Hashim Thaçi po “peshkon” në ujëra të kundërta me caktimin e datës së zgjedhjeve

Politika

Hashim Thaçi po “peshkon” në ujëra të kundërta me caktimin e datës së zgjedhjeve

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 korrik 2019 Në ora: 19:52
Hashim Thaçi

Situata aktuale politike në vend nuk është e favorshme. Që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit të Kosovës ende nuk ka asnjë hap nga Presidenti i vendit, për caktimin e datës për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidentit, thuhet se Presidenti do t’i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Mirëpo, partitë politike po presin ndonjë reagim konkret lidhur me këtë situate aspak të lehtë. Ata kanë edhe qëndrimet e tyre rreth kësaj situate të ‘komplikuar’ në vend.

Nëse nuk ka caktim të datës së zgjedhjeve partitë politike do të kërkojnë shpërbërjen e Kuvendit që të shkohet në zgjedhje sa më parë që vendi të dale nga ky kolaps.

Komunikata e Presidentit

Në bazë të një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj komunikate, duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore. Prandaj, çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore.

Tutje në komunikatë thuhet se, Presidenti i Republikës së Kosovës i siguron gjithë qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit.

Kajtazi: Thaçi më së paku orientohet në zgjidhjet e arsyeshme dhe të shëndosha për vendin, po peshkon në ujëra tjera

Image
Lirije Kajtazi

Deputetja e Lidhjes Demokratike, Lirije Kajtazi për “Bota sot” ka thënë se, duke njohur z. Thaçi e dimë se ai më së paku orientohet në zgjidhje të arsyeshme dhe të shëndosha për vendin. Sipas saj, LDK është e vendosur në atë se vetëm zgjedhjet e reja janë zgjidhja.

“Ai po peshkon në ujëra tjera. Dhe zgjidhja e mirë do të vinte në një sistem zgjedhor ndryshe, ndërsa kështu dhe me lakun që ia pati vënë gjykata kushtetuese që i pari bënë driblingje pa kufi, zor të besojmë në të mirën. Zgjidhja prapë mbetet tek qytetarët, kur ata vërtetë votojnë lirshëm”, ka thënë deputetja Kajtazi.

Millaku: ”Ujku donë mjegull”, edhe Hashimit po i konvenon kjo situatë

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot” ka përdorur një fjalë popullore që thotë , ”ujku don mjegull”, sipas saj edhe Hashimit po i konvenon kjo situatë dhe po mundohet të bëjë manovra, megjithatë nuk ka rrugëdalje tjetër përveç se ta caktoj datën e zgjedhjeve.

“Nëse edhe këtë javë nuk e cakton datën e zgjedhjeve atëherë do të mblidhet parlamenti që të shpërndahet dhe marrin fund kalkulimet e Thaçit dhe të PDK-së”, përfundoi Millaku.

Bytyçi: Thaçi sytë i ka te LDK, për ta bërë qeverinë

Image
Enver Bytyçi

Profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot” ka thënë se, dorëheqja e Haradinajt e ka zënë Thaçin në një farë mënyre në befasi. Thaçi nuk kishte dëshirë në këtë moment që Kosova të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Kjo sepse Partia Demokratike e Kosovës ndodhet në kuotat më të ulëta elektorale dhe në zgjedhjet e parakohshme besohet se do të kalojë në vendin e katërt, pas Lidhjes Demokratike, Vetëvendosjes dhe AAK-së.

“Ulja e kreditove elektorale të PDK-së erdhi si rezultat i mbështetjes që themeluesi i kësaj partie, përkatësisht presidenti i Kosovës, i bëri projektit të Serbisë së Madhe përmes ndarjes së Kosovës ose shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve. Në një garë elektorale PDK do të ishte e dështuar dhe pas dështimit me shumë mundësi fajësia do të kërkohet te Hashim Thaçi. Nuk ka ndodhur ndonjë rast tjetër në historinë politike, kur themeluesi i një partie bëhet shkaktar i fundosjes së saj të pashmangshme, si në rastin e zotit Thaçi me Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Bytyqi.

Ai thotë se, për këto arsye që përmenda presidenti i Kosovës po përpiqet të manipulojë me qëllim që vendi të mos shkojë në zgjedhje parlamentare.

“Për këtë qëllim ai me veprime nëntokë e mbi tokë po kërkon aleatë të rinj në qeverisje. I është drejtuar Lidhjes Demokratike, sepse këtë parti e ka gënjyer dhe e ka zhgërry sa herë ka dashur. Mendon se me LDK-në realizon shumë lehtë projektin serb të ndarjes së Kosovës. Në fund të fundit njerëzit e LDK-së janë më të shumtët që e kanë përkrahur atë në këtë ide të çmendur antishtetërore, anti kombëtare. Por Lidhja Demokratike është në një proces. Megjithatë Thaçi sytë i ka te kjo parti, nëse kemi parasysh se ai ka thënë se do të fillojë konsultimet në fillim të gushtit. Kemi parasysh se me 4 gusht mblidhet Kuvendi i LDK-së për të zgjedhur kryetarin e ri të saj. Presidenti shpreson se në krye të kësaj partie do të vijë ndonjë politikan si Thaçi. Nëse ndodh kjo, unë kam mendimin që Lidhja Demokratike të bashkohet me Partinë Demokratike dhe të dyja të përballen bashkë me elektoratin e Kosovës”, shprehet Bytyqi.

Sipas tij, Hashim Thaçi synon të thërrasë në koalicion në vend të AAK-së, e cila tashmë duket se do të jetë opozitë, ndonjë parti tjetër që plotëson numrat për një qeveri tjetër të dominuar nga Thaçi dhe PDK.

“Po ta pranojë këtë ofertë ai merr edhe Albin Kurtin në këtë koalicion. Por, Kurti e ka shumë të vështirë të ndryshojë 180 gradë kursin e politikës së tij. Edhe Partia Socialdemokrate e ka të vështirë t’i bashkohet PDK-së. Të dyja këto nuk do të pranonin të nxirrnin një qeveri të re me votat e Listës Srpska, pa të cilën Thaçi nuk do të krijonte qeveri. Për të gjitha këto arsye besoj se nuk do të ketë një qeveri të re pa Haradinajn dhe AAK-në. Prandaj besoj se Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Për të caktuar datën e zgjedhjeve presidenti do të fillojë konsultimet pas zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike, e cila mendoj se do të ketë në krye të saj një personalitet politik me përvojë dhe të aftë e me integritet për ta kundërshtuar me vendosmëri dhe argumente idenë serbe të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës. Pas mandatit të presidentit ai paralajmëroi kthimin e tij në PDK, ndonëse ishte zotuar se nuk do të merrej me politikë pas kësaj. Kjo do të thotë se ustai në Beograd nuk e lejon të largohet nga politika. Ende nuk e ka çuar deri në fund misionin e tij pro-serb e kundër Kosovës”, përfundoi Bytyqi.

Burjani: Presidenti do t’i ftoj partitë politike vetëm kur PAN-i së paku me shkrim deklaron se dorëzon mandatin

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike në vend, Blerim Burjani, ka thënë se, PAN-i duhet të deklarohet se nuk dëshiron më tutje të vazhdoj mandatin e qeverisjes të lënë në gjysmë.

Sipas tij, Presidenti nuk ka nevojë të nxitoj në këtë temë, presidenti do t’i ftoj partitë politike vetëm kur PAN-i së paku me shkrim deklaron se dorëzon mandatin pastaj presidenti i thërret partitë politike për të shpërnda kuvendin dhe cakton datën e zgjedhjeve.

Sipas tij, PAN-i brenda afatit 60 ditësh duhet të njoftoj me shkrim se nuk do te vazhdoj qeverisjen, presidenti duhet të emëroi edhe dy anëtar të KQZ-së për plotësuar atë.

“Njëherë si duket se ekziston një heshtje apo pritje edhe të ndonjë opsioni nga ndërkombëtarët nëse veç ka, apo përpjekjet janë që të propozohet nje modalitet kalimtar, qeveri teknike, ose ripërtrirje të mandatit të PAN-it, nëse AAK nga PAN atëherë i bashkohet ndonjë subjekt tjetër opozitar”, ka thënë për “Bota sot” Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat