Edhe pse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje, ai ka thirrur mbledhjen e qeverisë.
Njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë se vendimet e qeverisë në rënie nuk kanë validitet, kështu edhe e shpjegon edhe neni 95.5 i Kushtetutës.
“Kjo qeveri ka dhënë dorëheqje dhe nuk ka validitet me nxjerr asnjë vendim kjo e ka pas, kjo punë u krye me dorëheqje neni 95.5 e thotë qartë me dorëheqje të kryeministrit bie qeveria çdo veprim, mbledhje, nxjerrje vendimi është i pa ligjshëm”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Po ashtu, ai është shprehur se PAN në një afat të shkurtër kohorë duhet të bëjë propozimin për mandatarin e ri.
“Kjo mund të bëhet shumë lehtë shqyrtim për gjykatën kushtetuese në afatin më të shkurtër kohor PAN duhet me u deklarua se nuk ka propozim tjetër për mandatar të ri, për këtë duhet të njoftohet presidenti dhe pastaj duhet të shpërndahet Kuvendi dhe të caktohen zgjedhjet e jashtëzakonshme në afat prej 45 ditëve”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.
Për më tepër, Burjani ka potencuar se veprimet e kësaj qeverie janë të dëmshme juridikisht.
“Tentativa për të aktruar rolin e kryeministrit dhe ministrave është e dëmshme juridikisht është në kundërshtim me vullnetin demokratike të qytetarëve. Kjo qeveri e ka përfunduar misionin e vet”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot” .