Grushtet në LDK dhe grushtet në partitë tjera, cilat shkaktojnë më shumë dhimbje?

Politika

Grushtet në LDK dhe grushtet në partitë tjera, cilat shkaktojnë më shumë dhimbje?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 1 gusht 2019 Në ora: 17:25
Foto Ilustrim

Së fundmi nëpër degët e LDK-së, pamë skena irrituese. Pamë rrahje, grushte, shqelma e madje – madje edhe hudhje me karrige.

Dikush u shqetësua, dikush qeshte, dikush u dëshpërua e dikush mbase ka festuar nga gëzimi që më në fund ‘’i doli faqja zezë partisë ndër më të mëdhatë në ballkanë’’.

Të gjitha ato skena që i pamë, ishin ngaqë në LDK, ka një gjë që nuk ka në partitë tjera.

Ka demokraci, kaq e thjesht është.

 

Pyesni vetën: A guxon kush me i’a nxanë vendin Ramush Haradinajt në AAK? As nuk guxon të mendohet kjo punë, e jo më të tentohet diçka në këtë drejtim.

A guxon kush t’ia nxë vendin Limajt në Nisma? Mos e bo zot.

Po Kurtit, në Vetëvendosje? Ky, që e shpartalloi komplet partinë vec të nxë karrigen e kryetarit.

Për PDK-në, s’ja vlen të flitet. Thaçi, ia servoi Veselit karriken  e nxehtë të PDK-së.

Po guxoj kush të tentoj t’ia nxë vendin, i ikën ‘’koka’’

Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] është emri i partisë më të mirë, më demokratike, më të qytetëruar e më paqësore në Kosovë e në rajon.

Është e vetmja parti me kuadro të bollshme, me plot njerëz të aftë, me një grua të votuar nga 80 mijë njerëz, me një demokraci të brendshme që s’e ka asnjë parti tjetër në mbarë Ballkanin. Hajt, nëse mendoni që po ekzagjeroj, gjejeni një të vetme. Në Kroaci nuk ka. Lëre më, në Serbi, Greqi, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Shqipëri apo Bosnje e Hercegovinë.

LDK-ja ia doli të kalonte nëpër kohëra tepër të këqija. Nuk ishte aspak e kollajshme të duroje gjithë presionin që e bënte regjimi i Millosheviqit në vitet ’90. Shumë e shumë njerëz po e anatemojnë frymën Rugoviane këto ditë, duke dashur të dëgjojnë fjalë të mëdha nga Milaim Zeka, Nasim Haradinaj, e njerëz të sojit të tyre. Ai promovoi paqen e përbashkimin. Promovoi punën e palodhshme. Jo fjalët e tepërta. Jo acarimet. Jo ‘nxehjen në çaj’.

Dhe, edhe pse kishte plot hajvanë edhe brenda LDK-së, se fundja ky popull nxjerr njerëzit sipas kutit të vet, kjo frymë u ruajt e u kultivua. Shiheni Avdullah Hotin. Lum Rahoveci për të, sa i urtë e sa idealist. Sa i zoti e sa i dijshëm. Shiheni Isa Mustafën. Edhe pse, pleqëria pak e rrokati, edhe ky është një punëtor i madh e fjalëpak. Por, mjaft të mirë dolën edhe kuadrot e reja. Lumiri, Vjosa, Dritoni, Kujtimi e plot e përplot të tjerë. Secili më i mirë se tjetri.

Ndërkohë që partitë e tjera matur me kandarin e LDK-së nuk janë përnjëmend askund. PDK-ja, AAK-ja, NISMA e AKR-ja shërbejnë për të krehur egot e disa njerëzve të shqetësuar me personalitetin e tyre. E disa njerëzve krejt të pagdhendur që nuk kanë kapacitet për të menduar përtej hundës së tyre. PDK-ja e kriminalizoi vendin aq shumë, sa shpresat e një pjese të madhe të njerëzve për t’i ikur varfërisë e për të çelur mundësi e perspektivë, kanë mbetur në korrupsion. Qytetarëve u janë lënë dy rrugë: ose të kalben në varfëri e të mos mund të përparojnë kurrqysh. Ose, tjetra, t’ia mësyjnë formave korruptive dhe të bëhen njësoj si ata.

Nuk ka tru Hashim Thaçi, e asnjëri prej të tjerëve që i kanë personalizuar partitë njësoj si telefonët, që të mendojnë për të ardhmen shtetërore, për të ardhmen shoqërore. E LDK-ja, pavarësisht incidenteve që mund të ndodhin, shtyerjeve me bërryla, ndërskamsave, intrigave – ka ruajtur me xhelozi e fanatizëm mundësinë për të menduar se çka do të ndodh me vendin në të ardhmen.

E këtu na del në rrugë Vetëvendosja. Qysh ta klasifikojmë këtë parti? Jo, ata nuk janë kriminelë. E gënjejmë veten nëse themi diçka të tillë. Nuk janë të korruptuar. Mund të jenë ndonjë aty-këtu, por s’e meriton Kurti të quhet i korruptuar. E as Glauku.

Ama, problemi është që këta i kanë neutralizuar zërat kundër. Nuk mund të jesh kundër në Vetëvendosje. E si rrjedhojë, nuk ka demokraci të brendshme. Të gjithë pas liderit. Tok së bashku. Të gjithë duke i shpërndarë statuset. Duke mos e kundërshtuar me as gjysmë fjalie. Të gjithë si në ushtri. Si në kor muzikor. Oh, medet, sa shpejt harruam të këqijat e një mendësie të tillë nga koha e komunizmit.

E vërtetë që korrupsioni i ka të këqijat e veta. I ka shumë të këqija. Por në anën tjetër, as komunistët e pakorruptuar [se të pakorruptuar ishin, hakun duhet t’ia dhëmë] nuk është se na nxorën nga lloçi, nuk është se na sollën të gjitha të mirat. Përkundrazi, shumë prej të këqijave të sotme bazohen në atë periudhë skëterrë të zezë për vendin tonë.

Nuk po them, zot ruana, që Albini është komunist. Jo. Por, ai është autoritar brenda partisë së tij. Dhe me autoritarizëm kërcehet direkt e në korrupsion, e në qeveri mendjengushta që s’shohin qytetarët e vendit, që as që dëgjuan t’i dëgjojnë hallet e tyre, problemet e tyre, brengat e tyre, e lëre më, mendimet e tyre.

Po, edhe nëse qytetari e ka gabim, edhe nëse aktivisti e ka gabim, ai ka të drejtë ta ketë gabim brenda këtij sistemi politiko-ekonomik. Dhe kjo gjeneron demokraci. Ky kaos mendimesh. Kjo lojë fjalësh. Jo mbyllja. Jo operimi si të jesh një sekt fetar.

Mosni bre, zoti iu udhëzoftë, mosni se po na merrni në qafë. Edhe ju paguheni me taksat tona. Edhe ju merrni paratë tona. Si s’keni turp të mbyllni demokracinë e brendshme, të çlironi frymën e popullit brenda lëvizjes suaj? Çka është ky puritanizëm i turpshëm?

E në këtë pikë, të dashur miq, qofshi edhe militantë të partive tjera, ju pajtoheni me mua: LDK-ja ka themele të mira. E këto themele, ia vuri presidenti ynë i papërsëritshëm, z.Ibrahim Rugova, ia hëngsha loçkën e zemrës. Rugova ishte më i madhi ndër të gjithë politikanë, dhe ne edhe sot me LDK-në, mund ta shohim punën e tij të heshtur e vetëmohuese, të përulur e efikase. Bravo të qoftë more burrë, se s’di nga na dole kaq i madh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat