Haradinaj prapë mund ta kallë flakë Kosovën

Politika

Haradinaj prapë mund ta kallë flakë Kosovën

Valon Rrogova Nga Valon Rrogova Më 1 gusht 2019 Në ora: 08:08
Ramush Haradinaj

E nisën misionin për ta rrëzuar qeverinë Mustafa me çështjen e demarkacionit. E arritën. Njerëzit mendonin se mbaroi ajo bisedë dhe se me qeverinë Haradinaj nuk do të ndodhte demarkimi me Malin e Zi, në versionin e komisionit të ish kryetarit Murat Meha. Por, Haradinaj, bëri atë që s’e kishte menduar njeri: Përpiu atë që pështyu vet.

Haradinaj dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit pa e përfunduar misionin për korrigjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Hapi i fundit që bëri në këtë drejtim ishte vendimi për përfaqësimin e Kosovës në Trupën Punuese për rishikimin dhe korrektimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Në Trupën Punuese do të jetë Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, dhe, sipas nevojës, do të mbështetët me ekspertizë shtesë në zbatim të detyrave të dhëna.

Por, ky vendim nuk po ia mbushë mendjen opozitës aktuale se do të bëhet dicka në përmirësimin e marrëveshjes së miratuar në vitin 2018.

Gecaj: Nëse prapë i nevojitet për pushtet, ai prapë mund ta kalli Kosovën flakë

Image
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së Bajram Gecaj, për “Bota sot”, tha se kundërshtimi i demarkacionit është vërtetuar tanimë se kishte vetëm një mision – marrjen e pushtetit.

“Fillimisht e kishin kallë Kosovën flakë për ta marrë pushtetin, vetëm sa për ta aprovuar më vonë mu të njëjtën marrëveshje. Ju kujtoj se edhe një herë se parlamenti i Malit të Zi, ka ratifikuar vetëm marrëveshjen, ndërsa ne, krahas marrëveshjes, kemi mundur t’i aprovojmë edhe dhjetëra dokumente të tjera. Megjithatë, vetëm marrëveshja është ratifikuar nga të dy parlamentet, dhe vetëm ajo prodhon efekte juridike”, tha ai.

Sipas Gecajt, ish-kryeministri Haradinaj, megjithatë,ia ka lënë qeverisë së ardhshme “kopilin” tek dera.

“Nëse prapë i nevojitet për pushtet, ai prapë mund ta kalli Kosovën flakë, duke pretenduar se ai është marrë vesh të lëvizte kufiri, por se qeveria e re nuk po mundet ta shtyjë, edhe pse ai nuk e bëri këtë gjatë mandatit të tij”, tha ai.

Nga ana tjetër, veprimtari i çështjes kombëtare, Betim Kelmendi, për “Bota sot”, tha se kryeministri tani më i dorëhequr, nuk ka kompetenca që të merret më me asnjë çështje shtetërore, por siç duket ai as kohë nuk ka sepse është duke u marrë me fushatë për zgjedhjet e ardhshme që do të ndodhin shumë shpejt.

Image
Betim Kelmendi

“Pra çështja e demarkacionit, mbetët temë që do të duhej të merret qeveria e ardhshme, nëse ka hapësirë sa do pak që ky demarkim të korrigjohet në mënyrë të drejtë”, tha ai.

Kelmendi: Haradinaj u mashtrua për pushtet

Kelmendi, është i idesë që Haradinaj nuk tentoi të mashtronte për demarkacionin, por u mashtrua nga liderët tjerë të partive me të cilët ishte në koalicion.

“Nuk mendoj se për Haradinaj ka qenë kauzë e rrejshme, sepse siç e dimë ne të gjithë, edhe ai e dinte se demarkimi sipas komisionit të Murat Mehes, ishte gabim, por për fat të keq, ai u mashtrua për kolltuk të vetin me çka ai vetë dhe të gjithë ata që e votuan demarkacionin, me vetëdije, ia humbën 8300 HA tokë të Kosovës, pjesën më të mirë të Kosovës”, tha ai.

Krasniqi: Ajo gjoja marrëveshje ka qenë vetëm mashtrim nga ana e Qeverisë

Image
Faik Krasniqi

Analisti Faik Krasniqi, për “Bota sot”, tha se çështja e kufirit me Malin e Zi ka përfunduar. Ai, shtoi se nuk do të ketë asnjë korrigjim.

“Ajo gjoja marrëveshje ka qenë vetëm mashtrim nga ana e Qeverisë, respektivisht ish kryeministrit Haradinaj, në mënyrë që të kalojë në Kuvend për t'u votuar”, tha ai.

Për Krasniqin, kjo s’ishte asgjë tjetër përveçse kauzë e rrejshme e Haradinajt për të ardhur në pushtet.

“Qeveria dhe deputet e Kuvendit mbajnë përgjegjësi që e kanë votuar këtë mashtrim. Për faljen e mbi 8200 hektarë tokë Malit të Zi. Edhe humbje të mbi 8200 hektarëve tokë edhe mos liberalizim të vizave, sepse mashtrimi i kësaj Qeverie dhe Qeverise paraprake ishte, se kur të votohet demarkacioni menjëherë hiqen vizat”, tha ai.

Krasniqi, shtoi se nuk ndodhi kurrë korrigjimi dhe as liberalizimi i vizave.

“Mashtrim pas mashtrimi i Haradinajt. Me të njëjtat kauza do ta bëj fushatën parazgjedhore: Liberalizimi i vizave, Çakorri dhe taksa ndaj Serbisë. Mashtrues klasik”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat