Në politikë po na sundon Hashim Thaçi, në ekonomi Evgjeni Thaçi

Politika

Në politikë po na sundon Hashim Thaçi, në ekonomi Evgjeni Thaçi

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 31 korrik 2019 Në ora: 17:12
Evgjeni Thaçi Hashim Thaçi

“Nuk jemi të gatshëm që shtetin t’ia lëmë në dorë shkatërruesve të institucioneve [LVV], anemikëve politikë [LDK], dezertorëve e frikacakëve [AAK].” tha mbesa e presidentit Hashim Thaçi, zonja Evgjeni Thaçi.

Kush është kjo bre? Bash mbesa e njeriut që i ka kapur e shkatërruar institucionet tona; bash mbesa e njeriut që përçau skenën tonë politike me tradhti e dallavere; bash mbesa e një dezertori e frikacaku që për ta shpëtuar veten e mori një ide serbe, korrigjimin e kufijve, dhe e promovoi para ndërkombëtarëve. Mbesa e Hashim Thaçit.

A keni dëgjuar për Gani Thaçin, Nijazi Thaçin, Veton Thaçin, Endrit Thaçin, Shqipe Qelajn, Lumnije Thaçi, etj? Këta, bashkë me zonjën Evgjenie, janë familjarët e presidentit tonë. E një presidenti që, më mirë mos qoftë. 

A e njihni Evgjenien për ndonjë arritje apo ndonjë shkathtësi? Ose, ndonjërin prej të lartpërmendurve? Ganiun e njohim si një grusht-dhënës të frikshëm, që në Byronë e Sigurimeve, i kishte grushtuar dy vetë edhe pse në moshë të shtyer. Por, Byroja e Sigurimeve nuk është për grushte.

Nejse.

Evgjenia pra, na u kontrabanda në skenën tonë politike për shkak se ishte mbesa e Hashim Thaçit. Me një fjalë, kjo ishte arritja e saj më e madhe në jetë. Dhe, nga kjo pozitë familjare, na u bë deputete, e tash na e kërcënon hapur demokracinë.

Ne e dimë që PDK-ja nuk është e gatshme të dalë në opozitë. Ne e dimë që PDK-ja është e gatshme të vjedhë vota, të blejë vota, të shantazhojë votues, e t’i bëj njëqind mijë të zeza veç që të rrijë e kacavjerrur në pushtet.

Çka nëse qytetarët duan që VV-ja e LDK-ja të jenë në pushtet? Epo, PDK-ja nuk është e gatshme ta respektojë atë vullnet. Ajo ka dëshmuar në vazhdimësi që s’i bën hesap qytetarët e vendit. Për ta, të vetmit që vlejnë janë familjarët e tyre të shenjtë. Kanë apo s’kanë aftësi, kjo s’ka pikë rëndësie.

E njerëzit si e dashura Evgjenie, aktualisht po dridhen nga frika se privilegjet që po i marrin do t’iu kthehen përmbys e do t’ua thyejnë qafën. Sepse, kanë abuzuar pa u ndalur dhe i kanë forcuar ekonomikisht pameritueshëm familjet e tyre.

Nuk është puna veç te Hashim Thaçi, i cili do të duhej të gjykohej menjëherë për tradhti kombëtare. Puna është te dhjetëra e ndoshta qindra familjarët e tij që në mënyrë të shfrenuar vazhdojnë të hanë e të pinë, të sorollaten me vetura të shtrenjta e të shkojnë në pushime, me para të popullit.

Në rrafshin politik, Thaçin e kemi terrorizues. Por në atë ekonomik, po na sundojnë e po na sosin edhe Thaçët e tjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat