Kosova rrezikon të futet në krizë institucionale për shkak të Presidentit Thaçi

Politika

Kosova rrezikon të futet në krizë institucionale për shkak të Presidentit Thaçi

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 korrik 2019 Në ora: 17:36
Hashim Thaçi

Pas dorëheqjes së kryeministrit në largim Ramush Haradinajt, do të ishte e dobishme dhe shumë pozitive, sikur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbaheshin në 8 shtator. Madje, data 8 shtator është përmendur gjatë së hënës si opsion për mbajtjen e zgjedhjeve, ndonëse Presidenti i vendit Hashim Thaçi ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret në këtë drejtim.

Gazeta “Bota sot” ka tentuar të marr një përgjigje nga Zyra e Presidencës, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.

Njohësit e çështjeve politike  vlerësojnë se, zgjedhjet Parlamentare për popullin e Kosovës, do të ishin ripërtërije politike për të ardhmen e Kosovës.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë për  “Bota sot” se është e drejtë kushtetuese që presidenti vendit pasi të shpërbehet Kuvendi në koordinim me partitë politike të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj.

Ajo ka vlerësuar se janë afatet ligjore ato që e përcaktojnë afatin dhe datën e zgjedhjeve.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

“Një gjë dihet sigurt se qytetarët duan zgjidhje përmes zgjedhjeve dhe nuk ka rrugë tjetër. PAN dhe liderët e tyre sot, e dikur komandantë në luftë si duket janë të sigurte se kanë humbur ushtarët e tyre në paqe. Madje ata kanë humbur edhe besimin qytetar dhe kanë humbur shpresën se mund të drejtojnë vendin në drejtim të duhur. Ka ardhur koha që lidershipi i ri në vend t’i merr përgjegjësitë dhe detyrimet e shtetit, duke kthyer besimin dhe shpresën për një jetë më të mirë. LDK është në prag të përmbylljes së procesit zgjedhor dhe e gatshme ta drejtojë vendin në rrugën e duhur, kuptohet me votën e lirë qytetare. Po ashtu ka ardhur koha qe komandantet t’i dërgojmë në opozite dhe qytetareve t’u kthejmë besimin ne shtet”, ka thënë deputetja Bunjaku-Rexhepi.

Kelmendi: Zgjedhjet duhet të mbahen vetëm sipas ligjit në fuqi

Kurse njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi ka thënë se në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nenit 95, paragrafi 5, zgjedhjet janë akti i fundit, pas kryerjes se disa veprimeve juridike.

“Thuhet në këtë nen se: "Nëse Kryeministri jep dorëheqje ose për arsye tjera, posti i tij mbetet i lirë dhe qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që e ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë". Andaj me këtë d.m.th se mandatari duhet të sigurojë votat për qeveri. Dhe, nëse nuk i merr shumicën e votave të nevojshme, atëherë Presidenti i Republikës së Kosovës brenda 10 ditëve, pas votimit të parë në afat prej 15 ditëve, emëron kandidatin tjetër. Dhe nëse as herën e tillë nuk zgjidhet Qeveria, Presidenti i shpall zgjedhjet”, ka thënë Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai konsideron se zgjedhjet e tilla duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes dhe kjo është ligjorja.

“Natyrisht se pas konsultimeve me parti, nëse askush nuk pranon mandatin për Qeveri, Presidenti i shpall zgjedhjet e reja, jo me vonë se 40 ditë. Ndërsa, kush do të fitojë në këto zgjedhje është çështje e rezultatit të votave. Dhe nëse i besohet dhe arrihet deri tek koalicioni parazgjedhor midis LDK-së dhe VV-së atëherë këtë mund vetëm një koalicion tjetër, respektivisht partitë në pushtet dhe PSD-ja. Pra duhet një koalicion tjetër parazgjedhor dhe të veprohet me çështje të hapur. Po nëse partitë shkojnë veçmas, atëherë do të kemi një rezultat shumë të paparashikuar. Dhe natyrisht, se AAK-ja është forcuar dukshëm, sikundër edhe opozita parlamentare, megjithatë opozita ka vështirësi, e VV-ja ka mbetur në vend, dhe nuk ka arritur të zgjerohet fare. E kjo natyrisht se ka ndodhur për shkak të politikës jo pragmatike dhe gjendjes që e udhëheq kjo parti në Prizren, pasi LDK-ja ka konflikte të brendshme shumë të thella. Një vistër njerëzish do të bëhen kryetar, ndërsa në aspektin politik nuk ka fare vijë të qartë qeverisëse”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi.

Sipas tij, PDK-ja ka probleme të brendshme, sepse është në pushtet shumë gjatë dhe pothuajse tërë problemet e vendit i ka krijuar.

“Partia e vetme pa probleme dhe shume dashur është AAK-ja , ku me disa veprime, si ushtria, taksa, Trepça, energjia etj, ka fituar në elektorat. Megjithatë problemet mbesin, andaj edhe partitë nuk mendoj se munden vetëm për vetëm pa koalicione parazgjedhore të fitojnë. Mbetët të shihet se cilat koalicione do të ndërtohen edhe pse mundësitë ekzistojnë dhe natyrisht se priten koalicione të ndryshme. Natyra dhe puna e deritashme tregon edhe koalicionet, dhe ato do të ndahen në dy grupe të koalicionit, madje mundet edhe në tri. Por e përbashkëta është se zgjedhjet duhet të mbahen sipas ligjit në fuqi,” ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

Rexhaj: Koalicioni duhet të jetë pa njerëz të korruptuar, pa kriminel, e të akuzuar për hajni, vrasje e krime të luftës

Ndërsa, analisti politik Sali Rexhaj, pret fitore të LDK-së e cila duhet të lidh koalicion pas-zgjedhor me parti të orientimit perëndimor.

Ai konsideron se koalicioni duhet të jetë pa njerëz të korruptuar, pa kriminel e të akuzuar për hajni, vrasje e krime të luftës.

Image
Sali Rexhaj

“Është koha që Kosova të marrë një drejtim të qartë properëndimor, pasi mjaftë kemi vuajtur nga “komandantët” e ndërtuar me rrenë, mashtrime e manipulime. Njerëz gjysmë-analfabet të cilët parësore e kishin pasurimin dhe kapjen e shtetit për interesa personale e klanore. Në këto zgjedhje duhet të mobilizohen qytetaret duke marrë pjesë sa më shumë në zgjedhje, dhe kështu ta marrin fatin e shtetit në dorë”, ka thënë analisti politik Sali Rexhaj.

Mehazi: Zgjedhjet Parlamentare për popullin e Kosovës, do ishin ripërtërije politike

Kurse, njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë se zgjedhjet Parlamentare për popullin e Kosovës do ishin ripërtërije politike, freskuese e me frymosje energjish pozitive për të ardhmen e Kosovës. Kjo për faktin se tani popullata duhet të jetë e kujdesshme se cilën prej partive duhet votuar.

Sipas tij, partitë e komandantëve jo vetëm që nuk duhet qeverisur shtetin, por të njëjtit as që e kanë vendin edhe në parlamentin e Kosovës.

Image
Sulejman Mehazi

“Të tillët vendin e tyre e kanë në Ushtrinë e Kosovës, për të komanduar nëpër kazermat anembanë Republikës, sepse ata janë të aftë për të mbrojtur Kosovën me armë, e jo për të çuar politikë shtetërore e ndërkombëtare. Nuk ngjanë edhe komandant, edhe politikan. Haradinaj, Thaçi, Veseli janë për pushkë, dorën në zemër, ama për politikë janë të tjerët, Vetëvendosja e Kurtit dhe LDK-ja e të ndjerit Ibrahim Rugovës. Popullata e Kosovës duhet t'i jap shansin Albin Kurtit për të udhëhequr shtetin e Kosovës, kjo për faktin se i pamë, i dimë e i njohim mirë komandantët se si e kanë udhëhequr Kosovën deri më tani, katastrofale. Të tillët madje as edhe një liberalizim të vizave nuk kanë mundur ta realizojnë, e mos të presim më, për punët tjera më të mëdha shtetërore”, është shprehur njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Krasniqi: Nëse presidenti Thaçi nuk manovron për hesape të tij, atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme

Ndërsa, politologu Faik Krasniqi, ka thënë nëse presidenti Thaçi nuk manovron për hesape të tij, atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme.

Sipas tij, nëse LDK-në vazhdojnë ta udhëheqin akoma garda e vjetër, është shume pak e besueshme që PDK-ja do të del ne opozite. Por shpresa pastaj ngelet qe Vetëvendosje të del e para ne këto zgjedhje, dhe si parti e pare ka te drejte edhe ta formoje Qeverinë.

Image
Faik Krasniqi

“Vetëvendosje nuk bën koalicion me PDK-në, kështu që PDK-ne do ta kemi ne opozite. Edhe me gardën e re te LDK-se ne krye me Vjosa Osmani do ta kishim PDK-ne ne opozite, por siç thashë edhe me larte, me pleqtë e LDK-se ne krye, PDK-ja gjithmonë do te jete ne pushtet”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Shahu: Kosova duhet të shpëtoj njëherë e përgjithmonë prej komandantëve haraçista
Ndërsa analisti politik Rexhep Shahu ka thënë se, Kosova duhet të shpëtojnë njëherë e përgjithmonë prej komandantëve haraçista.

“Besoj se nuk do të shalojmë kuajt e mohimit të sakrificës së shqiptarëve për lirinë. Po ashtu besoj se do të shpëtojmë prej komandantëve të pasluftës, sepse ata kanë qenë shëmtia e Kosovës dhe shpresojë që Kosova të mos bjerë në duart e ideologësh islamistë që promovojnë shamiat e brukat në emër të lirisë”, ka thënë analisti politik Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat