Kosova ka nevojë për reformë zgjedhore, ndryshe zgjedhjet do të manipulohen

Politika

Kosova ka nevojë për reformë zgjedhore, ndryshe zgjedhjet do të manipulohen

Albiona Hajdari Nga Albiona Hajdari Më 30 korrik 2019 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

Realizimi i zgjedhjeve të reja me reformë zgjedhore nuk po ndodhë. Kjo, sipas analistëve, po bëhet qëllimisht nga partitë e mëdha.

Sipas tyre, përgjegjësia për organizim të zgjedhjeve nga institucionet e shtetit, i ka ndarë problemet në teknike dhe politike, ndërkaq reforma është e thjesht dhe efikase në punën e këtij organi.

Mungesa e kësaj reforme rrezikon seriozisht deformimin e procesit zgjedhor.

Burjani: Problemet mbeten të njëjta për vite me radhë

Image
Blerim Burjani

Analisti Blerim Burjani për “Bota sot” është shprehur se problemet janë të njëjta që nga viti 2000. Ai ka thënë se reforma zgjedhore nënkupton reduktimin e mekanizmave zgjedhore, me ç’rast do të jepte rezultate autentike në zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tij, në këtë mënyrë do të reduktoheshin shpenzimet financiare.

“Problemet mbeten të njëjta për vite me radhë në nga viti 2000, në veçanti përshkallëzim negativ ka ndodhë pas vitit 2008 kur përgjegjësia për organizim të zgjedhjeve ka kaluar tek institucionet e shtetit të Kosovës, problemet ndahen në dy grupe: ato teknike dhe politike... Reforma teknike nënkupton reduktimin e mekanizmave zgjedhorë që ndikon në shpejtësinë e shpalljes së rezultateve sipas kësaj reforme: Do të ndodhte që këshillat e vendvotimeve do të jepnin rezultatet autentike dhe drejtpërdrejt KQZ në zgjedhjet e përgjithshme, dhe do të reduktohej dukshëm puna në Qendrën e Numërimit të Votave të KQZ, do të duhej të largoheshin komisionerët partiak në numërim të votave dhe këtë do ta bënte shërbimi civil i komunave, dhe do të reduktonte shpenzimet financiare,’’ ka theksuar Burjani.

‘’Depolitizimi i mekanizmave zgjedhor KQZ, KKZ dhe KVV është jetik për zgjedhje të lira dhe do të pengonte çfarëdo ndikimi politik në proces. Kjo reformë është e thjesht dhe teknike dhe efikase në punën e këtij organi,’’ ka shtuar ai.

Mehmeti: Reforma zgjedhore nuk po realizohet me qëllim nga partitë e mëdha

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti e ka konsideruar të qëllimshme mos realizimin e reformës zgjedhore. Fajtorë për këtë, sipas tij janë partitë e mëdha, ngase në këtë mënyrë nuk do të mund të manipulonin me lista.

‘’Reforma zgjedhore nuk po realizohet me qëllim nga partitë e mëdha, pasi kjo do u pamundësonte atyre që të bëjnë manipulim me lista, si dhe kandidimin e njerëzve me të kaluara kriminale. Kjo zhagitje është bërë me qëllim të caktuar, sidomos nga PDK e cila dëshiron të vazhdojë kjo anarki me zgjedhjet nga e cila arrin të manipulojë më lehtë,’’ ka thënë për Bota sot analisti Faton Mehmeti.

‘’Në gjykimin tim është dështim i madh i klasës politike, në veçanti i kësaj qeverie që s'ka arritë të bëjë një reformë të tillë, nga e cila do të minimizoheshin dallaveret. Është nevojë emergjente për Kosovën të ketë këtë reformë, ndryshe zgjedhjet do të vazhdojnë të manipulohen, duke mos përçuar mesazhin e drejt të votuesve,’’ ka theksuar Mehmeti.

Haziri: Kjo mungesë e reformës ndikon në procesin e votimit por edhe të menaxhimit të rezultateve

Image
Nexhat Haziri

Të njëjtin mendim e ndanë edhe analisti Nexhat Haziri, i cili thotë se liderët duan të ruajnë ndikimin e tyre, duke bërë manipulimin me vota. Ai thotë se shkuarja në zgjedhje pa një reformë zgjedhore e rrezikon deformimin e procesit zgjedhor.

‘’Mungesa e reformës zgjedhore e shumë përfolur dhe e mbetur në gjysmë dhe shkuarja sërish në zgjedhje pa këtë reformë rrezikon seriozisht deformimin e procesit zgjedhor i cili pritet të mmbahet në vjeshtën e hershme të këtij viti si rezultat i dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj.

Sikur kjo reformë zgjedhore nuk iu konvenoi asnjë partie politike, për shkak se liderët duan ta ruajnë ndikimin e tyre edhe në listat e kandidatëve për deputetë që përmes anëtarëve në vendvotime t'i zgjedhin deputetët sipas preferencave të tyre, duke bërë manipulimin e votave,’’ ka thënë Haziri.

‘’Kjo mungesë e reformës ndikon në procesin e votimit por edhe të menaxhimit të rezultateve, ku partive politike dhe militantëve të tyre u krijon mundësi për vjedhje votash dhe manipulim në mënyra të ndryshme të procesit zgjedhor, sidomos manipulimin brenda llojit me votat e kandidatëve për deputetë. Dhe kjo më pas po shkakton edhe mjaft vështirësi për krijimin e institucioneve nga partia relativisht fituese, pasi sistemi aktual zgjedhor po krijon institucione fragjile që po imponon një koalicion të madh me shumë parti. Andaj shpresoj se ky proces zgjedhor të jetë i fundit pa reformën zgjedhore dhe për këtë do të duhet të vetëdijesohen edhe partitë politike, që është koha e fundit që vendi të jetë me institucione kredibile, demokratike dhe të qëndrueshme me mandat të plotë qytetar, dhe këto bëhen apo ndërtohen vetëm me reformë zgjedhore,’’ ka shtuar ai.

Ndryshe, Presidenti i vendin Hashim Thaçi vite më parë kishte tentuar t`i mblidhte subjektet politike për të diskutuar mbi reformën zgjedhore, mirëpo kjo nuk kishte sjellë rezultat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat