Deputetët e Opozitës po frikësohen se Haradinaj do t’i rrahë: Ja shembulli me Rexhep Selimin

Politika

Deputetët e Opozitës po frikësohen se Haradinaj do t’i rrahë: Ja shembulli me Rexhep Selimin

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 14 korrik 2019 Në ora: 13:15
Ramush Haradinaj Rexhep Selimi

Pak vite më parë, Kosova bëhej lajm në mediat botërore shkaku i zhvillimeve domethënëse politike. Opozita, herë me arsye e herë pa të, nuk e linte Qeverinë rehat. Për ta thënë troç, dikur nuk kishim qeveri por ama kishim opozitë të fuqishme. Sot, nuk kemi as qeveri e as opozitë. Në punë të palodhshme për interesa të vetat njëra, duke dremitur e pa-shqetësuar tjetra.

Me pak fjalë: na hëngër dreqi.

Kështu pra, fort të dashur lexues që po shtoheni dita-ditës, në heshtje ndodhin krimet më të mëdha ekonomike, në heshtje po vdes e po vdes jeta politike. E kujt i pëlqen gjithë kjo heshtje? Pa asnjë dyshim, atyre që janë rrasur thellë në korrupsion, atyre që s’iu han palla për interesin publik, për varfërinë në rritje, për pabarazinë, për krimet e përditshme që i shohim e s’i shohim.

Dhe në pyetje duket se janë muskujt e Haradinajt. Por, problemi me heshtjen e opozitës është përnjëmend kaq banal. Ata i frikësohen për vdekje agresivitetit dhe tekeve të kryeministrit aktual, i cili ka treguar muskuj, ka treguar një forcë kafshërore para së cilës më mirë t’i mbyllësh sytë.

Opozita e Vetëvendosjes provoi ta çante rrethimin nga muskujt e Haradinajt, domethënë të penetronte te thelbi i problemeve të qeverisjes së tij, përmes ish-bashkëluftëtarit të tij, Rexhep Selimit në Kuvendin e Kosovës. Ndoshta kujtonin se konsiderata personale që e kishte Haradinaj për Selimin do t’iu lejonte edhe atyre që përvjedhurazi, më pas, të tregoheshin po aq të ashpër sa ishin kundër Isë Mustafës dhe kundër Hashim Thaçit.

Epo, ja që, kur Selimi e kritikoi në një fjalim të shkurtër, Haradinaj nuk u zmbraps por e sulmoi dhe poshtëroi në sy të të gjithëve. Kryeministri bile, ia kontestoi edhe luftën që i pari e kishte bërë e për të cilën lëvdohej shumë. I tha se nuk kishte qenë tamam luftëtar. Dhe kjo, bëri që opozitarët e tjerë të heshtnin të frikësuar, ndoshta duke menduar se, kur ia bën këtë një shokut atëherë imagjino se çka mund të na bëj neve.

Ndërkohë, nga kjo betejë e humbur aq me turp, morën kurajë njerëzit e qeverisë së tij që e shtuan në masë të jashtëzakonshme keqpërdorimin me pushtet. U rritën krimet ekonomike. Deputetët e AAK-së, as që lodheshin ta justifikonin ndonjë skandal, ndonjë të punësuar të afërm në Postë e kështu me radhë. Përkundrazi, heshtja e frika e opozitës, bëri që pushtetarëve t’ju rriteshin apetitet. Të bëheshin të pangopur.

Dhe, çka vërejmë te opozita? Më i ashpër e më kritik ndaj qeverisë u bë Isa Mustafa se sa Albin Kurti. Ky i fundit u flladit dhe vazhdon të flladitet nga aktivistët e tij edhe pse vendi është edhe më keq se që ishte në kohën e qeverive të kaluara.

Është mjaft e pa dinjitetshme të humbësh opozitarizmin në këtë formë. Domethënë, të kesh frikë nga sharjet e forca trupore e Haradinajt. Të kesh frikën banale se ai mund të të rrahë duke të zënë në ndonjë qosh të Kuvendit.

Këtu mund të kujtojmë Frojdin dhe vrojtimet e tij psikologjike. Frika nga rrahja trupore është mjaft e rëndësishme dhe deri diku traumatike. Deri diku e kuptueshme marrë parasysh se sa shpesh na rrihnin serbët gjatë viteve ’90. Por, të dalësh si përfaqësues i popullit, të marrësh besimin si opozitar, nënkupton që edhe të kesh një farë guximi. Nënkupton që të mos ruhesh e frikësohesh në atë formë, sepse kjo frikë e kjo rehati mund të shndërrohet në kriminale. Të kesh rol opozitar nënkupton detyrimisht të mos frikësohesh, e jo thjesht të lidhësh dy-tri fjali e të ledhatohesh nga aktivistët e tu.

Ka një mori rastesh kur ne është dashur të protestojmë. Dhe, mungesa e protestave në raste të tmerrshme abuzimesh, na bën qyqarë. Kjo opozitë na bën qyqarë e të dobët.

Të shpresojmë që shpejt do të dalim nga kjo gjendje e mjerueshme. Ndryshe, gjërat do të vazhdojnë të marrin të mbrapshtën

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat