Fajtor jo vetëm Thaçi, deputetja e LDK-së tregon pse edhe Haradinaj është fajtor për planin për ndarjen e Kosovës

Politika

Fajtor jo vetëm Thaçi, deputetja e LDK-së tregon pse edhe Haradinaj është fajtor për planin për ndarjen e Kosovës

Nga: G.B Më: 16 korrik 2019 Në ora: 22:16
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Së fundmi u publikua lajmi se Zoran Zaev ka zbuluar planin për ndarjen e Kosovës nga Thaçi, Rama, Vuçiq, Putin dhe Erdogan.

Lidhur me këtë plan dhe realizimin e tij, deputetja nga radhët e e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Zaev ka treguar gjendjen reale në të cilën ndodhet Kosova dhe rajoni, duke shtuar se LDK bashkë me faktorin ndërkombëtar, më saktë Gjermaninë, kanë stopuar këtë plan të keq për Kosovën.

“Kryeministri i Maqedonisë në bisedën e publikuar tregoi gjendjen reale në të cilën ndodhet Kosova dhe rajoni dhe ambiciet personale të njerëzve për ta copëtuar Kosovën në favor të ndonjë këmbimi ose shfajësimi për të kaluarën. Por, është opozita, posaçërisht LDK-ja në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, në rastin konkret, Gjermaninë, me të cilën ka stopuar këtë plan të keq për Kosovën”, është shprehur ajo në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Image
Hykmete Bajrami

Sipas Bajramit, një plan i tillë do ta rrezikonte atë që është arritur me shpalljen e Pavarësisë, duke shtuar se Haradinaj s’po di të udhëheq me shtetin dhe po largohet nga përgjegjësia e udhëheqjes së dialogut dhe për këtë vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Një plan i tillë do ta zhbënte shtetin e Kosovës, do ta rrezikonte atë që është arritur më 2008 me shpalljen e Pavarësisë dhe konfirmimin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dhe, është mirë që dështoi plani për ndarjen e Kosovës edhe nga ekipi antikushtetues, në krye me Fatmir Limajn e Shpend Ahmetin. Ky dhe faktet tjera tregojnë se Ramush Haradinaj s’mund dhe s’po di të udhëheq me shtetin, po largohet nga përgjegjësia edhe e udhëheqjes së dialogut. Prandaj, duhet të realizohet plani dhe kërkesa e LDK-së që vendi të shkojë në zgjedhje, Qeverinë ta udhëheq LDK-ja dhe Kryeministri i ardhshëm të marrë kompetencat edhe në dialog. Ky Kryeministër dhe kjo Qeveri kanë shkelur Kushtetutën dhe duhet të shkojnë në shtëpi”, ka theksuar deputetja e LDK-së.

Ajo thotë se vendit nuk i konvenon që të hapet tema e ndarjes së Kosovës.

“Ajo çka i konvenon vendit tonë fragjil është që asnjëherë nga askush të mos hapet tema e ndarjes. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Deklarata e Pavarësisë, Opinioni i GJND-së dhe pakoja a Ahtisarit e njohin Republikën tonë në kufijtë aktual, të tillë e duan dhe e njohin rreth 2 milionë kosovarë që jetojnë në Kosovë. Fajtorët për këtë gjendje janë dy persona”, ka vlerësuar Hykmete Bajrami.

Ajo thotë se presidenti është i pari që ka tentuar ta çojë përpara një plan antikushtetues, ndërsa fajtori i dytë është kryeministri që ka dhënë dorëheqje prej dialogut në momentin kur ka marrë pozitën e shefit të Qeverisë.

“I pari është Presidenti që ka tentuar ta çojë përpara një plan antikushtetues. Fajtori i dytë është Kryeministri që ka dhënë dorëheqje prej dialogut në momentin kur ka marrë pozitën e shefit të Qeverisë. Çështja e dialogut është detyrë e Kryeministrit por jo e këtij të tanishmit që ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e dialogut. Bisedimet duhet t’i udhëheqë jo Ramush Haradinaj, por, një Kryeministër pas zgjedhjeve të reja, të cilat do t’i fitojë LDK-ja. Sepse e vetmja parti normale, e vetmja parti që sjell normalitet në këtë vend, e vetmja parti që ka vizion për këtë vend, po dëshmohet për çdo ditë se është LDK-ja. Jo partitë tjera që kryejnë edhe veprime kriminale për të ardhur në pushtet, jo partitë tjera që përdorin nëntokën për të marrë udhëheqjen e këtij vendi. LDK dallon prej këtyre partive sepse kërkon besimin te qytetarët, jo te dhuna, jo te nëntoka, jo te krimi, jo te korrupsioni”, ka deklaruar Bajrami për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat