Presidenti Thaçi luajti me emocionet e shqiptarëve të Kosovës Lindore

Politika

Presidenti Thaçi luajti me emocionet e shqiptarëve të Kosovës Lindore

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 21 korrik 2019 Në ora: 08:09
Hashim Thaçi

Premtimet për përmirësimin e jetës së qytetarëve në Kosovën Lindore nuk kanë reshtur kurrë, ani pse asnjëherë, asgjë konkrete nuk është bërë në atë drejtim. Republika e Kosovës, me Serbinë dialogon tash e sa vite.

Dialogu kishte filluar si teknik, si dialog ku do të diskutohet vetëm për tema të dorës së dytë, assesi për çështje të cilat kanë lënë të kuptojnë se do të bëhet diçka ndonjëherë në të mirë të shqiptarëve autokton të Kosovës Lindore.

Në këtë drejtim, sa herë që shqiptarët kanë marrë iniciativa që në mënyrë të organizuar të drejtohen tek institucionet e Republikës së Kosovës për t’u ankuar dhe për t’u kërkuar që në emër të tyre të flasin në instancat më të larta evropianë, por, sa herë që ka pasur kërkesa të tilla, ato jo që nuk janë pranuar, përkundrazi janë qortua duke u “udhëzuar” që të rrinë urtë, pasi që çështja e Kosovës është delikate dhe se nuk mund të lëndohet duke kërkuar të drejta për juve, atje në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Në lidhje me këtë çështje, Belgzim Kamberi nga Presheva, anëtarë i kryesisë nga radhët e Partisë Social Demokrate, ka thënë se mbi parimin e reciprocitetit, do të duhej që të harmonizohen të drejtat e serbëve në Republikën e Kosovës, me ato të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Është me rëndësi që çështja e Luginës së Preshevës është përfshirë më në fund zyrtarisht si temë në dialogun me Serbinë, përmes Platformës Shtetërore e cila është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Është në interes të paqes afatgjate që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e zgjidhjes së kontestit Kosovë-Serbi, në përputhje me kërkesat politike dhe legjitime të përfaqësuesve politik të Luginës së Preshevës.

Image
Belgzim Kamberi

Reciprociteti në të drejta me serbët e Kosovës është një nga mundësitë që do të duhej të nxitej nga Prishtina zyrtare në kuadrin e zgjidhjes së marrëveshjes me Serbinë. Fatkeqësisht, shpërfillja dhe mospërkushtimi i qeverive të Kosovës, sidomos nga shpallja e pavarësisë, për çështjen e harmonizimit të standardeve të të drejtave të minoriteteve në rajon, e sidomos midis Kosovës dhe Serbisë, ka ndikuar që tashmë të drejtat kushtetuese dhe ligjore, si dhe gjendja në terren midis serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës janë në një asimetri dhe në një distancë edhe më të thellë se para dhjetë vitesh”, është shprehur Kamberi.

Çështja e Kosovës Lindore duhet të futet në agjendën shtetërore dhe të trajtohet me prioritet

Përafërsisht qëndrim të njëjtë ka edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila përmes deputetes Drita Millaku, e kontaktuar nga “Bota sot”, është shprehur se problemi shqiptar në Serbi nuk kufizohet vetëm me tri komunat, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, por edhe me gjithë shqiptarët që jetojnë në Serbi, duke përfshi këtu edhe një numër të madh të tyre që jetojnë në Beograd.

Image
Drita Millaku

“Çështja e Kosovës Lindore duhet të futet në agjendën shtetërore dhe të trajtohet me prioritet. Në dialogun me Serbinë duhet të bisedohet në ekuivalencë me të drejtat e Serbëve në Kosovë pra ato të drejta që t’i jepen Serbëve të Kosovës ato ti jepen edhe Shqiptarëve në Serbi. Dëshiroj të potencoj se problemi shqiptarë në Serbi nuk duhet të kufizohet vetëm në tri komunat e saj pasi që në Beograd ka një numër të madh të Shqiptarëve dhe këta janë totalisht të pambrojtur jo vetëm si etni por edhe të diskriminuar si qytetarë”, ka thënë deputetja Millaku.

Gabim të madh e quan anashkalimin e Kosovës Lindore në bisedime me Serbinë, analisti Faik Krasniqi, i cili për “Bota sot” ka thënë se nëse do ta kishim angazhuar edhe Kosovën Lindore në dialog me Serbinë, sot, kërkesat e tyre apo pretendimet ndaj Kosovës do të ishin shumë më të vogla.

Image
Faik Krasniqi

“Gabimi më i madh i shtetit të Kosovës, ka qenë mos përfshirja e Kosovës Lindore në bisedime me Serbinë. Nëse Kosova Lindore do të ishte përfshirë gjatë këtyre bisedimeve, atëherë do të kishim avantazh të madh ndaj Serbisë, sepse Serbia s'do të kishte kërkesa përverse. Ka ende mundësi që Kosova Lindore të përfshihet në këto bisedime, dhe patjetër që duhet. Ato të drejta që serbët e Kosovës i gëzojnë tek ne, të njëjtat të drejta t'i gëzojnë edhe shqiptarët në Kosovën Lindore. Në të kundërtën s'ka të drejta për serbët e Kosovës. Çdo gjë reciproke. Është qesharake deklarata e Presidentit Thaçi, që Kosova Lindore do t'i bashkohet Kosovës pa i dhënë Serbisë asgjë. Ne e njohim Serbinë dhe e dimë se Serbia e sotme është krijuar me territore të huaja, kryesisht territore shqiptare. Nëse vije deri te shkëmbimi i territoreve, atëherë Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t'i kalojnë Kosovës, kurse Leposaviqi, Zvecani dhe Zubin Potoku t'i kalojnë Serbisë, pa Mitrovicën, Ujmanin dhe Trepçen!”, ka përfunduar analisti Krasniqi.

Ibishi: Çështja e Luginës mund të përfshihet në dialogun Serbi-Kosovë

“Nuk shoh rrëzim në lëvizjen e kufinjve, nëse ajo lëvizje do të ishte në të mirë të popullit autokton, në këtë rast në të mirë të popullatës shqiptarë në Kosovën Lindore”, kështu është shprehur Lulzim Ibishi, ish-komandant i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, i cili për shkak të flet-arrestit nga Serbia, sot e sa vite jeton në Fushë Kosovë, pa të drejtë ta vizitojë vendlindjen, pa e parë Preshevën për të cilën ishte ne gjendje t’u dal përballë edhe plumbave.

Image
Lulzim Ibishi

“Çështja e Luginës mund të përfshihet në dialogun Serbi-Kosovë, në të drejtën ndërkombëtare, kombëtare, vullnetin e popullit i cili vullnetshëm ka luftuar me dekada e shekuj të jemi në një shtet. Edhe sot është vullneti dhe shpresa që Lugina të jetë pjesë e shteti të Kosovës.

Duhet të jenë kërkues me këmbëngulje, liderët politik të Luginës në bashkëveprim me institucionet e Kosovës. Aty ku potencohet si ide e rrezikshme për shkëmbimin e territoreve!?.

Unë mendoj se çdo lëvizje e cila bëhet për të mirën e popullatës autoktone, nuk paraqet rrezik e as dëm, marrëveshja Serbo-Shqiptare (Kosovare) duhet të jetë gjeografike e jo politike, e përkohshme por etniko-gjeografike dhe afatgjatë e stabile.

Nuk shoh asnjë rrezik nëse kufijtë lëvizin me marrëveshje dhe në të mirën e popullatës ku jetojnë ata, në rastin konkret Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e administruar nga Qeveria e Kosovës.

Deri më tani nuk është bërë asgjë veç disa deklaratave të thata në krahasim me serbët në Kosovë, Serbia derdh miliona fonde kurse dy shtetet Shqiptare për Luginë deri tani as trohat nuk na i kanë dhënë fatkeqësisht.

Po shpresojmë në të ardhmen të jetë ndryshe, në të mirën e Luginës deri te bashkimi me Kosovë njëherë e për gjithë jetën”, është shprehur Lulzim Ibishi, i njohur në opinion si Komandant Luli”.

Haziri: Thaçi luajti me emocionet e shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Thaçi ka luajtur me emocionet e qytetarëve në Kosovën Lindore, ai çdo deklaratë e ka pasur për protagonizëm dhe për këtë e kemi dëshmi mos-interesimin e deri sotshëm të këtij personi për shqiptarët në atë pjesë, kështu është shprehur për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Përfshirja e çështja e Luginës së Preshevës në pjesën e finale të dialogut Kosovë-Serbi, kurdo që do të vazhdoj ky dialog, ka pak gjasa të ndodhë, për të mos thënë fare, për shkak se kjo çështje u injorua që në fillim kur Prishtina zyrtare do të mund të tërhiqte paralele në mes të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe minoriteti serb në Kosovë sa I përket të drejtave qytetare dhe nacionale. Tani në rastin kur presidenti Thaçi filloi ta bëjë pjesë të procesit të dialogut me Serbinë, në mënyrë deklarative çështjen e Luginës së Preshevës ishte vetëm për protoganizëm të tij, jo që në esencë kishte diçka serioze në këtë drejtim. Dihet se vet Thaçi luajti me emocionet e shqiptarëve në Luginë të Preshevës duke shfrytëzuar edhe injorancën e liderëve politik shqiptar atje, dhe i shndërroi në marketing për vetën e tij duke tentuar që ta marrë rrolin e një lideri me ndikim edhe të shqiptarët atje. Ai Luginën e Preshevës, disa fshatra atje u mundua ti përdorë si monedhë kusuritje për idetë e tij famëkeqe nga plani për shkëmbim territoresh me Serbinë, plan ky që dëmton seriozisht Kosovën por edhe vet Luginën e Preshevës. Sa i përket asaj se çfarë bëri Prishtina zyrtare, por edhe Tirana zyrtare për ti mbrojtur dhe avancuar të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës tregues më i mirë është gjendje e tyre mjerë sa I përket të drejtave qytetare dhe nacionale. Lugina po zbrazet nga shqiptarët si rezultat i vështirësive që ua imponon qeveria e Serbisë për ta shpopulluar në mënyrë të heshtur këtë rajon nga shqiptarët, ndërsa Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë injorimin e kësaj gjendje dhe Lugina e Preshevës përmendet vetëm për protoganizëm patriotik të liderëve të caktuar, sidomos atyre në Prishtinë”, ka thënë Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat