Ish-sekretarja amerikane tregon se si e ndalën luftën në Kosovë

Politika

Ish-sekretarja amerikane tregon se si e ndalën luftën në Kosovë

Nga: Z.B Më: 19 korrik 2019 Në ora: 14:43
Ilustrim

Në librin e fundit të ish-sekretarës amerikane, Madeleine Albright, “Të fuqishmit dhe i plotfuqishmi”, fol edhe për luftën e Kosovës. Një ndër grat më të fuqishme në botë, vjen me librin e saj për ngjarjet kur ajo ishte sekretare e shtetit më të fuqishëm në botë, shkruan “Bota sot”.

Në këtë libër shkruan se gjatë atyre viteve, Shteteve të Bashkuara u është dashur të përballen me çështjen e “luftës së drejtë” në Afganistan dhe Irak. Si Sekretare Shteti është ndeshur me një sfidë të ngjashme edhe në Ballkan.

Në fillim të viteve ‘90, diktatori serb, Sllobodan Millosheviç, kish nisur tri luftëra të pasuksesshme: kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë dhe kundër Bosnjës. Në vitin 1999, ai e drejtoi armiqësinë e tij kundër shumicës etnike shqiptare në Kosovë, provincë e Serbisë.

“Gjatë një viti studiova çdo rrugë të mundshme për të siguruar një zgjidhje diplomatike që të respektohej nga të dy palët. Shqiptarët më në fund e pranuan propozimin tonë; Millosheviçi e refuzoi, duke ndërsyer forcat e tij të sigurimit kundër popullsisë civile. Interesi i tij ishte t’i dëbonte shqiptarët nga Kosova, duke vrarë udhëheqësit e tyre, duke djegur fshatrat e tyre dhe duke përhapur terror. Qëllimi i tij ishte që problemin e Kosovës “ta zgjidhte” një herë e përgjithmonë. Duke qenë se provinca ishte pjesë e Serbisë, krimet e Millosheviçit nuk mund të karakterizoheshin si agresion ndërkombëtar. Asnjë anëtar i NATO-s nuk po sulmohej, kështu që Aleanca nuk mund të pretendonte të përdorte të drejtën e vetëmbrojtjes”, shkruan, Madeleine Albright, në këtë libër.
 

Tutje, në këtë libër thuhet se Serbia nuk kishte kërcënuar të pushtonte një vend tjetër, kështu që nuk kishte arsye për një goditje parandaluese. “Megjithatë, ne e kishim për detyrë “të mbronim tjetrin e pambrojtur”. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë, e cila kërkonte tërheqjen e trupave plaç- kitëse serbe, por diplomatët rusë, historikisht në anën e vëllezërve të tyre sllavë, premtuan se do të vinin veton për çdo masë që autorizonte përdorimin e forcës për ndaljen e serbëve”, thuhet në libër.

Këtë e vuri re edhe administrata e Clinton-it dhe NATO-n përpara një zgjedhjeje të vështirë. Ose të lejonim Rusinë të përdorte veton me të cilën na kish kërcënuar, duke mos na lënë të vepronim, ose të përdornim forcën për të shpëtuar popullin e Kosovës edhe pa lejen e shprehur të Kombeve të Bashkuara. Punova tej mase shumë dhe ia dola mbanë për përdorimin e variantit të dytë, thotë Albright.

“....Arsyet e mia ishin pjesërisht strategjike: Europa nuk do të ishte asnjëherë plotësisht në paqe, për sa kohë që Ballkani të ishte i pastabilizuar dhe Ballkani nuk do të ishte i stabilizuar për sa kohë që Millosheviçi do të ishte në pushtet. Gjithsesi, motivi im kryesor ishte moral: Nuk doja të shihja të vriteshin njerëz të pafajshëm. Prania e NATO-s në Europë na dha mjetet për të ndalur spastrimin etnik në atë kontinent, ndërsa unë shpresoja se duke bërë këtë, do të ndihmonim që krime të tilla të mos ndodhnin edhe gjetiu...”.

Ndryshe, libërin mund ta gjeni edhe në shqip falë përkthimit të Engjëllushe Shqarrit dhe Shtëpisë Botuese “Fan Noli”, me një parathënie nga ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat