Gjykata Speciale, rruga drejt zbardhjes së vrasjeve politike dhe pastrimit të luftës së UÇK-së

Politika

Gjykata Speciale, rruga drejt zbardhjes së vrasjeve politike dhe pastrimit të luftës së UÇK-së

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 korrik 2019 Në ora: 08:07
Selia e Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale po e “pastron” UÇK-në nga personalitetet që janë veshur me petkun e ushtarit për të përfituar në mënyrë dinake me vrasje, haraçe e linçime ndaj të tjerëve.

Deri më tash është cekur vazhdimisht se Gjykata Speciale do t`i hetojë edhe vrasjet e kundërshtarëve politik.

Zogaj: Me drejtësinë e Speciales, Kosova shpërlahet nga hipoteka e krimeve

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Zogaj, ka thënë se luftërat gjithmonë janë me pasoja të mëdha sepse, shkaktojnë dëme të mëdha nga të cilat humbja e jetës së njerëzve është më e rënda dhe më e pafalshmja.

Sipas tij, edhe lufta çlirimtare e Kosovës, fatkeqësisht manifestoi dobësi të jashtëzakonshme, me pasoja të pariparueshme. Kjo për faktin se pas humbjeve nga okupatori serb, iu shkaktuan plagë të thella edhe nga veprimet e dobëta të brendshme, siç ishin vrasjet politike, që kishin fuqizimin e strukturave të grupeve kriminale.

“Bilanci është tepër tragjik, sepse flasim për rreth 700 vrasje të burrave dhe grave që u është marrë jeta vetëm pse kanë menduar ndryshe nga profiterët e luftës. Nga të këtillët është dëmtuar lirua dhe pavarësia e Kosovës, është njollosur gjaku i shenjt i derdhur për çlirimin e vendit dhe janë damkosur krye vlerat e shtetit e të historisë së Kosovës, siç është UÇK-ja me mbi 30 mijë veteranë të falsifikuar, mashtrues ordinerë”, ka thënë Zogaj.

Ai konsideron se të tillët, ka qenë rendi që të zbulohen dhe marrin dënimin e merituar nga drejtësia vendore, por kjo nuk ka ndodh dhe, tash, e vetmja shpresë mbetet Gjykata Speciale.

“Shpresa është se do të ndodh pastrimi duke i zbardhur krimet dhe duke i dënuar kriminelët. E konsideroj shembull të mirë dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, i cili pati kurajon që në Hagë të shkoj për të dhënë llogari si qytetar e jo si kryeministër. Nëse Gjykata Speciale e kryen punën mesatarisht mirë, përfitohet shumë, sepse Kosova shpërlahet nga hipoteka e krimeve që kanë ndodhur dhe që duhet të marrin dënimin e merituar”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Haziri: Askush nuk do të dënohet pa fakte

Image
Ismet Haziri

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, ka thënë sa i përket Gjykatës Speciale,  së pari kemi të bëjmë me dështim moral, politik, juridik dhe historik.

Sipas tij, Kosovës edhe ashtu me një qëndrueshmëri të brishtë, i është shtuar edhe barra e qëndresës dhe të menaxhimit edhe të kësaj situate.

“Në këtë situatë është shumë e rëndësishme qasja qytetare dhe bindja e tyre se si Kosovë nuk ka ra në lajthitje, se caku i Gjykatës Speciale nuk qenka të supozuarit si të korruptuar, por lufta, liria dhe Kosova. Ky është një paragjykim që mbretëron në shumicën e taborëve. Pra ekziston një bindje se po ndodh një padrejtësi e madhe dhe kjo i bie sikur që në Gjykatën e Nurnbergut të u ulshin në karrigen e të akuzuarit hebrenjtë e jo nazistët. Por, ne duhet të jemi racional dhe pragmatikë. Duhet të nisemi nga faktet që i kemi. 1. Se Gjykatën speciale e kemi produkt të parlamentit tonë me 2/3 e deputetëve që kanë dalë nga vota e popullit, 2. Se ndërgjegjja mbetet e vrarë nëse nuk ndodhë vënia e drejtësisë ne vend, 3. Se është e vërtetë se kanë ndodhur vrasje me karakter politik dhe se nga këto vrasje ma së shumti ka pësuar LDK si lëvizje që i ka prirë popullit gati për një dekadë para luftës dhe 4. Se këto vrasje kanë tendencë të njollosjes se luftës së UÇK dhe se UÇK-ja është e tërë Kosovës, prandaj nga këndvështrimi im, konsiderojë se gjërat duhet të pastrohen”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, populli shqiptar ka sakrifikua shumë për liri, sepse liria është rezultat i sakrificës së brezave që sublimohët me luftën e drejtë dhe me jeta të shumë djem e vajzave, burra e grave, prandaj lufta duhet të jetë edhe e pastër.

“Ne as nuk mundë të supozojmë e as të paragjykojmë për askënd qe e fton drejtësia, jam i bindur se secili që do ulet aty do të përballet me drejtësinë. Kam besim se pa fakte askush nuk do të dënohet, por edhe nëse dënohen, e rëndësishme mbetet që dënimet të jenë individuale, duke e ruajtur krenarin dhe luftë të drejtë e të pastër të UÇK. Normal, dënimi eventual i drejtë i ndonjërit nga të akuzuarit, do ta pastronte vlerën e lirisë, luftën e shenjtë dhe njësisht do ta çlironte Kosovën nga barra e përgjegjësisë kolektive për krimet e supozuara”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

Shahu: Gjykata Speciale mund t'i bëjë një shërbim madhështor UÇK-së

Ndryshe analisti politik Rexhep Shahu, konsideron se Gjykata Speciale mund t`i bëjë një shërbim

Image
Rexhep Shahu

madhështor UÇK-së, duke e pastruar nga ata të cilët kanë bërë abuzime e krime në emër të UÇK-së, vrasje e vjedhje në emër të saj, si padrejtësi në emër të uniformës.

Megjithatë sipas tij, Gjykata Speciale duke e larë ‘ergjin”, mundet ta pastrojë e t'ia kthejë dinjitetin krenarinë e madhështinë UÇK-së, e cila nuk ka qenë aspak strukturë banditësh, por rritja më madhështore e shqiptarëve.

“Unë besoj se Gjykata Speciale do ta pastrojë fytyrën e UÇK-së,  që ia ka fëlliqur ndonjë komandant i pasluftës, por jo të gjithë që luftuan me dinjitet dhe si heronj”, ka thënë analist politik Rexhep Shahu.

Krasniqi: Ata që mendojnë se Gjykata Speciale do e pastrojë Kosovën nga kriminelet të veshur me petkun e politikanit janë naivet më të mëdhenj

Image
Faik Krasnqi

Politologu Faik Krasnqi, ka thënë se Gjykata Speciale është gjykatë politike dhe etnike, pasi me krijimin e kësaj Gjykate, Kosovës gjithmonë do t'i mbetet një njollë e zezë.

Sipas tij, kjo Gjykate është krijuar për t'i barazuar krimet serbe, kinse ata ju kanë vrarë juve, e ju i keni vrarë ata dhe se jeni baras.

“Se sa serioze është kjo Gjykate, tregon ftesa ndaj një ish "veterani" që në kohën e luftës ka qenë 8 vjeçar. Dikush që mendon se Gjykata Speciale do e pastrojë Kosovën nga kriminelet të veshur me petkun e politikanit, ose do ja pastrojë fytyrën e UÇK-së nga veprimet kriminale të pjesëtarëve të tyre, janë naivet më të mëdhenj. Sepse me këtë ne e dëshmojmë që jemi një popull frikacak, dhe presim nga të tjerët që të na pastrojnë skenën politike nga kriminelët që e kanë kapur shtetin për fyti”, ka thënë politologu Krasniqi.

Ai më tej ka shtuar se populli është ai që i largon këta kriminelë nga politika, qoftë me votë ose me revoltë gjithë popullore.

“Janë organet e drejtësisë që t'i dënojnë për krimet që i kanë kryer, qofshin krime politike ato, apo qofshin ekonomike. Drejtësia s'mund të shkapet pa i shporrur këta banditë e kriminelë nga politika”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat