PDK-së i kërkohet që të shkojë në opozitë

Politika

PDK-së i kërkohet që të shkojë në opozitë

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 29 korrik 2019 Në ora: 18:56
LDK-VV

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, duke filluar nga kjo javë do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar.

Sipas njoftimit për media, Presidenti i vendit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndonëse, ende ftesat nuk u janë dorëzuar partive politike për konsultimet me Presidentin Thaçi, zyrtar të lartë nga partitë politike janë deklaruar për “Bota sot”, rreth synimeve apo nëse kanë ndonjë vijë të kuqe për partitë që do të mund të ndodh koalicioni.

Sikurse edhe herëve të kaluara LDK dhe Vetëvendosje duket se i kanë vendosur vijë të kuqe PDK-së për koalicion.

Gecaj: PDK duhet të jetë vija e kuqe e të gjithave

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, për “Bota sot”, ka thënë se është vota e popullit që do të përcaktojë qeverisësit e ardhshëm të Republikës së Kosovës. Ai, ndër të tjera vijoi duke thënë se nëse LDK-ja do të ketë vijë të kuqe, pashmangshmërisht kjo vijë duhet të jetë për PDK-n.

“Është vota e popullit që do të përcaktoj qeverisësit e ardhshëm të Republikës së Kosovës. Unë personalisht besoj se në politikë nuk duhet të vendosen vija të kuqe. Megjithatë, LDK, por edhe partitë tjera duhet të kenë nga një vijë të kuqe për PDK-në, në qeverisjen e re”, tha ai.

Më tej, Gecaj, shtoi se kjo sjellje është e imponuar nga vetë PDK-ja për shkak të sjelljeve të saj dhe mënyrën e qeverisjes në qeveritë e mëparshme.

“Kjo sjellje është imponuar nga vet PDK-ja me mënyrën e tyre të sjelljes gjatë qeverisjeve të pasluftës. Është e shëndetshme për PDK por edhe për vendin që PDK-ja të shkoj në opozitë, e që ç’kapjes së shtetit t’i jepet shansi. Opsionet tjera duhet të mbesin të hapura, sepse, siç e thashë më lartë, vota e popullit duhet të jetë determinuese”, tha ai.

Krasniqi: Fokusi i PDK-së është tek përgatitjet për zgjedhje

Image
Memli Krasniqi

Nga ana tjetër, Memli Krasniqi, deputet si dhe zyrtar i lartë në PDK, për “Bota sot”, theksoi se PDK-ja është e fokusuar që të paraqiten me kandidat të cilët përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

“Fokusi i PDK-së është tek përgatitjet për zgjedhje dhe preferenca ynë është që të garojmë me një listë të kandidatëve që përfaqëson më së miri pritjet dhe interesat e qytetarëve”, tha ai.

Ai, po ashtu theksoi që tash për tash nuk ka diskutime për koalicione.

Kuçi: PSD është gati

Image
Natyra Kuqi

Natyra Kuqi, zëdhënëse e PSD-së, për “Bota sot”, tha se PSD-ja, është duke punuar ngushtë me strukturat e partisë dhe organet e saj për zgjedhje.

“PSD është përgatitue edhe është duke punuar me të gjitha strukturat e organet e saj për zgjedhje”, tha ajo.

“Nuk kemi pasur ende takime zyrtare rreth koalicioneve të mundshme”, potencoi ajo.

Muja tregon sfidat e qeverisjes së ardhshme

Image
Armend Muja

Publicisti dhe njohësi i rrethanave politike, Armend Muja, për “Bota sot”, ka thënë se qeveria e ardhshme duhet ta heq taksën ndaj produkteve serbe, të zbatoj Asociacionin e Komunave Serbe dhe të bashkëpunoj ngushtë me Gjykatën Speciale, shkruan “Bota sot”.

“Qeveria e ardhshme, me apo pa shkuar në zgjedhje, do të përcaktohet mbi bazën e gatishmërisë për të zbatuar dhe përafruar qëndrimet me faktorin ndërkombëtar në këto çështje: dialogun me Serbinë, heqjen e taksës 100%, zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe, bashkëpunimin me Gjykatën Speciale dhe reformave strukturore që rëndojnë vendin”, tha ai.

Më tej, Muja, pohoi që është e rëndësishme që Qeveria e ardhshme të instaloj një gjuhë të komunikimit të ndershëm me qytetarët e vendit. Për shkak të – siç shprehët ai – toksinave të populizmit që u instaluan këto dy vitet e fundit.

Muja, theksoi se Kosova duhet të kuptojë që subjektiviteti i saj është ndërkombëtar është i rënduar nga mosnjohja e gjysmës së vendeve të botës si dhe vendeve që i përkasin BE-së.

“Është e udhës që Qeveria e ardhshme të instaloj një gjuhë të komunikimit të ndershëm me qytetarët e vendit. Kjo është me rëndësi pas toksinave të populizmit të instaluara këto dy vitet e fundit dhe gënjeshtrave të vazhdueshme në aspekte esenciale. Kosova duhet të kuptoj që subjektiviteti I saj ndërkombëtar është i rënduar nga mosnjohja e gjysmës së vendeve të botës, mosnjohja e nga disa vendeve anëtarë të BE-së. Këto aspekte e bëjnë pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia të domosdoshëm. Pranimi i pavarësisë nënkupton koncesione. Kjo është një situatë që do të rëndojë mbi secilën parti politike në Kosovës, dallimi i vetëm mund të jetë që disa nuk tregojnë realitetin”, tha Muja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat