A duhet LDK të bëjë koalicion me Vetëvendosjen apo jo?

Politika

A duhet LDK të bëjë koalicion me Vetëvendosjen apo jo?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 4 gusht 2019 Në ora: 23:00
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Përsëri Isa Mustafa është në krye të LDK-së. Ndonëse kishte ca dyshime, megjithatë pjesa dërrmuese e njerëzve dhe njohësve të zhvillime politike, ishin të bindur se Isa do të vazhdonte të udhëheqë partinë e themeluar nga Presidenti Rugova, për mandatin e tij të tretë. Megjithatë larg frymës garuese, në përgjithësi zgjedhja e Isës nuk krijoj divergjenca, me përjashtim të ish presidentit Sejdiu. Përtej kësaj, ajo çfarë mbetet kruciale, dhe përflitet në mjediset e qytetarëve të rëndomtë, por edhe anëtarësisë së LDK-së, ka të bëj me atë se kush do i prij LDK-së në fushatën për zgjedhjet nacionale.

Përflitet se është rënë dakordësi që garda e vjetër të vazhdojë të udhëheqë me partinë, ndërkohë që gjenerata e re në krye me Vjosa Osmanin,  do ta udhëheqë LDK-në në zgjedhje. Ndonëse, një gjë e tillë u mohua nga kryetari Mustafa, disa zëra nga LDK bëjnë të ditur këtë skenar. Megjithëse lind një paradoks në vetvete, nëse kryetari i partisë nuk nominohet për kryeministër, atëherë përse synonte postin e të parit të partisë. Në qelizën me të thellë politike gjithnjë synohet që kreu i partisë të udhëheq partinë, jo dikush tjetër të jetë kryetar, dikush tjetër të udhëheq partinë në zgjedhje.

Përderisa nuk kemi diçka zyrtare, të gjitha këto mbeten në formulën e mendimeve, megjithëse na  lind e drejta e gjithë botës të parashikojmë se si do të pasqyrohet një formulë e tillë tek votuesit. Pasi edhe zërat brenda LDK-së kanë përmendur një variacion të tillë. Në situatën aktuale në vend, edhe një formulë e tillë është e pranueshme për mos të krijuar divergjenca mes gjeneratave të partisë, kur dihet se ambiciet ishin të mëdha, si nga garda e vjetër, ashtu edhe ajo e re. Tani për tani LDK ka krijuar një stabilitet të sajin, që kundërshtarët e saj nuk e dëshirojnë, gjithsesi LDK, në të ardhmen duhet të ballafaqohet me ndeshje të gjeneratave të saja përmes garës. E vetmja është gara  dhe fitorja e shumicës ajo që përcakton se kush mbetet dhe kush jo, kjo funksionon në çdo vend të botës. Megjithatë t’i rikthehemi asaj se sa është LDK e përgatitur për të fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale.

Nëse LDK kandidon Vjosën për kryeministre gjasat janë të mëdha që të del fituese, por ekziston rreziku që mos të mund të krijoj qeverinë pa koalicion pas zgjedhor me ndonjë nga partitë e mëdha, dhe kur dihet se të gjithë kanë qellim postin e kryeministrit kjo bëhet edhe më e vështirë. Por, a do të jetë Vjosa ajo që do të sakrifikoj veten për të ia dhënë ndonjë partie tjetër, zatën VV postin e kryeministrit vetëm për të dërguar PDK në opozitë. Kjo mbetet për tu parë, me shumë skenarë të mundshëm, të pa sigurt asnjë dhe me kalkulime të ndryshme. Në anën tjetër, një koalicion me VV parazgjedhor do të thoshte fitore mbi 50 % për këtë koalicion, por posti i kryeministrit do të ishte problem, vetëm nëse arrihet kompromisi që dy vjet të jetë kryeministër nga VV dy të tjera nga LDK.  

Apo edhe variant tjetër, Albini kryeministër, Vjosa president pas Hashimit, të gjitha këto dhe shumë të tjera mbetën për tu parë. Një gjë me siguri mund ta themi se PDK po numëron ditët e fundit në pushtet, me opozitën që e pret në fundin e saj të tmerrshëm. Isa tha se s`do të bëjmë koalicion me PDK, por pritet që këtë ta dëshmoj në vepra, nëse eventualisht ndodh që të bëhet një koalicion me PDK, mund të themi lirisht se LDK do pësoj rrënim total. Çdo variant që dërgon PDK në opozitë është i mirëpritur, dhe me Vjosën që pritet t’i prij ndryshimit të madh. Tani është koha që të gjithë të mendojnë dhe punojnë për Kosovën. Mos incidentet në LDK ishin lajm i keq për PDK, që shpresonte të përsëritet skenari i 2006.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat