Letër e hapur Kadri Veselit: Dilni në opozitë se na mbytët

Politika

Letër e hapur Kadri Veselit: Dilni në opozitë se na mbytët

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 25 korrik 2019 Në ora: 19:39
Kadri Veseli

Përshëndetje zoti Veseli. Unë jam Valon Rogova, me profesion gazetar tash e gati dhjetë vjet.

Po të shkruaj sepse partia që ju e udhëhiqni, PDK-ja, po iu promovon qe dy vjet si kryeministër të ardhshëm të vendit tim.

Ti z. Veseli u fute në skenën tonë politike para shtatë vitesh, në 2012-n. Depërtove në mënyrë të pazakontë: Nga nëntoka ku ishe futur e drejt e në studiot kryesore televizive të kanaleve tona.

Duke marrë parasysh zhvillimet politike në vend, e të cilat në mënyrë direkte do ta përcaktojnë fatin tim, vendosa që t’iu drejtohesha me këtë letër të hapur.

Çka bënit ju z. Veseli nga viti 1999 e deri në vitin 2012? Me çka merreshe e si e siguroje bukën e gojës? Ju keni thënë se ishit shef i Shërbimit Informativ të Kosovës [ShIK], por kush e legjitimoi aktivitetin tuaj? Cilat ishin prioritetet dhe të arriturat e këtij shërbimi? A mbani përgjegjësi për vrasjet e pasluftës?

Ju e keni obligim të ndjeni përgjegjësi ndaj qytetarëve që mësyni t’i udhëhiqni? Pse duhet t’i besojmë dikujt që në kohët më të vështira të vendit, kur u vranë shumë zyrtarë të partisë opozitare, ishte i mbuluar me mister e hije të errëta?

Ndoshta edhe këto pyetje mund t’i shmangnim sikur periudha 1999-2012 të ishte e qetë, e qytetarët të kishin jetuar në prosperitet dhe paqe. Por jo. Përveç vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së, patëm trazirat ndëretnike të marsit 2004. Patëm po ashtu, vjedhjet industriale për PDK-në në zgjedhjet e vitit 2011. Ku ishit ju kur ndodhën këto ngjarje?

A jeni i vetëdijshëm z.Veseli për keq-qeverisjen dhe skandalet e bëra nga zyrtarët e lartë të partisë suaj? A jeni të vetëdijshëm se 60 për qind e të rinjve në Kosovë janë të papunë? Se mbi 10 për qind jetojnë në varfri ekstreme? A e dini çka është varfëria ekstreme? Po iu tregoj: të mos i kesh as 1 euro e 20 cent në ditë.

Pranojeni z.Veseli që ju nuk e keni asnjë plan prapa. Nuk keni asnjë vizion për zgjidhjen e problemeve që po na lënë pa të ardhme, të gjithë neve të rinjve. Pranojeni edhe që nuk keni asnjë të përbashkët me shumicën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. 

Natyrisht, ju nuk do t’i përgjigjeni letrës sime të hapur, sepse jetoni të izoluar nga qytetarët e pa perspektivë. Nuk keni lidhje me ta. Nuk iu flisni. I përçmoni bile.

E prandaj, unë si qytetar i këtij vendi, iu kërkoj të dilni në opozitë në mënyrë që vendit t’i kthehet shpresa e t’i kthehet perspektiva.

Me sinqeritet,

Valon Rogova

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat