Çka tash...? Kurti apo Vjosa?

Politika

Çka tash...? Kurti apo Vjosa?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 3 gusht 2019 Në ora: 20:28
Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

E shtuna ia vazhdoi Isa Mustafës edhe për një mandat që të jetë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Partia më e vjetër në Kosovë, LDK-ja, sot emëroi për herën e tretë me radhë Isa Mustafën në kreun e saj.

Pas shumë përplasjeve të cilat janë fol e përfol me muaj me radhë se në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së mund të fluturojnë karriget, LDK-ja si asnjëherë më parë e kreu këtë proces në mënyrë të qetë dhe pa shumë zë.

Ndoshta shumica u frymëzuan kur në vitin 2006 përnjëmend fluturuan karriqat, por edhe së fundi në disa qytete të Kosovës, kanë pasur përplasje mes vetë zyrtarët e LDK-së. Por siç duket problemet u tejkaluan në LDK!?

Edhe pse me zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar nuk u pajtuan disa figura të LDK-së, si Sabri Hamiti që dha dorëheqje nga politike, Shpëtim Bulliqi, Melihate Tërmkolli etj, të gjithë të tjerët ishin të “buzëqeshur” në ditën e sotme.

Ndoshta ka edhe të tjerë që buzëqeshjen e kishin fallco, megjithatë LDK-ja e ka kryetarin e saj edhe për katër vitet e ardhshme.

Por, çka tash?

Tash, LDK-ja si asnjëherë më parë duhet të ketë qëndrimin e saj të përpiktë, të menduar mirë dhe të mos e ndërroj si herëve të kaluara.

Kemi pas rastin të dëgjojmë gjithmonë para fushatave zgjedhore se “kurrë më me PDK-në”, ose “vija të kuqe për PDK-në”. Tash është momenti që këto vija të kuqe të mbahen për vite me radhë.

PDK-ja duhet të dal në opozitë bashkë me partitë tjera të komandantëve.

Kosova ka nevojë për ndryshime dhe këto ndryshime nuk mundet t’i bëjë vetëm LDK-ja pa ndonjë parti tjetër politike.

Si alternativë e LDK-së dhe si shpresë e Kosovës është koalicioni apo një marrëveshje politike mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa kandidati për kryeministër të jetë Albin Kurti, ose Vjosa Osmani, edhe pse kjo e fundit në sondazhin e gazetës “Bota sot”, doli humbëse përballë Kurtit.

Kosova duhet të bëhet. Kosova duhet të ndërtohet në shtyllat e saj më të forta të cilat i rrezikohen nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili është zgjedhur në këtë pozitë pas një marrëveshje me LDK-në e Isa Mustafës, e më pastaj me votat e PDK-së u rrëzua z. Mustafa nga pozita e kryeministrit.

LDK-ja u tradhtua për vite me radhë. LDK-ja u tradhtua edhe nga koalicioni i fundit, pra nga AKR-ja.

LDK-ja edhe pse ka pasur dhjetëra alternativa më të mira për zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie, ndoshta Isa është më i duhuri dhe njeriu që ndali përplasjet. Por nuk është gjithçka LDK-ja, përballë Kosovës.

LDK-ja është vetëm një parti, ndërsa Kosova është gjithçka për këta qytetarë të paktë të cilët kanë mbetur brenda Kosovës.

Për të mos u larguar edhe këta pak qytetarë nga Kosova, duhet që patjetër të mendohet seriozisht për alternativa të shumta në rritjen e mirëqenies sociale, rritjen ekonomike, në përmirësimin e gjendjes në shëndetësi, arsim dhe në fusha të tjera, e sidomos duhet që premtimet e viteve të shkuara të i përmbushin edhe pse me shumë vonesë. Pra, Kosova ka nevojë për vende të reja të punës, por jo me një pagë e cila jepet aktualisht nga shumë kompani vendore.

Për të ndalë migrimin e qytetarëve, Kosova duhet të mendoj që paga minimale të bëhet 400 euro, ndryshe vaj halli për Kosovën dhe shqiptarinë në përgjithësi!

Për fund, Kosova shpëton vetëm me një koalicion LDK-LVV me kryeministër Albin Kurti!

Kurti mund të jetë kryeministri më serioz që do të ndalte hajninë e madhe në institucionet e Kosovës dhe do të kishte guximin për të ngre padi ndaj të gjithë politikanëve dhe zyrtarëve pa marrë parasysh se cilës parti do t’i takojnë.

Kurti mund dhe do duhej bashkë me LDK-së që të shkatërroj krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Kurti mund të ishte “xhelati” për shumë “kriminelë” që përfituan milionët në krahë të luftës dhe lirisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat