Kush na jeni ju që po shiteni si çlirimtarë?

Politika

Kush na jeni ju që po shiteni si çlirimtarë?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 23 korrik 2019 Në ora: 20:19
Hashim Thaçi Ramush Haradinaj Kadri Veseli

Gjykata Speciale e intensifikoi ditët e fundit aktivitetin e saj. Po fton gjithnjë e më shpesh dëshmitar, të cilët me kukatje e mburrje përzier, po na e trazojnë lukthin e po na qesin prej terezisë.

Po pse more pse duhet t’i përjetojmë rishtas të njëjtat gjëra? Prapë Ramush Haradinaj del e na tregon se sa shumë ka vuajtur e po vuan. Një multimilioner. Pse vuajtja e tij, dhe e sojit të tij, duhet të jetë më e rëndësishme se dhimbja ime e dhimbja jote? Po ecë koha, po ecë krejt jeta, e këta vazhdojnë të na sillen sa andej e sa këndej si çlirimtarë, si njerëz të sakrificës, si njerëz që duhet t’i shohim derisa të na marrë vdekja.

A e bëjnë mend këta njerëz se 20 vjet kohë ia humbën vendit, qytetarëve të vendit, një pjesë e mirë e të cilëve nuk ka kurrfarë perspektive. Shumë prej këtyre të rinjve punojnë për 200 e 300 euro. A e bëjnë mend se si do të martohen, se si do të bëjnë e mbajnë fëmijë këta të rinj, se si do të shkollohen, se çka do të hanë e do të pinë? Po kujt i han palla që gjithë jetën t’i dëgjojë këta derisa herë kukasin e herë mburren, për ato që ndodhën për një vjet e gjysmë. A i intereson Haradinajt dhe njerëzve të sojit të tij, se si jeton një njëzet vjeçar i shtresës së shtypur të shoqërisë? Me fare pak të ardhura. A s’është kjo sakrificë?

Po na i përdhunoni nervat me luftën tuaj, me sakrificën tuaj. Edhe në luftë, s’është që vetëm ju e pësuat. Çlirimi nuk na erdhi se ju guxuat t’i kapnit armët, por bukfalisht na erdhi se neve na dëbuan forcat serbe, se ju nuk na mbrojtët ani pse quheshit ushtarë, se na masakruan, se na përdhunuan, se na i futën ethet në bark. Ku ishit ju atëherë? Në atë vakt, për një pjesë të madhe njerëzish ishte më kollaj të kishte një armë në dorë se të ishte i paarmatosur.

A e dinë more këta njerëz që ekziston jetë edhe përtej sakrificave të tyre? Na e gërditët me luftë, e me sakrificë, e me gjithçka.

E keni shkatërruar shëndetësinë, gjyqësinë, sportin, kulturën, e më e rëndësishmja ekonominë. Ju jeni multimilionerë vetë, dhe s’iu vjen marre që edhe vuajtjen tonë po na e vidhni. Po e bëni të parëndësishme. Po kush mendoni more se iu duron juve krejt jetën? Unë pas dhjetë vitesh do t’i kem 41. Një 41 vjeçar pas 10 vitesh do t’i ketë 51. Po ju s’po plakeni more iu hëngshin shtatëqind.

Dhe, si të mos mjaftonte kjo, po dilni e po krekoseni “Ne jemi Kosova.” Ik atje more rod i keq, çfarë Kosove jeni ju. Ju jeni 1 për qindëshi i këtij mileti të shtypur e të vrarë. Ju jeni bërë bash si ata që dje na rrihnin rrugëve. Ju s’keni asnjë lidhje të vetme me fatin e vendit. Ju keni privilegje që i gëzoni çdo ditë të lume.

Nuk po iu përndjek askush tjetër juve përpos drejtësisë. Nëse vërtetohet që nuk keni faj nuk do të hyni në burg. Nëse ka prova se keni faj, e bajshi me shëndet. Por, ju po mbroheni me paratë tona, more hajvanë të trashë. Me paratë e mia, me paratë e njerëzve të tjerë si unë që punojnë natë e ditë që të sigurojnë MBIJETESËN. Ndoshta krejt jeta ime nuk vlen sa 10 minuta të jetës suaj. Se ju keni jetë cilësore. Alamet pasurish e katandish. E prapë, unë jam ai që do të paguajë për gjykimin tuaj në Hagë. Unë jam ai që do t’i paguajë seancat gjyqësore e avokatët. E unë jam ai që detyrohet të iu dëgjojë derisa flisni si të ishit viktima e si të ishit të hequr keq. Unë, i hequri keq iu dëgjoj juve milionerëve që flisni se si ju jeni të hequr keq. E çka jam unë? E çka jemi ne?

Jo, ne për juve as që ekzistojmë. Ju s’keni trohë respekti për dinjitetin dhe integritetin e njerëzve të thjeshtë. Ju s’i bëni hesap dhimbjet e shtypjet e të gjithë neve bashkë. Ju jeni njerëz që meritoni të dënoheni bash për këtë shkak: Se na e keni vjedhur të tashmen e të ardhmen. Se po na i shkërdheni nervat. Se po na mbysni me idiotësira. Se po na sundoni egërsisht.

Shporruni prej këndej. Thyeni qafën se nuk iu duam! Na keni ardhur te hunda, bre rod i keq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat