Buxhovi merr një mbështetje të fuqishme: “Nasim Haradinaj dhe Gani Koci të pakurrizorë”

Politika

Buxhovi merr një mbështetje të fuqishme: “Nasim Haradinaj dhe Gani Koci të pakurrizorë”

Nga: N.H Më: 14 korrik 2019 Në ora: 19:44
Jusuf Buxhovi

Edhe me tej një deklaratë e historianit të njohur Jusuf Buxhovi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, vazhdon që të ngjallë reagime të shumta.

“UÇK-ja nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur shumë gjëra të këqija. Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së”, ishte kjo deklarata e Buxhovit, e thënë ditë më parë në “Rubikon”, që shkaktoi reagime të shumta në opinion.

Lidhur më këtë është deklaruar edhe analisti politik.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur për debatin e fundit të krijuar mes shkrimtarit të madh, Jusuf Buxhovi, dhe disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Mehmeti deklaron se mungesa e emancipimit është shkaku kryesor që e vërtetë e thënë nga një intelektual si Jusuf Buxhovi të krijoi kaq shumë furtunë dhe debat.

Image
Faton Mehmeti

“Mungesa e emancipimit të shoqërisë ka ndikuar që një e vërtetë e thënë nga një intelektual si Jusuf Buxhovi të krijoi kaq shumë furtunë dhe debat. E vërteta duhet thënë ashtu siç është, UÇK s’ka qenë dhe s’mund të jetë e shenjtë, ajo ka gabime dhe si të tilla duhet të pranohen.

Tutje, ai ka theksuar se reagimet e Haradinajt dhe Kocit janë të njerëzve të pa kurrizor, të cilët nuk ndalen për të analizuar atë çfarë shkrimtari dhe historiani Buxhovi ka thënë.

“Reagimet e Gani Kocit dhe Nasim Haradinajt janë të njerëzve të pa kurrizor, të cilët nuk ndalen për të analizuar atë çfarë z.Buxhovi ka thënë, por janë të prirur për të linçuar, sharë dhe kërcënuar këdo qe mendon ndryshe. Këta janë si komunistët që ose mendo siç them unë ose je armiku im, kjo logjikë nuk përfillet nga intelektualët të cilët e thonë të vërtetën edhe kur ajo duhet paguar”, ka theksuar ai.

Ndërsa, në fund ka thënë se e mbështet Buxhovin në të drejtën e tij, që ka hapur një të vërtet që është dashur dhe duhet të thuhet.

“E mbështes z.Buxhovi në të drejtën e tij, që ka hapur një të vërtet që është dashur dhe duhet të thuhet. Pikërisht, Gani Koci dhe Nasim Haradinaj janë dëshmi se Ushtria Çlirimtarë e Kosovës s’ka qenë pa mëkate, dhe se në gjirin e saj ka pasur zuzarë te tipit Nasimit dhe Ganiut”, ka përfunduar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat