Vjosa apo Isa, kush do të zgjidhet në krye të LDK-së nesër?

Politika

Vjosa apo Isa, kush do të zgjidhet në krye të LDK-së nesër?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 2 gusht 2019 Në ora: 21:39
Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa

Pas një kohë të gjatë dhe rrugë të mundimshme, pikërisht sot me 3 gusht LDK mbanë zgjedhjet e përgjithshme për të zgjedhur kryetarin e saj të ri. Paraprakisht të enjten që shkoi Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti mbledhjen e Kryesisë, e cila kishte zgjatur më shumë se dy orë. Pas përfundimit të kësaj mbledhje, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se Kuvendi i 3 gushtit ‘do të shkojë sipas parashikimeve, një mbledhje solemne’. Kjo deklaratë vije pikërisht nga disa që paralajmërojnë se do të përsëritet skenari i 2006-ës. Ndër të tjera zëdhënësi i LDK-së deklaroi se“Kandidaturat shpallen më 3 gusht konform statutit. Po punohet intensivisht që të vlerësohen të gjitha kandidaturat të të gjithë atyre që kanë punuar qe 30 vite për LDK-në.”.

Do të ishte e rrugës që kandidatët për kreun e LDK-së të ishin shpallur më herët, siç ndodh edhe në SHBA ku zhvillohet një proces konkurrues i kandidatëve për brenda partisë. Gjithsesi kjo mbetet dytësore në krahasim me atë përse zgjedhjet brenda në LDK kanë rëndësi dhe peshë më të madhe se sa duket në horizont. Faktikisht LDK është partia më e madhe në pushtet, dhe nga numri i deputetëve në kuvend është partia më e madhe aktualisht. Me zgjedhjet e jashtëzakonshme të pashmangshme, sytë janë drejtuar nga dite e shtunë në LDK. Kjo ngase varësisht se kush zgjidhet kryetar i saj, edhe mund të parashikohet se me kë do të shkoj LDK në zgjedhje, para ose pas votimeve. Kjo natyrisht e bën shumë të rëndësishme se kush do të udhëheq me këtë parti edhe për katër vite të ardhshme.

Në njërën anë është Vetëvendosje ajo që me sytë e veshë është kah LDK se kush do e merr drejtimin e kësaj partie për të filluar bisedimet për një listë të përbashkët në zgjedhje, dhe në anën tjetër është PDK po ashtu duke shikuar. Gjenerata e re në LDK duket se më shumë preferojnë një koalicion me VV duke shmangur kështu me çdo kusht PDK-në, si dhe gjenerata e vjetër që zyrtarisht nuk ka përjashtuar koalicion me PDK-në. Kjo e bën më konfuze se çfarë do të ndodh dhe kush do të zgjidhet kreu i LDK-së. Në këtë situatë do të ishte krejtësisht e arsyeshme që të gjithë kandidatët për kreun e LDK-së unanimisht t’i vendosin vija të kuqe PDK-së, me të cilën nuk duhet të shkohet assesi në koalicion.

Me zgjedhjet e të shtunës LDK duhet të jep edhe një mesazh të unitetit, duke dëshpëruar rivalët e saj që presin skena të 2006, e cila i solli LDK-së edhe humbjen e zgjedhjeve të ardhshme. Pritet që nga LDK të sjell disa modele në skenën tonë politike edhe sa i përket zgjedhjeve brenda vet partisë. Kështu duke vendosur një standard që kryetari i ardhshëm që humb dy palë zgjedhje automatikisht të largohet nga partia.

Hapja e partisë për breza të ri, respektimi i mendimit ndryshe dhe zërin kritik brenda saj, dhe një varg masash që do kultivonin frymën rugoviane brenda saj. LDK nuk guxon vetëm të thirret në emër të Rugovës, por edhe të implementoj filozofinë e tij. E konsideruar dikur akademi për partitë tjera LDK duhet me çdo kusht të sjell reforma brenda saj, të del me palën të qartë për të udhëhequr qeverinë e ardhshme, si dhe të afrohet me qytetarin e thjeshtë. Natyrisht fryma e unitetit brenda një garë të hapur dhe të ndershme, është qelës që kjo parti edhe të del fituese në zgjedhjet e ardhshme.

Nëse LDK në kuvendin e saj nuk sjell diçka pozitive, reforma dhe unitet do të përdorët nga kundërshtarët e saj si dobësi. Çka edhe mund t’i kushtoj shumë. Preferenca ime është që në krye të LDK të vjen Vjosa Osmani, një grua me vizon të qartë, me vendosmëri dhe largpamësi. Kjo natyrisht se do i fuste frikën PDK, duke ditur që Vjosa do e qoj në shtëpi këtë parti. Megjithatë, kushdo që zgjidhet në krye të LDK-së me votim të ndershëm dhe që sjell unitet dhe dërgon LDK drejt fitores natyrisht se duhet respektuar. Tek e fundit është në dorën e njerëzve të kësaj partie, por që është edhe në interes të Kosovës. Një LDK e fortë, është sinjal i mirë për Kosovën, dhe i keq për PDK-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat