Me votat minimale të PE-së Ursula von der Leyen pritet të jetë presidentja më e suksesshme e KE-së! - Bota Sot
Me votat minimale të PE-së Ursula von der Leyen pritet të jetë presidentja më e suksesshme e KE-së!

Politika

Me votat minimale të PE-së Ursula von der Leyen pritet të jetë presidentja më e suksesshme e KE-së!

Prof. Asoc. dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Asoc. dr. Enver Bytyçi Më 19 korrik 2019 Në ora: 12:08
Ursula von der Leyen

Ursula von der Leyen është prej ditës së djeshme presidente e Komisionit Europian. Ajo mori gjithsej 383 vota nga 374 të nevojshme, d.m.th 9 vota më shumë, një numër i ulët mbi pragun. Sikur të votonin pro eurodeputetët konservatorë, liberalë dhe socialdemokratë, pra euro optimistët, Von der Leyen do të duhej të merrte së paku 444 vota. Por nuk ndodhi kështu. Shumë socialdemokratë gjermanë nuk e votuan, edhe pse ata bashkë qeverisin me CDU-në në Gjermani. Nuk e votuan në shumicë as deputetët francezë dhe ata të vendeve të Beneluksit, megjithëse ajo kishte lindur në Bruksel dhe u rrit në Gjermani. Nuk e votuan gjithashtu disa eurodeputetë bashkë partiakë, si ata të CSU-së, për shkak se ata prisnin që në krye të Komisionit Evropian të vinte kandidati i tyre, Manfred Weber.

Ursula von der Leyen erdhi në skenë si kandidate për postin e kreut të ekzekutivit të BE-së gati krejt papritur. E vërteta është se atë e imponuan disa vende të lindjes evropiane ish-komuniste. E imponuan kryesisht polakët dhe hungarezët, të cilët njiheshin në Bruksel si fëmijët kryeneçë të kontinentit. Ata nuk deshën që në krye të KE-së të vinte ndonjë përfaqësues i Sorosit. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, dhe ai i Hungarisë, Viktor Orban, e përshëndetën zgjedhjen e Ursula von der Leyen në postin e lartpërmendur e madje falënderuan të gjithë ata eurodeputetë të vendeve të tyre, të cilët dhanë votën pro saj. Ndërkaq pro ish-ministres gjermane votuan eurodeputetët italianë.

Është interesant se ndërsa shefat e ekzekutivit të Polonisë, Italisë dhe Hungarisë konsiderohen si euroskeptikë, ata insistuan dhe dërguan në krye të BE-së një ithtare të fuqishme të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se as Morawiecki, as Orban, as Liga Nord në Itali nuk janë kundër Bashkimit Evropian si koncept, si projekt dhe si vision. Ata dëshmuan në këtë rast se janë kundër ndikimeve të jashtme në Europë. Praktikisht janë kundër ndikimit të Georg Sorosit, të cilin e shohin si rrezik për Evropën dhe vendet e tyre, ndaj dhe kundërshtojnë përfaqësuesit e këtij filantropi dashakeq në strukturat europiane. Sepse strukturat e ndikuara nga Soros sjellin edhe politika në favor të tij nga ana e Komisionit Europian.

Ursula von der Leyen, përveçse vullnet i Angela Merkel, është produkt i besueshmërisë së Lindjes Evropiane dhe i vullnetit politik të saj. Kjo duhet konsideruar si arritje shumë e madhe. Madje duhet konsideruar si një kthesë në politikat e BE-së ndaj këtyre vendeve. Shefja e Brukselit mori vetëm 9 vota më shumë sesa asaj i duheshin për t’u zgjedhur në krye të KE-së. Ky numër votash është më i ulëti në historinë e votimit të Parlamentit Evropian për këtë post. Por edhe sikur të zgjidhej me një vote plus, ajo konsiderohet të jetë legjitime. Legjitimitetin në demokraci nuk e jep unanimiteti, por shumica e votuesve. Nuk janë të pakta rastet kur njerëzit e zgjedhur me minimum votash bëhen më të suksesshëm se ata që marrin vota unanime dhe me këtë bien në vetëkënaqësi e nuk garantojnë produkt pozitiv.

Nga e gjithë kjo analizë e ndikimeve, preferencave dhe perceptimeve në procesin votues të Ursula von der Leyen në postin më të rëndësishëm të BE-së, duhet të ndalemi në disa përfundime.

Së pari, shtrohet pyetja pse ajo shihet si favorite nga vendet, qeveritë dhe partitë politike skeptike për ardhmërinë e Bashkimit Evropian? Duket qartë se në BE janë krijuar dy sfera veprimi. Nga njëra anë qëndrojnë dy vendet më të fuqishme të Europës, Gjermania dhe Franca së bashku me disa vende të vogla. Nga ana tjetër qëndrojnë vendet periferike, vendet që nuk e shohin veten të përfaqësuar me dinjitet në Bruksel. Por si shpjegohet që vendet periferike preferuan një minister të vendit më të fuqishëm europian? Kjo meritë i takon vetë zonjës von der Leyen, e cila ka si atribut aspektin social, mjedisor e feminist të saj, cilësi këto që joshën vendet e shpërfillura e skeptike për ta mbështetur atë. Ajo me fjalën e saj në seancën parlamentare kur u zgjodh ishte brilante, e përshtatur pikërisht për t’i dhënë shpresë vendeve të tilla.

Në këtë kuptim zgjedhja e Ursulës është një zhvillim shumë pozitiv për vendet kandidate ose që aspirojnë për t’u integruar në BE. Ajo ka paralajmëruar forcimin e Unionit dhe për pasojë kjo do të garantojë sukses në hapat e zgjerimit. Me t’u zgjedhur kërkoi gjithashtu që në tetor të hapen bisedimet për pranim për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë.

Së dyti, kjo zgjedhje ka nxit optimizëm në mjediset evropiane të biznesit, te sipërmarrësit dhe ato grupe interesi që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me vendimet e Komisionit Evropian. Madje shihet me optimizëm fakti se von der Leyen do të jetë e zonja të ndërmjetësojë me presidentin Trump çështjet tregtare midis SHBA-ve dhe BE-së. Nga kjo pikëpamje ajo ka rrit shpresat për ta bërë më funksionale punën e KE-së, duke u dhënë fund praktikave burokratike të panevojshme si dhe rasteve të punës korruptive. Kjo do të thotë se në të ardhmen e afërt do të duhet të kemi një BE më të fuqishme, më të strukturuar dhe për pasojë më të aftë të marrë vendime të drejta dhe të ekuilibruara në favor të vendeve të lindjes dhe të integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Së katërti, eksperienca e gruas së fuqishme me cilësi sociale të admirueshme, si Ursula von der Leyen, shton kapacitetet e Komisionit Evropian për t’i dhënë fund konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë permes një zgjidhjeje sipas real politikës, në funksion të paqes e stabilitetit rajonal e evropian, d.m.th jashtë skemave për ndryshimin e kufijve midis të dy vendeve.

Ndonëse gjermanja von der Leyen mori minimumin e votave të eurodeputetëve në Strasburg, ndonëse e para grua në postin e presidentes së KE-së, pritet që ajo të jetë shefja më e suksesshme e ekzekutivit të BE-së. Së paku ky mëngjes i saj në Bruksel, dëshmon se do të ketë një mot të mire në kontinentin evropian dhe temperaturat normale në BE do të ndikojnë te vendet e rajonit tonë për një ritëm më të shpejtë të proceseve integruese.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...