Gjuha e pushtetit nuk është gjuha e popullit

Politika

Gjuha e pushtetit nuk është gjuha e popullit

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 15 korrik 2019 Në ora: 21:03
Foto Ilustrm

Kosova u bë me noterë të rinj. Eh, pse të mos bëhej. Noterët i vyejnë Kosovës. Por, doli se as ky nuk ishte një lajm i mirë për vendin tonë, sepse politika ishte rrasur me duar e me këmbë në të. Mësuam që gratë e tre politikanëve të PDK-së, të afërm të tjerë të tyre, i kishin marrë këto pozita. Noterët e PDK-së, kësisoj, do të kenë qasje në të dhënat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Kësaj i thonë: pushtet i kontrollit. Me një fjalë, rrezik i madh për secilin prej nesh që i kritikojmë për zararet që ata i bëjnë.

Por, të merresh me noterët duket disi çështje ekzotike. Si të ishim duke folur për një vend të madh e të zhvilluar. Ne edhe mund ta kuptojmë se për çka po bëhet fjalë, por dorën në zemër nuk e përjetojmë ashtu siç duhet. I përjetojmë e ua rrokim në tërësi kuptimin vetëm gjërave të thjeshta si ‘vrasja’, ‘vjedhja’, varfëria’ e të ngjashme.

Nëse e pyet një qytetar të zakontë të vendit në rrugë për gjendjen e vendit ka shumë mundësi që ta kthen me tri fjalët e bëra klishe tashmë “Korrupsion, varfëri, papunësi.”

Çka thotë një gjë e tillë? Epo, pushteti, ka ikur matanë kuptimeve tona. Ka lëvizur dalëngadalë e pak-nga-pak drejt një gjuhe që ne edhe nëse e marrim vesh përciptazi, nuk dimë t’ia përthekojmë gjithë kuptimin, dhe nuk dimë që ta përkthejmë në realitetin tonë të vrazhdë.

A ka botë përtej pak fjalëve që ne i dimë? Padyshim që ka. Ja, ta zëmë, i kemi noterët. I kemi edhe qindra dallavere të tjera, por të cilat nuk na bëjnë përshtypje. Nuk na çojnë në këmbë nga mllefi. Nuk na lëvizin nëpër protesta.

Pushtetarët e sotëm nuk po e kanë të nevojshme që të na vrasin. Me shpalljen e pavarësisë, u ndalën edhe vrasjet ndaj veprimtarëve të LDK-së. Me një fjalë, terrori u bë më i stërholluar e megjithatë ngufatës.

Po, varfëria është këtu. Vjedhjet e dimë se ndodhin. Edhe ndonjë vrasje aty-këtu. Por, nëse mbesim në kritika për këto gjëra atëherë dalëngadalë do ta marrim vesh se mund të mbesim pa punë. Të dalë mode. Sepse, pushteti operon në një gjuhë shumë më të sofistikuar. Hajnitë që ndodhin, sidomos në rastin e liderëve të mëdhenj, nuk kanë të bëjnë vetëm me ryshfetin, apo kapjen e disa parave në mënyrë të paautorizuar dhe harxhimin e tyre vulgar.

Jo, jo. çështja është të arsimohemi pakëz, çështja është të zgjerojmë horizontet tona dhe të kuptojmë se dallaveret më të mëdha, skandalet më të mëdha, na kanë ikur more dreqi e marrtë. Na kanë ikur se ne s’kishim sy për t’i parë. Sepse syri operon përmes kategorive të mendjes. Dhe nëse s’e zgjeron mendjen, kot e ke.

Unë jam më se i bindur se për një qytetar të zakontë të Kosovës nuk ka kurrfarë gabimi në emërimin e njerëzve nëpër borde, apo në gjetjen e punës për të afërmit. E pse jo? – mund të thotë ai. Secili duhet të brengoset për familjarin e vet.

Ende nuk kuptohet se nëse secili brengoset për familjarët e akrabatë e tyre, në një shtet të vogël si Kosova, e han dreqi meritokracinë. Ashtu siç edhe e ka hëngër dreqi. Një shtet mbijeton përmes ekonomisë prodhuese. Pa ekonomi prodhuese s’ka shtet. Kosovës një ditë do t’i ndërpriten ndihmat ekonomike nga BE-ja. Çka të bëjmë pastaj?

Ja pse, o miqtë e mi, neve na duhet t’i kuptojmë me rrënjë disa fjalë të institucioneve e disa forma të korrupsionit që shkojnë përtej ryshfetit e përtej hajnisë direkte. Disa fjalë që shkojnë përtej vrasjeve e mizorive tjera. Mos ta lejojmë pushtetin që të jetë më i avancuar se ne. E që, duke qenë më i avancuar, të na sakatojë të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat