Përpjekjet e Thaçit për ta ndalur fundin e PDK-së - Bota Sot
Përpjekjet e Thaçit për ta ndalur fundin e PDK-së

Politika

Përpjekjet e Thaçit për ta ndalur fundin e PDK-së

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 korrik 2019 Në ora: 08:15

Shteti i Kosovës mund të hyj në një krizë të thellë politike, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Kjo, për faktin se ende nuk është e qartë se si duhet të vijohet më tutje për ta shmangur krizën. Presidenti dhe kreu i Kuvendit po bëjnë “garë”, me njëri tjetrin se cili do t`i thërras subjektet politike për konsulta pas situatës së krijuar. Derisa Presidenti Thaçi ka ftuar subjektet në takim për këtë javë, Veseli po ashtu ka thënë se do t`i thërras subjektet politike për caktimin e seancës për shpërndarjen e Kuvendit.

Përfaqësues të partive politike dhe analistët konsiderojnë se fajtori kryesor për gjendjen e krijuar është Presidenti Thaçi, të cilit sipas tyre i konvenon kriza, për t`i quar përpara kauzat e jashtme.

Zogiani: Kam frikë se këta nuk e lëshojnë vendin pa një presion popullor

Image
Avni Zogiani

Avni Zogiani nga VV, ka thënë se me veprimet e veta Thaçi është futur në një ndërmarrje të huaj politike, që ka për qëllim ta përdor sistemin politik të Kosovës për të sjell marrëveshje të dëmshme në emër të popullit.

“Kam frikë se këta nuk e lëshojnë vendin pa një presion popullor, sepse këtu nuk flitet më për funksionim të kushtetutës apo ligjit, por për një imponim të një strukture të kapur politike që punon kundër interesave të vendit”, ka thënë Avni Zogiani.

Rrahmani: Asnjëri nga tri institucionet kryesore nuk mund të shfajësohen për situatën në të cilën tash gjendet vendi

Image
Imet Rrahmani

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani, ka thënë se kjo situatë e rëndë politike është kulmi i një udhëheqjeje aspak të dobishme për vendin në këto dy vitet e fundit.

Sipas tij, asnjëri nga tri institucionet kryesore, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi nuk mund të shfajësohen për situatën në të cilën tash gjendet vendi. Krijimi i kauzave të paqëndrueshme është specialitet i partive që qeverisën me vendin këto dy vite.

“Bile me kauza të tilla edhe morën pushtetin, e kauza e "viktimizimit" është vetëm akti i fundit që po e luan PAN-i në luftën për ruajtjen e pushtetit me domosdo. Edhe zvarritjet e shpalljes së datës së zgjedhjeve janë në funksion të shtyrjes për sa të jetë e mundshme të ditës së ballafaqimit me të vërtetën, e ajo është, se këto parti e kanë humbur besimin te qytetarët dhe ata do të ndëshkohen në zgjedhjet e radhës. Natyrisht se partnerëve në koalicion do tu faturohet ndëshkimi njësoj, por efekti do të përjetohet më rënd te ata që me vite udhëhiqen me vendin”, ka thënë deputeti i LDK-së Imet Rrahmani.

Millaku: Fundi i PDK-së dhe mafias po vjen

Image
Drita Millaku

Kurse, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku ka thënë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e kanë kapur shtetin në të gjitha segmentet e tij.

Sipas saj, shkuarja në zgjedhje nuk është në përputhje me interesat e tyre, prandaj dhe i ka zënë paniku dhe po bëjnë përpjekje për të mos shkuar në zgjedhje, sepse e kanë nuhatur se ky është fundi i tyre.

“Vlen të theksohet se janë dy arsye bazë se përse nuk dëshirohen këto zgjedhje dhe atë frika se me shkuarjen në opozitë të PDK-së do të dalin në shesh skemat e mashtrimit, zhvatjes dhe vjedhjes që i është bërë buxhetit dhe shtetit të Kosovës në përgjithësi dhe e dyta është detyrimi që e kanë marrë këta lider për të quar përpara marrëveshjen për kufijtë marrëveshjen për kufijtë me Serbinë, shkurt fundi i PDK-së dhe mafies po vjen”, ka thënë deputetja Drita Millaku.

Makolli: Të gjithë janë për zgjedhje

Image
Vesel Makolli

Nga ana tjetër sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli, ka thënë se kjo mos qëndrueshmëri e qeverisë deri në përfundim të mandatit të fituar nga vota e sovranit-popullit, është duke na ndjekur qysh nga fillimi i shtetësisë tonë.

Sipas tij, asnjë qeveri deri më tani nuk i ka shkuar deri në fund mandatit, e po ashtu edhe asnjë palë zgjedhje nuk janë pranuar në plot kuptimin e fjalës nga te gjithë komfor rregullave demokratike.

“Qysh nga shpallja zyrtare e zgjedhjeve nga KQZ-ja partitë që nuk kanë qenë në taborin fitues, kanë filluar me angazhimin e tyre për rrëzimin e qeverisë duke mos respektuar kështu as rregullat e demokracisë perëndimore. Partitë e opozitës në vend që të kontribuojnë në të mirë të qeverisjes sa më të mirë dhe efektive të vendit duke shërbyer si një lloj mbikëqyrje dhe kritikuese e pozitës ato më shumë janë marr me krijimin e kushteve për largimin sa më të shpejt të qeverisës ( duke kërkuar zgjedhje te jashtëzakonshme thuajse në start të qeverisjes). Në rastin që gjendemi pas dorëheqjes se kryeministrit Ramush Haradinaj kemi të bëjmë me një situatë të veçantë që decidivisht nuk parashihet as me kushtetutë , apo aktet tjera ligjore”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, duke u bazuar në numrat në kuvend, situatën dhe disponimin e partive politike , zgjidhja e vetëm që shihet është shkuarja e vendit ne zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur, se kemi vetëm dy kohë ne jetë “tani” dhe “shumë vonë” andaj ne duhet te ndërmarrim masa që mos të mbetemi vonë . Është gabim i madh dhe non-sens politik që ky moment të manipulohet për interesa partiake, pasi që pikërisht atyre që tentojnë ta shfrytëzojnë këtë sitat për interesat e tyre duke lëne anash interesin shtetëror, kjo do tu kthehet herdo kurdo si bumerang. Të gjithë pa përjashtim duhet ti lemë anash të gjitha interesat partiake e vetanake dhe të bëjë zgjidhjen më të duhur për vendin. Ky rast duhet të na shërbejë si një leksion i mirë për ti treguar opinionit te brendshëm dhe atij të jashtëm ( miqve tanë ndërkombëtar) që dimë për ti menaxhuar edhe këto situata dhe jemi te aftë të aplikojmë demokraci dhe liberalizëm të mirëfilltë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm Vesel Makolli.
 

Krasniqi: Thaçi do të manovrojë në forma të ndryshme, me tentimin për ta krijuar një Qeveri artificiale

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi do të manovrojë në forma të ndryshme, me tentimin për ta krijuar një Qeveri artificiale.

Sipas tij, qëllimi i tij është që vendin ta fus në krizë të thellë institucionale, në mënyrë që të ndërhyjnë ndërkombëtarët për krijimin e një Qeverie teknike, sepse PDK-ja është e vetëdijshme se çfarë e gjen nëse shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Që të shpërbehet Kuvendi, duhet të votojnë 81 deputetë, andaj nuk besoj që janë këto vota për shpërbërjen e Kuvendit, sepse PDK-ja dhe minoritetet nuk votojnë, kështu që pa shpërbërjen e Kuvendit vendi s'mund të shkojë në zgjedhje. Kriza institucionale që Presidenti Thaçi do ta fus vendin, do të bëj që të kemi si gjithmonë një ndërhyrje ndërkombëtare për zgjidhjen e këtij problemi që do ta shkaktojë presidenti. Për ndërkombëtarët me rëndësi është heqja e taksës dhe vazhdimi i dialogut me Serbinë, dhe Thaçi është njeriu i vetëm që u garanton këto gjëra, edhe pse dëmtohet dhe cenohet sovraniteti i Kosovës”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Bojaj: Zgjimi qytetar tashmë ka ndodhur, partitë politike janë demaskuar

Image
Ramiz Bojaj

Ndërsa, analisti politik Ramiz Bojaj, ka thënë se situata aktuale e pasigurisë dhe e paqartësisë politike i konvenon më së shumti pushtetit kontrabandues e korruptiv të Hashim Thaçit dhe të Serbisë.

Sipas tij, Thaçi kërkon që të gjejë një partner kukull, ndërsa Serbia pret me padurim 'arnimin' e pushtetit mafioz të Hashimit në mënyrë që të rrumbullakojnë planin serb për prerjen territoriale të Kosovës.

“Presidenti Hashim Thaçi është në gazep të madh për shkak të aventurave ‘Don Kishotiane’ të tij, me plane për copëtimin e Kosovës. Thaçi ka frikë nga përballja me votat e qytetarëve, nga Gjykata Speciale por edhe nga dosjet e Serbisë. Hashim Thaçi, kërkon marrëveshje urgjente me Serbinë në mënyrë që ky shtet ta amnistojë nga akuzat qindra faqesh ndaj tij, pastaj kërkon 'amnisti' edhe nga Gjykata Speciale e krejt në fund të 'blejë' vota e pushtet me ndonjë partnerë për të vazhduar edhe më tej rrugëtimin e tij politik si një diktator i ri, i bazuar në krim e korrupsion, zhvatje e shkatërrim të pafund. Edhe partitë opozitare nuk janë të përgatitura për proces të shpejtë zgjedhor dhe si të tilla kanë krijuar një lloj 'status quoje' derisa të dalin nga vorbula në të cilën kanë rënë”, ka thënë analisti politik Bojaj.

Ai konsideron se në një situatë të tillë, Kuvendi është dashur të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, por për shkak se partitë politike në vend janë në një situatë të çekuilibruar, kërkojnë ende kohë për tu mobilizuar e ndoshta për të ndërtuar ndonjë kauzë për të dalë para qytetarëve.

“Kjo për faktin se partitë politike, sidomos ato të cilat kanë qeverisur me vendin, tashmë janë demaskuar me mashtrime pa mbulesë, dhe si të tilla nuk gëzojnë mbështetjen qytetare. Zgjimi qytetar tashmë ka ndodhur, partitë politike janë demaskuar, andaj, zgjedhjet e reja mund të sjellin rezultate të befasishëm” ka thënë analisti politik Ramiz Bojaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...