e si mendon Shteti serb sidomos me ato qëndrimet serbe të cilat i njohim tashmë që prej dekadash. Mbi të gjitha, mendoj se para çdo përafrimi me Shqipërinë duhet të kemi objektiva të qarta ndërshtetërorë në mënyrë që të mos ketë në të ardhmen konfuzione e ndërlikime diplomatike edhe me Shqipërinë”, është shprehur njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat