Gjykata Speciale dirigjohet nga Serbia dhe varet nga bisedimet në Bruksel? - Bota Sot
Gjykata Speciale dirigjohet nga Serbia dhe varet nga bisedimet në Bruksel?

Politika

Gjykata Speciale dirigjohet nga Serbia dhe varet nga bisedimet në Bruksel?

Albiona Hajdari Nga Albiona Hajdari Më 21 korrik 2019 Në ora: 20:37
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale së fundmi ka intervistuar disa komandantë të UÇK-së, mes tyre edhe Naim Malokun, si dhe komandantin e Batalionit të II-të të Brigadës 121 Kumanova, Ramiz Qeriqin, i njohur me nofkën e luftës si Komandant Luani.

Gashi: Specialja 100% varet nga Serbia e nga askush tjetër

Intervistimin e tyre, juristi Tomë Gashi e sheh si pjesë të ngritjes së akuzave të cilat varen plotësisht nga Serbia.

Image
Tomë Gashi


''Ftesa për t’u marrë në pyetje e z. Malokut dhe komandant Luani as nuk do t’i ngadalësojë e as që do e përshpejtojë ngritjen e akuzave sepse kjo 100% varet nga Serbia e nga askush tjetër,'' thotë ai.

Për formimin e kësaj gjykate, Gashi shprehet se ka qenë e ditur qysh në fillim se është kundër pjesëtarëve të UÇK-së dhe vet shtetit të Kosovës.

''Edhe pse ka qenë e ditur që nga dita e parë e votimit të Gjykatës Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës së vitit 2015 se kjo në të vërtetë është Gjykatë Speciale Ndërkombëtare kundër shqiptarëve në përgjithësi, kundër shqiptarëve të Kosovës në veçanti dhe posaçërisht kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe fatkeqësisht kundër vet shtetit të Kosovës, tanimë është e vërtetuar se kjo në të vërtetë është edhe gjykatë e dirigjuar nga Serbia”, shprehet ai.

Fajtorë për krijimin e kësaj gjykate, juristi Tomë Gashi thotë se janë vet deputetët e Kosovës të cilët e votuan atë. Ai thekson se deputetët nuk kanë të drejtë morale ta quajnë këtë gjykatë politike, ndonëse është 100% e tillë. Më tutje shton se nuk do të ketë akuza të niveleve të larta, por vetëm të niveleve të mesme.

“Duke aluduar në një pjesë të ish-udhëheqësve të UÇK-së e të cilët tani janë edhe udhëheqës të Kosovës, pra akuzat e para faktikisht varen nga Serbia dhe të ashtuquajturat negociata mes Beogradit dhe Prishtinës siç i quan Serbia janë të gjitha në favor të Serbisë e në dëm të Kosovës. Nuk do të ketë akuza të ngritura në Gjykatën Speciale të niveleve të larta, por të atyre niveleve të mesme dhe të tjera mund të ngriten në kohën kur vendosë zyra e prokurorit special në Hagë. Dhe kjo nuk do të ndodhë në një kohë të përshtatshme për të cilën do të vendosë kjo zyrë në Hagë sepse pa marrë parasysh që në të vërtetë asnjë shqiptar nuk do që të kemi akuza kundër ish pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë, kjo do të ndodhë sepse mjerisht në dëm të tyre vendosën deputetët e Kosovës me 2015 ku për këtë Gjykatë kundër vetvetes votuan në presion të shefave të tyre partiak edhe një pjesë e konsiderueshme të atyre deputetëve që ishin vet pjesë e UÇK-së e të cilët nëse akuzohen kanë të gjitha të drejtat të mbrohen në mënyrën më të mirë të mundshme por ata dhe vetëm ata nuk e kanë të drejtën morale që ta quajnë këtë gjykatë politike edhe pse në të vërtetë është 100% e tillë. Sepse vet krijuan një monstrum që do t’i hajë vlerat e luftës e jo që do t’i mbrojë siç formalisht deklarojnë ata,'' thotë ai.

Sipas avokatit Gashi, vet Serbia nuk është e interesuar që të përshpejtojë ngritjen e akuzave, pavarësisht dorëzimit të dokumentacionit për pjesëtarët e UÇK-së, që i kanë quajtur ''terroristë.''

“Dhe kjo vërtetohet ndër të tjera edhe me deklarimin publik që ishte edhe në media të Kosovës, të Ministres së Drejtësisë të Serbisë se ata pra Serbia dhe Prokuroria serbe për krime të luftës i ka dërgu shumë materiale dokumentuese që sipas saj janë prova të Gjykatës Speciale kundër udhëheqësve të UÇK-së, e një pjesë e të cilëve janë tani edhe udhëheqës të Kosovës të cilët ajo i quan edhe terroristë, por çuditërisht ajo deklaron se tani për tani nuk janë të interesuar të ndikojnë në përshpejtimin e ngritjes së akuzave ndaj tyre në Gjykatën Speciale”.

Burjani: Kjo fazë nuk sjellë ndonjë aktakuzë përveç intervistimeve

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, Blerim Burjani për “Bota sot” ka thënë se kjo fazë e intervistimit do të vazhdojë derisa të ngriten aktakuza, për të cilat vendosë Prokuroria Speciale.

''Kjo fazë nuk sjellë ndonjë aktakuzë përveç intervistimeve që nuk dihet as kur do të përfundojnë me njerëz apo akter të ndryshëm të ushtarëve të UÇK-së, të cilët të gjithë pa dallim ishin ushtarë dhe ishin emëruar komandantë, pra kjo çështje do të vazhdojë edhe më tutje të merret me intervistime derisa të ngritën aktakuza, për këtë vendosë Prokuroria Speciale deri kur vazhdon kjo fazë e intervistimeve të pandalshme, pritet që brenda këtij viti prej shtatorit e tutje të ngriten aktakuzat e para, që fillimisht priten të jenë 2-3 aktakuza,'' ka theksuar ai.

Mehmeti: Funksionalizimi i plotë i Gjykatës Speciale po ndërlidhet me zhvillimet politike

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti e sheh marrjen në pyetje të akterëve kryesorë të luftës, si shenjë se Gjykata Speciale nuk po ndalet. Sipas tij, varësisht si do shkojë dialogu mes Serbisë dhe Kosovës, ashtu do veprojë dhe Gjykata Speciale, për të cilën thotë se ka rënë besimi që mund të vë prapa grilave individët që i kanë bërë dëm shqiptarëve për interesa partiake.

''Besoj se funksionalizimi i plotë i Gjykatës Speciale po ndërlidhet me zhvillimet politike dhe kjo nuk është gjëja e duhur. Gjithsesi marrja në pyetje e disa prej figurave kryesore në luftën e fundit, duhet theksuar se është një shenjë se Gjykata Speciale nuk po ndalet, megjithëse me hapa të vegjël. Por, është për t’u theksuar fakti se marrja në pyetje e Hashimit, Kadriut dhe kokave të krimit në vend është e ndërlidhur me dialogun me Serbinë, dhe varësisht siç shkojnë gjërat atje vepron edhe Gjykata Speciale. Nëse dikur kishte shumë shpresë tek kjo gjykatë, aktualisht ka rënë shumë besimi se kjo gjykatë do të mund të vë prapa grilave ata që i kanë bërë zullum shqiptarëve për interesa partiake,'' ka përfunduar Mehmeti.

Kadriaj: Lufta e UÇK-së ka qenë padyshim e pastër duke përjashtuar ndonjë devijim të izoluar

Image
Mustafë Kadrijaj

Për analistin Mustafë Kadrijajn, kjo sfidë është e përballueshme nga të akuzuarit, për shkak se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe nuk ka cenuar lirinë e të tjerëve, përkundrazi ka dhënë shumë dëshmorë.

Ai thotë se duhet të jemi të gatshëm të dëshmojmë para çdo gjykate, sado tendencioze të jenë ato.

''Mendoj që edhe këtë sfidë do ta përballojnë të akuzuarit duke kujtuar opinionin që lufta e UÇK-së ka qenë padyshim e pastër duke përjashtuar ndonjë devijim të izoluar që është normale për një ushtri kryengritëse dhe e dalluar nga populli si rezultat i një represioni të Jugosllavisë së mbetur. Kur flasim për emrat e lart cekur si rasti i z. Naim Maloku vlerësoj që është shembull i një oficeri profesional duke respektuar kodin e luftës. Se a do të ndodhin kjo është në kompetencë të Gjykatës po gjithnjë duhet të besojmë në pastërtinë e luftës tonë për faktin që lufta e UÇK-së ka qenë çlirimtare duke dhënë shumë dëshmorë që kjo është në dëshmi që këta dëshmorë dhe kjo luftë është bërë në territorin e Kosovës pra ne nuk kemi cenuar lirinë e tjerëve por duke dhënë më të dhimbshmen, duke dhënë jetën. Por njëherit ne duhet të dëshmojmë para miqve ndërkombëtarë që ne jemi të gatshëm të dëshmojmë para çdo gjykate sado tendencioze që mund të jenë ato,'' ka theksuar Kadrijaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...