Pushteti absolut i Hashim Thaçit, vrasjet politike dhe “mentaliteti xhihadist” i Gani Kocit

Politika

Pushteti absolut i Hashim Thaçit, vrasjet politike dhe “mentaliteti xhihadist” i Gani Kocit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 15 korrik 2019 Në ora: 08:05
Hashim Thaçi, vrasjet politike, foto ilustrim nga "Bota sot"

Deklarata e shkrimtarit dhe historianit të njohur shqiptarë Jusuf Buxhovi , për luftën e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, ka bërë bujë të madhe në opinionin publik në vend.

Pati dhe vazhdon të ketë reagime të shumta pro dhe kundër tij. Pati edhe nga ata të cilët edhe e kërcënuan me jetë.

Megjithatë, Buxhovi nuk deklaroi me emra se kush janë ata persona të cilët nuk luftuan dinjitetshëm për atdheun për ta çliruar nga okupuesi serb, por kryen krime.

Deri tani në opinionin publik edhe para mediave u përmenden me qindra herë vrasjet si të kolonel Ahmet Krasniqit, e të Tahir Zemajt, po ashtu të shumë veprimtarëve të tjera, por asnjëherë nuk u përmenden emrat e individëve, të cilët urdhëruan apo të cilët kryen këto krime makabre.

Për gjithë këto vite heshti edhe drejtësia dhe duket se mosveprimi i saj, la hapësirë të madhe për dyshime në opinion.

Bytyçi: Gani Koci shfaqi një lloj mentaliteti xhihadist

Image
Enver Bytyçi

Lidhur me këtë, profesori dhe publicisti shqiptar Enver Bytyçi, në një bashkëbisedim për “Bota sot” është shprehur se deklarata e Buxhovit ka shkaktuar reagime të shumta të ekstremit majtist në Kosovë, ai ka përmendur edhe deklaratën e Jakup Krasniqi, si dhe kërcënimin e Gani Koci.

“Deklarata e shkrimtarit dhe publicistit të shquar të Kosovës, Jusuf Buxhovi, në të cilën bën vërejtjen se ‘Lufta e UÇK-së nuk ka qenë krejt e pastër’, ka shkaktuar reagime të shumta të ekstremit majtist në Kosovë. Fatkeqësisht reagoi edhe Jakup Krasniqi, të cilin e kam vlerësuar për urtësinë e tij, pavarësisht pozicionit ideologjik që ka zgjedhur që kur u shkëput nga Lidhja Demokratike në vitin 1998, për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe nuk e kam gjykuar asnjëherë për këtë, sepse kam besuar se Kupa është idealist. Idealistët qëndrojnë në krye të vlerave, sipas pikëpamjes time.

Reagoi edhe një zëvendësministër i qeverisë së zotit Haradinaj, Gani Koci. Ai shfaqi një lloj mentaliteti xhihadist, njësoj si komandantët e ISIS, kur tha se ‘UÇK duhej t’i kishte qëruar hesapet me Jusuf Buxhovin’! Nuk e di pse zoti Haradinaj dhe zoti Veseli e mbajnë këtë person në qeveri. Edhe nëse do të bënte ‘vezë të kuqe’, pas asaj deklarate ai nuk ka vend në një kabinet qeveritar të një republike demokratike. Deklarata e tij është po aq e rëndë sa edhe deklarata e atij ministrit serb, të cilin Haradinaj e shkarkoi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, profesori ka ndjesinë se të gjitha këto reagime vijnë për një arsye kriminale, për t’u mbyllur gojën atyre që nxisin hetimin e krimeve që eksponentë të UÇK-së kanë bërë kundër shqiptarëve, kryesisht kundër anëtarëve dhe liderëve të Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës

“Ka reaguar gjithashtu me të njëjtën mendësi kryetari i shoqatës së veteranëve të luftës. Dhe kam ndjesinë se të gjitha këto reagime vijnë për një arsye kriminale. Për t’u mbyllur gojën atyre që nxisin hetimin e krimeve që eksponentë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë kundër shqiptarëve, kryesisht kundër anëtarëve dhe liderëve të Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës.

Zoti Buxhovi thotë se janë vrarë 102 përfaqësues të kësaj partie. Të gjithë këta janë ekzekutuar me urdhër të komandantëve të rëndësishëm të UÇK-së, jo nga vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nuk besoj se p.sh Jakup Krasniqi është përfshirë në këto vrasje. Por derisa prej më shumë se 20 vitesh këta kriminelë nuk janë zbuluar, atëherë duhet besuar se dikush me pushtet absolut në Kosovë i mbron ata. Pushteti absolut në Kosovë gjatë kësaj periudhe ka qenë në duart e zotit Thaçi, ndaj dhe dua të besoj se është ai që i ka mbyllur kërkimet dhe hetimet për këto vrasje. Prandaj ai urdhëron argatët e vet për ta vazhduar presionin ndaj kujtdo që tenton ta hapë këtë çështje”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

Kjo deklaratë nuk drejtohet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Po ashtu, ai ka shtuar se Buxhovi ka peshë në opinionin publik dhe se sulmi ndaj tij lidhet me frikën e panikun që i ka zëne kriminelët në radhët e UÇK-së.

“Unë mendoj se Jusuf Buxhovi ka peshë në opinionin publik dhe për pasojë dhe në nxitjen e gjykatës speciale. Prandaj ai po sulmohet ashpër, shumë ashpër, deri me kërcënime të tipit terrorist. Por ky sulm i ashpër lidhet me frikën e panikun që i ka zëne kriminelët në radhët e UÇK-së. Për ta sqaruar kontekstin e deklaratës së Buxhovit. Kjo deklaratë nuk drejtohet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kundër atyre që kanë abuzuar me luftën e UÇK-së. Ata që abuzuan në atë luftë, pra disa komandantë terroristë dhe enveristo-stalinistë, këta abuzuar pas luftës me shtetin e qytetarët e Kosovës. Këta ishin horat që morën pushtetin për ta rrënuar shtetësinë e Kosovës, për të cilën UÇK dha me mijëra dëshmorë”, ka theksuar profesori për “Bota sot”.

Për më tepër, Bytyçi është shprehur se kjo pjesë shumë e vogël e UÇK-së nuk luftoi ta çlirojë Kosovën nga Milosheviçi, por nga Rugova, thjesht për ta marrë pushtetin e për ta vjedh Kosovën.

“Deklarata e Buxhovit nuk drejtohet kundër dëshmorëve dhe idealistëve që dolën malit për ta çliruar Kosovën nga pushtimi dhe sundimi serb. Ajo drejtohet ndaj atyre që drejtuan armët kundër shqiptarëve, thjesht se i konsideruan kundërshtarë politikë. Kjo pjesë shumë e vogël e UÇK-së nuk luftoi ta çlirojë Kosovën nga Milosheviçi, por nga Rugova, thjesht për ta marrë pushtetin e për ta vjedh Kosovën. Sa qindra shqiptarë kundërshtarë të Thaçit u vranë në periudhën kur presidenti i sotëm shpalli atë qeverinë e tij të përkohshme para 21 vitesh? Duhet hetuar kjo periudhë. Duhet të gjenden autorët e atyre krimeve kundër shqiptarëve dhe duhen dënuar ata”, ka thënë ai.

Në fund, profesori ka akuzuar kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, se veçse i dha Thaçit garancinë e radhës se ai asnjëherë nuk do të merret me krimet e tij kundër aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës.

“Pa i dënuar kriminelët në Kosovë, në Shqipëri e kudo në hapësirën shqiptare në Ballkan, nuk do të kemi mundësi të ndërtojmë të ardhmen tonë të sigurt. Ndërsa Isa Mustafa nuk bëri tjetër, veçse i dha Thaçit garancinë e radhës se ai asnjëherë nuk do të merret me krimet e tij kundër aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

Faktori Gjykatë Speciale

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava për “Bota sot”, është shprehur se deklarata e Buxhovit ka shqetësuar ata persona të cilët janë të “papastërtitë që dyshohen se janë akter të vrasjeve politike të personave eminent të partisë të LDK-së”.

“Deklarata e Jusuf Buxhovit për luftën e UÇK-se, ishte lufte e drejtë, por jo e pastër, tani e ka shqetësuar njërin krah të luftës në këtë kohë tani të ndjeshme, ku ditë e për ditë njerëz të ndryshëm të UÇK-së, tani ftohen si të dyshimtë, si dëshmitarë, si të dëmtuar etj., nga ana e Gjyqit special në Hage. Krahu i luftës të UÇK-së ata të “papastërtitë që dyshohen se janë akter të vrasjeve politike të personave eminent të partisë të LDK-së” gjatë dhe pas luftës, tani shqetësohen se shumë kush nga ta kanë menduar se tani ato vrasje janë të harruara, e kur kemi parasysh se shumë nga ta edhe tani gjinden në poste të larta të pushtetit, dhe nga skamnoret janë bërë multimilionerë, si të burgosen tani ata që kanë arritur aq shumë të pasurohen, dhe ta lajnë këtë jetë të begatshme sikur që janë duke e jetuar ashtu si duan veta. Prandaj, tani kemi edhe reagime të tilla sikur që po i dëgjojmë kërcënimet tjera kërcënuese, se ende qenka dashur ti spastrojnë edhe tjerë që tani po shkruajnë për ato vrasje, se kishin pas menduar që ato vrasje tani janë të harruara apo duhen të harrohen”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka sugjeruar se Qeveria dhe organet e ligjit të hulumtojnë e ti gjejnë vrasësit e këtyre vrasjeve në mënyrë që të marrinë dënimin e merituar, pasi që me veprimet e tyre i kanë shkaktuar papastërti luftës.

“Është detyre e qeverisë dhe gjyqeve, prokurorisë që tani këto vepra ti shqyrtojnë, dhe të bëhen hulumtimet për vrasësit e mundshëm, dhe sa më parë ata vrasës të bëhen të njohur për opinionin, dhe te dihen me emra dhe mbiemra se kush janë ata vrasës, dhe të dalin para gjyqit, dhe ti marrin dënimet e merituara për ato veprime që luftës ia kanë shkaktuar ato njolla të papastra, dhe që tani e 20 vite çlirimi, të zbardhen ato vrasje, dhe familjet e dëmtuara nga këto vrasje, ta lehtësojnë shpirtin e tyre që nga këto vepra të ndyra të vrasjeve, ata janë qysh nga atëherë e deri me tani në ankth, dhe me vuajtje shpirtërore, përpos që i kanë humbur familjaret e tyre, askush deri me tani nuk është marr me zbardhjen e këtyre vrasjeve, e që institucionet e shtetit e kanë pasur për obligim që të merren me zbardhjen e këtyre veprave”, ka thënë Tërnava.

Meqenëse asnjë vrasje e profileve të tilla nuk është zbardhur, me këtë dëshmohet se shteti është i kapur.

“Tani është një kohë tjetër, dhe si e tillë kërkohen të zbulohen ato vrasje edhe që tepër vonë. Po gjinden edhe ata që ende po kërcënojnë, edhe që mund të ndodhë që edhe dikush ta ndërmerr një hap të tillë që të vrasin, ata që po kërkojnë zbardhjen e atyre vrasjeve gjatë dhe të pas luftës, ndoshta edhe nga panik e Gjyqit special që po i pret, e që ky gjyq e ka filluar punën e saj të vrullshme. Por, tani ka ikur koha e vrasjeve, dhe tani këta që kërcënojnë e mendojnë atë kohën kur kanë vra pandërprerë, dhe e paskan lshu rastin t`i vrasin edhe këta që po kërkojnë zbardhjen e këtyre të vrarëve, por tani është kot se koha e vrasjeve ka kaluar, dhe jo vetëm këta që po kërkojnë zbardhjen e këtyre vrasjeve tani, por në të ardhmen dhe ditë e për ditë të tërë qytetarët e Kosovës e kanë këtë kërkesë që të zbardhen të gjitha vrasjet e atyre kohëve, dhe vrasësit të dënohen me burgje të gjata dhe kjo të iu shërbej të gjithëve në preventive se kush vret burgu e pret patjetër”, deklaruar Tërnava për “Bota sot”.

Krasniqi: Këto polemika pro dhe kontra nuk i bëjnë ndër Kosovës

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, analisti politik, Faik Krasniqi, në një deklaratë dhënë për “Bota sot”, ka thënë se e kupton pse është bërë kaq shumë bujë lidhur me deklaratën e Buxhovit.

Ai për më tepër, ka shtuar se kush është i pastër s'ka pse ta ndien vetën as të ofenduar e as të kërcënuar, pasi që Buxhovi nuk është as prokuror e as gjykatës

“Nuk e kuptoj pse gjithë kjo bujë deklarata e Jusuf Buxhovit. Njeriu ka thënë mendimin e tij dhe s'ka pse të bëhet polemika. Kush është i pastër s'ka pse ta ndien vetën as të ofenduar e as të kërcënuar, sepse z. Buxhovi nuk është as prokuror e as gjykatës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Në fund, Krasniqi ka potencuar se vendi ka problem të tjera që e kanë lënë të prapambetur vendin.

“Do te thosha që këto polemika pro dhe kontra nuk i bëjnë ndër Kosovës, sepse ky vend ka me mijëra probleme që e kanë lënë të prapambetur. Për mua shqetësuese është emigrimi i qytetareve tanë. Duhet të merren seriozisht të dhënat e Eurostat, që jemi komb në zhdukje e sipër, dhe jo deklarata të x apo y!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat