PAN dhe Presidenti po i “zvarritin” zgjedhjet

Politika

PAN dhe Presidenti po i “zvarritin” zgjedhjet

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 gusht 2019 Në ora: 11:58
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ramush Haradinaj pak ditë më parë ka dhënë dorëheqje  nga posti i Kryeministrit. I përlotur, tha se këtë dorëheqje po e bën si shkak i një ftese nga Gjykata Speciale. Kur u intervistua atje nuk e tha asnjë fjalë, vendosi të mbrohet në heshtje. Në heshtje po kalon edhe dorëheqja e tij.

Ndonëse dorëheqjen e dorëzoi tek Presidenti, ky i fundit ende nuk doli me ndonjë vendim.

Partitë politike po kërkojnë zgjedhje, e madje pozitë e opozitë po përgatiten për zgjedhje. Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës dhe njohës të çështjeve juridike, thonë se vetmja zgjidhje aktuale është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Xhemajlaj: Duhet të caktohet data e zgjedhjeve

Image
Isa Xhemajlaj

Kështu, zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj thotë për “Bota sot” se duhet të caktohet data e zgjedhjeve.

“Mendoj që të gjithë liderët e partive në Kosovë duhet të takohen dhe të caktojnë datën e zgjedhjeve”, thotë Xhemajlaj.

Makolli: Presidenti i Republikës duhet t’i filloj veprimet

Image
Vesel Makolli

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli thotë se “Kosova nuk ka kohë për të humbur. Kemi vetëm dy kohë në jetë “tani” dhe “shumë vonë”, andaj ne duhet të ndërmarrim masa që mos të mbetemi vonë”.

“Në rastin që gjendemi pas dorëheqjes se kryeministrit Ramush Haradinaj, kemi të bëjmë me një situatë të veçantë që decidivisht nuk parashihet as me kushtetutë apo aktet tjera ligjore. Vendi nuk mund të mbetet në vakuum institucional, andaj Presidenti i Republikës duhet t’i filloj veprimet e duhura dhe të parapara konform Kushtetutës për konsultimin me partitë politike, për të marr hapat e duhur për tejkalimin e kësaj situate”, thekson Makolli.

 Ai thotë më tutje se, duke u bazuar në numrat në Kuvend, situatën dhe disponimin e partive politike, zgjidhja e vetme që shihet është shkuarja e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Është gabim i madh dhe non-sens politik që ky moment të manipulohet për interesa partiake, pasi që pikërisht atyre që tentojnë ta shfrytëzojnë këtë situatë për interesat e tyre duke lënë anash interesin shtetëror, kjo do t’u kthehet herdo kurdo si bumerang. Të gjithë pa përjashtim duhet t’i lëmë anash të gjitha interesat partiake e vetanake dhe të bëjmë zgjidhjen më të duhur për vendin. Ky rast duhet të na shërbejë si një leksion i mirë për t’i treguar opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm ( miqve tanë ndërkombëtar) që dimë për t’i menaxhuar edhe këto situata dhe jemi te aftë të aplikojmë demokraci dhe liberalizëm të mirëfilltë”, thotë Makolli për “Bota sot”.

Burjani: PAN duhet urgjentisht të deklarohet se nuk ka kandidat të ri për kryeministër

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq,  njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se duhet të shpenzohen të gjitha procedurat kushtetuese. Sipas tij, PAN duhet të deklarohet se nuk ka kandidat për kryeministër dhe Presidenti të shpallë zgjedhjet.

“Duhet të shpenzohen të gjitha kushtet procedurale kushtetuese . PAN duhet urgjentisht të deklarohet se nuk ka kandidat të ri për kryeministër për të hap rrugën që presidenti të shpallë zgjedhjet e reja”, vlerëson Burjani.

Ai thotë më tutje se nuk duhet humbur kohë se deputetët fillimisht të fitojnë benefitet e më pas të shpallen zgjedhjet.

“Nuk duhet të humbur kohë ka taktizime që deputetët së pari të fitojnë benefitet, pastaj të shpallen zgjedhjet. Krejt problemi është se PAN nuk ka dërguar asnjë shkresë në Presidencë e as nuk ka  kërkuar takim me presidentin për të qartësuar gjendjen”, thotë më tutje Burjani.

Ndryshe, rreth dy javë më parë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë.

“Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, ka bërë të ditur se këtë vendim e ka marrë pasi atij i ka ardhur një ftesë nga Gjykata Speciale.

"Arsyeja është se kam marrë ftesë për me u intervistu nga dhomat e specializume në Hagë, si i dyshuar, qeveritë edhe pushtet janë të ndërrueshme, jetojmë në Demokraci, nderi i shtetit duhet të ruhet", pati deklaruar ai.

Pak ditë më vonë udhëtoj drejtë Hagës, ku u intervistua si i dyshuar dhe zgjodhi që të mbrohet në heshtje.

Ndonëse ende Gjykata e Hagës nuk ka dalë me ndonjë vendim, pozita e tij thuajse ka mbetur pezull. Ende nuk janë shpallur zgjedhjet dhe nuk është marr ndonjë vendim për ndonjë zgjidhje të re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat