Profesori ndërkombëtar tregon skenarët e rrezikshëm pas dorëheqjes së Haradinajt: Priten ditë të vështira në të ardhmen

Politika

Profesori ndërkombëtar tregon skenarët e rrezikshëm pas dorëheqjes së Haradinajt: Priten ditë të vështira në të ardhmen

Nga: A.M Më: 22 korrik 2019 Në ora: 19:04
Ramush Haradinaj

Profesori Enver Bytyçi, ka analizuar për “Bota sot” zhvillimet në Kosovë, duke iu referuar dorëheqjes së kryeministrit të vendit të premten e shkuar. Ai ka thënë se gjithçka zhvillohet sipas një skenari jo vetëm për të rikthyer dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, por për të vënë në tavolinën e bisedimeve integritetin territorial të vendit, pra ndarjen e Kosovës.

“Asgjë nuk ndodh rastësisht në kësi rastesh. Ka një skenar, një regji dhe një objektiv. Skenarët ndërtohen sipas skemës për eliminimin e pengesave dhe për përzgjedhjen e aktorëve që realizojnë objektivat e një skenari të caktuar. Në rastin e Kosovës skenaristët dhe regjisorët kanë përzgjedhur aktorët dhe autorët e realizimit të projektit serbo-rus të ndarjes së Kosovës me maskën e ‘korrigjimit të kufijve’. Këta autorë dhe aktorë kanë një emër e mbiemër, përkatësisht, Aleksandër Vuçiç, Hashim Thaçi, Edi Rama, Baton Haxhiu, Gent Cakaj etj. Regjia është hartuar në Beograd dhe në Moskë. Ka gjet përkrahës edhe te obet serbe e ruse në SHBA dhe në vendet e BE-së. Rol të caktuar ka Georg Soros, i njohur si kundërshtar i bombardimeve të NATO-s në Kosovë, i cili do të jetë përfitues në aksionet e Trepçës, të administruar nga Beogradi, në rastin e ndarjes së Kosovës”, ka potencuar ai.

Po ashtu, profesori është shprehur se për këto arsye u largua ose u dërgua në gjykatën speciale të Hagës Haradinaj dhe për këto arsye festuan largimin e Ramushit në Beograd, në vilën e presidentit Thaçi dhe në Surrel.

Image
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

“Një ditë mbas dorëheqjes, të shtunën, APA, agjencia e lajmeve austriake publikoi një intervistë të Hashim Thaçit, në të cilën ai bën thirrje për vazhdimin e dialogut dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje me projekt ‘korrigjimin e kufijve’. Kurthi, intriga dhe presioni i Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç ndaj kryeministrit të Kosovës që dha dorëheqjen është unik në historinë e shteteve. E gjitha në funksion të planit serbo-rus për ndarjen e Kosovës, për ndryshimin e kufijve në Ballkan, në funksion të destabilitetit dhe pasigurisë në rajon”, ka thënë ai për ”Bota sot”.

Aleati i parë dhe kryesor i PDK-së në këtë rast do të jenë deputetët e Listës Srpska në Kosovë

Gjithashtu, Bytyçi ka shtuar se do të rifillojë loja e zbatimit të projektit të shkëmbimit të kufijve dhe se taksa duket se do të hiqet.

“Presidenti i Shqipërisë në një deklaratë të tij u bëri thirrje shqiptarëve për të bërë më pak gjumë e për të qenë më të bashkuar, sepse ditë të vështira priten në të ardhmen. Pra, do të rifillojë loja e zbatimit të projektit të shkëmbimit të kufijve. Taksa për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë e kishte bllokuar këtë proces. Tani taksa duket se do të hiqet. Por, do të hiqet nëse Hashim Thaçi arrin të rikrijojë një shumicë parlamentare për t’i dhënë Kosovës një qeveri tjetër kolaboracioniste dhe kuislinge ndaj Beogradit. Aleati i parë dhe kryesor i PDK-së në këtë rast do të jenë deputetët e Listës Srpska në Kosovë, të cilët janë urdhëruar që të vihen në dispozicion të politikave antishtet të Kosovës të presidentit Thaçi. Pastaj, do të shihet se sa dhe cilët deputetë do të vihen në dispozicion të krijimit të një qeveri të tillë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai është shprehur se në këtë situatë ka shumë rëndësi së kush do ta udhëheq LDK-në, do të jetë një njeri vegël në duart e Hashim Thaçit, apo do të vihet dikush që i kundërvihet planeve të tij kundër integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.

“Partitë politike nuk kanë llogari elektorale që t’i përgjigjen pozitivisht Hashim Thaçit. Por deputetë në radhët e tyre ka mundësi ta bëjnë këtë. Kanë shumë rëndësi në këtë moment zhvillimet në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Varet shumë nga ajo se kush do ta marrë në dorë drejtimin e kësaj partie. Do të jetë një njeri vegël në duart e Hashim Thaçit, apo do të vihet dikush që i kundërvihet planeve të tij kundër integritetit dhe sovranitetit të Kosovës”, ka potencuar Bytyçi për “Bota sot”.

Profesori thekson se Thaçi asnjëherë nuk ka dalë nga loja dhe se largimin e kryeministrit ai do të synojë fillimisht të vendosë me një koalicion ose pas zgjedhjeve parlamentare një kryeministër vasal të tij, pavarësisht se cilës partie do t`i takojë kryeministri.

“Unë mendoj se Thaçi nuk ka dalë asnjëherë nga loja. Atij ia dobësoi ndikimin kryeministri Haradinaj, por nga loja mund të dilte nëse do të ishte shkarkuar nga detyra e presidentit të Republikës. Tani, me largimin e kryeministrit ai do të synojë fillimisht të vendosë me një koalicion ose pas zgjedhjeve parlamentare një kryeministër vasal të tij, pavarësisht se cilës partie do t`i takojë kryeministri. Me shumë mundësi Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Deri atëherë nuk besoj se hiqet taksa. Por Hashim Thaçi është aty falë mbështetjes së Beogradit, të Moskës, të Sorosit dhe të të gjitha qarqeve antishqiptare e proserbe në botë!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat