Shpronësimi i LDK-së, kërkesë e anëtarësisë

Politika

Shpronësimi i LDK-së, kërkesë e anëtarësisë

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 1 gusht 2019 Në ora: 18:26
LDK, foto arkiv

Kohë më parë, Isa Mustafa tha se "nënkryetarëve Agim Veliut e Lutfi Hazirit, u kam ofruar udhëheqjen e LDK-së!" Ai përjashtoi nga kjo mundësi nënkryetarin tjetër Haki Rugovën, edhe pse ka qenë i suksesshëm në drejtimin e komunës, madje në zgjedhjet paraprake, ka fituar pa balotazh. Ndërsa në zgjedhjet e fundit, dihet falsifikimi industrial i votave, nga partia-bandë e AAK-së. Megjithatë, LDK-së i mungoi guximi, për ta penalizua krimin dhe kriminelët.

Në ofertat për kryetarllëk, kryetari i dhunshëm, Isa Mustafa, dëshmon se partia është privatizuar, pronësuar dhe ai vendos për pronën e tij, LDK-në. Në këtë frymë u bënë edhe zgjedhjet partiake në shumë Nëndegë e Degë, riemërim, pa konkurrencë dhe votë e hapur, aklamative që zhvleftëson tërë procesin zgjedhor në Degë, komunë.

Centralizimi i pushtetit, kthim në monizëm

Kalaveshja me poste e një individi në Degë të LDK-së, në komunë, asfikëson, paralizon debatin, pamundëson konkurrencën, shmang mendimin alternativ, robotizon stafin rreth shefit. Sepse partia e privatizuar, tashmë, është pronë personale e shefit dhe ai sundon me kompetenca tej mbretërore. Këtu demokracia merr fund!

Pse duhet të jetë kryetari i komunës edhe kryetar i LDK-së të Degës dhe në shumë raste, edhe anëtar i kryesisë të LDK-së qendër apo nënkryetar i saj. Duke centralizuar pushtetin shtetëror dhe atë partiak, tek një njeri, shmang çfarëdo konkurrence, që ai të zëvendësohet përmes votës. Zakonisht, Presidenti Rugova ka praktikuar që kryetari i komunës të qëndrojë atje dhe jo të këtë angazhim shtesë në LDK-në qendër. Nuk është domosdo që kryetari i komunës, të jetë edhe kryetar i Degës të LDK-së. Ai mund të jetë profesionist në drejtim të komunës, por, mund të mos jetë fare i përshtatshëm për drejtimin e Degës të LDK-së aty. Veç kësaj, kur një qytetar i partisë tjetër, kërkon zgjidhjen e ndonjë problemi personal apo familjar, kur hynë në zyrën e kryetarit, nuk ndjehet mirë, sepse mendon se është në zyrën e kryetarit të partisë rivale.

Pse duhet të jetë kryetari i LDK-së, automatikisht, edhe kryeministër i vendit, ndërkohë, që mund të jetë profan, injorant për këtë. Këtë e dëshmoi edhe rasti i Ramush Haradinaj, i cili rrënoi buxhetin shtetëror, duke abuzuar paranë e popullit. Shpërdorimin enormë të parasë, për organizime festive e përkujtimore; për eksponentë të bandave të haraçit dje, sot trajner sportiv; e deri ke makro-vjedhja, nëpërmjet të shpërblimeve të "veteranëve" të rrejshëm, duke konsumuar edhe krimin e sigurimit të klientelës të përhershme elektorale. Kujtojmë Dr. Sali Berishën, asnjëherë nuk i dubloi postet kryetar partie dhe kryeministër. Megjithatë, ka qenë shumë i suksesshëm.

Stisja e frikës së ndarjes, stopim i reformave në LDK

Isa Mustafa, së fundi, kërkon dy vjet mandat shtesë, "për ta shpëtuar LDK-në nga ndarja!" Në fakt, ngulmohet që klani ta vazhdojë agoninë atrofizuese, stopimin e reformave, aq shumë të pritura nga anëtarësia dhe elektorati i LDK-së. Me gjithë dëmet e mëdha, që Isa Mustafa, me klanin e tij, i ka sjellur LDK-së, duke e mbajtur peng LDK-në, për 9 (nëntë) vite me radhë, anëtarësia, në veçanti dhe shqiptarët, në përgjithësi, prisnin një reflektim fisnik të atij me shokë: "Tërhiqemi nga çfarëdo pretendimi funksionesh në parti dhe mbështesim reformat, që duhet të ndërmerrë Kuvendi i 9-të Zgjedhor", - duhej të deklaronte Isa, në emër të klanit të tij besnik.

Dhe, kjo, njëherësh, do të ishte siguria më e madhe së Kuvendi do t`i zhvillojë punimet i qetë, duke shmangur të gjitha veprimet, thellësisht, moniste e kundra demokratike, duke favorizuar qeverisjen kriminale të PAN-it, brenda se cilës gravitojnë partitë-banda: PDK-e, AAK-a, Nisma, me bishtërat e tyre zvarranikë, që përdorën si kondomë, partiçkat e tipit të Pacollit me shokë.

Konsesnsuesi, si mundësi neutralizimi të klanorëve kerrieristë

LPK-ja, me oreksin për pushtet, zgjodhi dhunën vrastare para, gjatë dhe pas luftës. Edhe pas ndarjes të AAK-së, nga PDK-ja, veprimtarinë kriminale, vrastare, e vazhduan së bashku. Kuota e viktimave shtohej. Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, gjithnjë e më shumë po i bindte propaganda serbo-sllave se "shqiptarët nuk dijnë të mbajnë shtet". Ibrahim Rugova ndërmori vendimin e dhimbshëm, siç e quajti Ai "sakrificë". Vendosi të bëjë koalicion me AAK-në, përkundër vullnetit të anëtarësisë, pasi ajo ishte e bindur se bandat e saj, me qendër në Gllogjan, kishin përgjakur Dukagjinin dhe më tej.

Pra, Ramushi, me banda, vriste për të ardhur në pushtet. Dhe, koalicioni që bëri kryetari Rugovë, i dha pushtet Ramushit, stopoi, në një masë, vrasjet serike. Megjithatë, vrasjet e dëshmitarëve të mundshëm dhe vrasjet tjera, si rrjedhojá e përçarjes dhe armiqësive të mbjella, ndër familje shqiptare vazhduan.

Problemin e ngjashëm e ka sot LDK-ja me Isa Mustafën dhe klanin e tij, të cilët kërkojnë legalizimin e pushtetit të tyre të pamerituar "ose e ndajmë LDK-në!" Pra, ndarjen e LDK-së, mund ta bëjnë vetëm karrieristët klanorë, të kryesuar nga Isa Mustafa. Kushtëzimi i tyre nuk mund të plotësohet, madje, për asnjë çmim. Sepse çdo vazhdim i sundimit të partisë nga ata, do të ishte rrënim, me fund, i LDK-së. Shkurt, e kanë tepruar me shumëçka dhe janë të papranueshëm, për anëtarësinë dhe më gjerë.

Megjithatë, një konsensues kompromisi mund të bëhet. Duke qenë se tre nënkryetarët e LDK-së, janë drejtues komunash, mund t`iu premtohet se do të jenë kandidatë edhe mandatët tjera, nëse ata do të jenë të suksesshëm, natyrisht, me mbështetjen e pa rezervë të LDK-së. Ndërsa për Isa Mustafën t`i rezervohet qenia anëtar kryesie dhe jo të "harrohet", siç bëri ai me Fatmir Sejdiun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat