Traumat që i pësuam nga Ramush Haradinaj

Politika

Traumat që i pësuam nga Ramush Haradinaj

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 22 korrik 2019 Në ora: 20:10
Ramush Haradinaj

O, sa do të doja që këtë shkrim ta nisja me një ofsh lehtësues “Shpëtuam”. Por, edhe pse Ramushi dha dorëheqjen, ne do të biem poshtë e më poshtë. Se sikur Ramushi, janë edhe plot e përplot të tjerë që janë dhe do të mbeten qeverisës të fatit tonë.

Çka të themi për të ashtu-quajturin Rambo, më saktë qeverisjen e tij? Skandal. Aq e dobët ishte sa fjalët s’arrijnë ta përthekojnë gjithë atë dobësi e ligësi përzier bashkë.

A shtihet more njeri në punë të shtetit veç pse e ke të afërm e familjar? Ja që AAK-ja e tij e bëri një gjë të tillë. E bile, e bëri haptas dhe pa marre.

Ramushi me ta marrë pozitën e kryeministrit na e bëri një mashtrim të madh, bile aq të madh, sa rrëqethem sa herë që më kujtohet. Nga gjithë ajo pordhë e piskamë kundër demarkacionit, fuuup, në fund e votoi vetë e hëngër dreqi. Si s’pati turp? Ai mendon se ne, qytetarët e rëndomtë të vendit, nuk hamë bukë por bari. E ndoshta, edhe është e vërtetë.

Dhe, kjo gënjeshtër e madhe, kjo hipokrizi që të molis, është e rrezikshme për shëndetin tonë mendor. Është traumatike të shohësh një udhëheqës shteti derisa bën aso gjesti të turpshëm, aso përçudnimi të pështirë që s’e rrokin fjalët. Nejse, e hëngshin shtatëqind.

Çka u bë me ata njëqind zëvendësministra? Ramushi si opozitar deklaronte se Qeveria Mustafa ishte tepër e madhe, e se duhej të zvogëlohej se ashtu po abuzohej pushteti. E çka bëri vetë? E hëngri dreqi i bëri gati njëqind zëvendësministra. Bile dy të tillë i emëroi veç një ditë para se të jepte dorëheqjen. Po këtij nuk i han palla as për komb, as për shtet, as për qeverisje të mirë. Ky është në gjendje të bëj gjithçka për veten e tij. Kjo është traumë tjetër e rëndë. Kjo të qet prej terezisë. Njeriu ka nevojë për pak njerëzillëk, pak shfaqje të empatisë e mirëkuptimit, kujdesit. Jo për kafshëritet kaq të gërditshëm, jo për xhungël, jo për keqpërdorime kaq enorme, e kaq të liga, e kaq të shpeshta.

Por ta lëmë këtë: A i rritet paga vetes, o milet? Ramushi e bëri rrogën e tij 2900 euro, më të lartën në krejt rajonin, ani pse po paguhej nga populli më i varfër në krejt Evropën. A është normal more ky njeri? Kjo është sjellje e një barbare, e një insani të pagdhendur, e një bishe që s’i ka dy trohë mend në krye.

Ama, nëse e këqyr hollë e hollë, nuk ka faj. Rrethohet nga servilë që ia bëjnë rrafsh për secilin vendim e veprim të tij. Për secilën fjalë që e qet prej goje. Sa herë që han m.. e flet palidhje. Sa herë që në kurrizin e qytetarëve të rëndomtë bëri abuzime me pushtet.

Dhe, si të mos mjaftonin këto, po ky Ramush skandalozi, iu dha pare familjeve të të dënuarëve që kishin qenë në Kumanovë për të luftuar kundër një shteti fqinj e me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike, si Maqedonia. Ku po shkon o djalë? Kah ia ke mësy me këto veprime? Ndalu he ta theftë qafën perëndia!

E në fund, dua të përmend veçanërisht këngën e tij. Veç në muajin e fundit, Ramushi e priti në zyrën e kryeministrit një këngëtar të tallavasë si Labinot Tahiri. I ndau dekoratën me emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ramushi ia niste edhe vetë këngës kurdo që e gjente kohën. “O moj Kosovë, o moj bukuroshe” e këngë të tjera patriotike. Kjo, t’iu them të drejtën, ma kujtoi një thënie të Umberto Ecos, shkrimtar i madh italian kur te Varreza e Pragës thotë që “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave”. Goja të lumtë o z.Eco, edhe pse tash nuk jeton më. Ja, Ramush horri i bëri gjithë këto (e shumë e shumë e shumë e shumë e shumë e shumë e shumë të tjera) dhe në fund ia jepte këngës patriotike.

Po zbrit more në tokë, more! Zbrit se s’je ti as për kryeministër e as për kurrgjë! As çoban s’e meriton të jesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat