Drejt përballjes historike Vjosa Osmani-Albin Kurti për postin e kryeministrit

Politika

Drejt përballjes historike Vjosa Osmani-Albin Kurti për postin e kryeministrit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 5 gusht 2019 Në ora: 07:53
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, po konsiderohet si përballja më e fortë ndërmjet subjekteve politike, për postin e kryeministrit të Kosovës.

Me të mbaruar procesi zgjedhor brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kryetar i saj u zgjodh Isa Mustafa, filluan edhe kalkulimet se kush nga kjo parti, do t`i prijë listës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë. Vjosa Osmani, deputetja më e votuar e Kosovës, po vlerësohet si kandidatja më e denjë për udhëheqje me qeverinë.

Kjo, për faktin se në bazë të sondazheve të bëra nga gazeta “Bota sot”, Osmani po fiton bindshëm ndaj të gjithë kundër kandidatëve. Në një nga këto sondazhe, ajo ka mundur edhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Shahu: Osmani do të ishte më e denja për Kryeministre

Analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se nëse do duhej të zgjidhte dy persona në mes dy profileve të forta, Kurtit dhe Osmanit, ai do ta zgjidhte Vjosa Osmanin.

“Nuk e mendoj assesi Albin Kurtin si kryeministër të Kosovës, jo se mund të shembet bota, pasi me zi se i majti Hashim Thaçi nuk është as i majti Albin Kurti, por dyshoj se ai do të lejojë islamin radikal në Kosovë dhe burkat (shamiat) do të legalizohen. Thashë edhe më parë se nuk bëhet nami me Albinin, pasi e keqja e ka prekë fundin me komandantët e pasluftës dhe enveristet, por unë thjeshtë do zgjidhja Vjosën”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Bojaj: Vjosa Osmani mbetet opsioni më i mirë

Analisti politik Ramiz Bojaj, ka thënë se në përgjithësi shteti i Kosovës, e në veçanti LDK-ja kanë nevojë për gjak të ri.

Image
Ramiz Bojaj

“Edhe pse LDK-ja nuk arriti të kalojë nëpër një proces të duhur reformues, kjo parti ka nevojë që njerëzit e vet më kredibil t'i propozojë në pozita kyçe të udhëheqjes së shtetit. Në këtë kontekst, Vjosa Osmani mbetet opsioni më i mirë që LDK-ja ka, për të propozuar si kryeministre të Kosovës. Kjo nuk është vetëm dëshirë, por edhe nevojë e nderë. E para, një femër e dëshmuar për kredibilitet personal e intelektual, për guxim e mençuri, duhet të udhëheqë me pozitat më të larta të shtetit. Kjo edhe për faktin se Vjosa Osmani në zgjedhjet e kaluara ishte deputetja më e zëshme dhe më kundërshtuese ndaj fenomeneve klienteliste në parti, por edhe si kundërshtuesja kryesore e dukurive negative, në kohën e pushtetit të koalicionit paraprak LDK-PDK. Andaj, të vjetrit e partisë iu hakmorrën duke tentuar ta eliminojnë politikisht, por këtë nuk e lejuan votuesit. Edhe pse Osmani ishte eliminuar nga të gjitha organet drejtuese të partisë, e cila ishte futur krejt në fund në listën e LDK-së, ajo kishte arritur të marrë më se shumti vota, si femra më e votuar në Kosovë. Edhe në sondazhin e fundit të bërë nga gazeta kombëtare “Bota sot”, dihet se Vjosa Osmani ka fituar bindshëm përkrahje nga votuesit, ndaj të gjithë kundër kandidatëve të brendshëm të LDK-së, por edhe ndaj kundëkandidatëve të të partive tjera”, ka thënë Bojaj.

Sipas tij, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, do të ishte përballja më e madhe dhe më interesante për postin e kryeministrit të Kosovës, dhe kjo, padyshim që do të mund të sillte suksese dhe shpresë për shqiptarët dhe shtetin e Kosovës.

Mehazi: LDK-ja do bënte një veprim shumë të mençur sikur Vjosa Osmanin të zgjidhnin kryeministre të Kosovës

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, ka thënë se LDK-ja do bënte një veprim shumë të mençur, sikur Vjosa Osmanin të zgjidhnin kryeministre të Kosovës.

“Vjosa Osmani apo Albin Kurti për kryeministër do t ‘ishte ideale, një frymë e re për Kosovën, do bëhej një shkëputje e mrekullueshme e gardës së vjetër të kriminalizuar qeveritare nga ajo e reja e pa kriminalizuar. Këtu lind pyetja kush si kryeministër do të ishte më i mirë e më i begatshëm? Mendojmë se më e dobishme për qeverinë e Kosovës do të ishte, Albin Kurti, për shkak përvojës së tij politike të guximshme opozitare, mirëpo pa mos e anashkaluar dhe politikanen e re Vjosa Osmanin, e cila dita ditës po merr përkrahje politike jo vetëm nga partia e saj LDK-ja, por dhe nga popullata kosovare. Pengesë kryesore e stagnimeve integruese të Kosovës në instancat më të larta evropiane kanë qenë qeveritë radhazi të korruptuara, me Vjosa Osmanin apo Albin Kurtin ja shpresa sociale, ekonomike pse jo dhe psikofizike e popullit të Kosovës, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Rexhaj: Osmani, në politikë ka hyrë përmes klaneve e jo përmes aktivitetit në LDK-së

Image
Sali Rexhaj

Nga ana tjetër analisti politik Sali Rexhaj, ka thënë se është kundër që Vjosa Osmani të mbajë ndonjë post të rëndësishëm institucional, e aq më pak kryeministre.

Sipas tij, Osmani, në politikë ka hyrë përmes klaneve e jo përmes aktivitetit në LDK-ë.

“Vjosa personalisht mban përgjegjësi të madhe në izolimin e Kosovës, pasi mori pjesë aktive kundër demarkacionit dhe rrëzimit të Qeverisë Mustafa. Ndërsa VV e Kurtit duhet ndaluar me ligj pasi nuk e njeh shtetin e Kosovës, kjo vlen edhe për Listën Serbe. Sepse askund në botë nuk lejohet veprimtaria e subjekteve politike të cilat e mohojnë e luftojnë shtetin, e aq më pak financohen nga buxheti ato. Sondazhet e portaleve thënë drejt nuk kanë rëndësi aq të madhe, e as nuk janë tregues të disponimit dhe interesit të qytetarëve”, ka thënë analisti politik dhe veprimtari i LDK-së Sali Rexhaj.

Zogaj: Ende herët për kandidatura

Image
Skënder Zogaj

Kurse, analisti Skënder Zogaj, ka deklaruar se, ende nuk mund të flitet se cila do të jetë përballja finale për postin e Kryeministrit. Kjo për faktin se rezultati zgjedhor është faktori kyç që iu mundëson subjekteve politike të sintetizojnë qëllimet.

“E them këtë sepse fillimisht duhet të caktojnë emrat për kryeministra, gjë që varet nga një varg kushtëzimesh, nga të cilat mund të dal kryeministër edhe një zyrtar krejt anonim i një subjekti krejt të parëndësishëm. Madje edhe nga ndonjë zarfe, kështu që shpresa e shqiptarëve duhet të mbështetet tek dalja në zgjedhje, të votimi i lirë, dhe vullneti real për të nesërme më të mirë, e jo nga simpatia për gladiatorët që po defilojnë në arenën aktuale politike”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Haziri: Vjosa Osmani do të ishte një zgjidhje e mirë

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, ka thënë se gjendja e Kosovs është klinike dhe letargjike.

Image
Ismet Haziri

Sipas tij, kjo situatë intensive patjetër se kërkon një diagnostikim të saktë për një terapi shpresëdhënës që të`i kthehet shëndeti.

“Rrezikim i thellimit të një krize politike, kur kriza ekonomike e Kosovës po thellohet edhe më shumë për shkak të mungesës së zbatimit të politikave ekonomike si mungesë e strategjive dhe vizionit për zhvillim. Për ma shumë nuk shoh ndonjë perspektivë të ndryshimit, nëse Kosova nuk do të pëson ndryshime kadrovike dhe në veçanti nëse Kosova nuk gjen kuraje për ndryshime në politikë bërje. E vërteta është se në këtë aspekt ju është dhënë shanse si pleqve të LDK-së, po ashtu në edhe qeverisja PAN e stërmbushur me komandantë u tregua si shumë e pa aftë për një qeverisje ku do të i kthehej Kosovës shpresa për fokusim të zgjedhjes së problemeve të shumta, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen apo bisedimet e imponuar sipas kutit ndërkombëtar me Serbinë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

Sipas tij, duke u gjendur para situatave të vështira, populli i Kosovës kërkon ndryshime qenësore për të rivalizuar çdo qelizë të shoqërisë të cilat kanë pësuar deformime të jashtëzakonshme dhe që shumë nga ato janë të meta-stazuara.

“LDK, ka potenciale, ka figura të afta, energjike dhe të afërta e të besueshëm për elektoratin e popullin, një figurë e tillë, e pranueshme si nga brenda dhe jashtë është Vjosa Osmani. e cila po dëshmon jashtëzakonshëm, do të ishte një zgjidhje e mirë që si pjesëtare e partisë ma të madhe në vend, t`i jepet besimi i mandatarit për qeverinë e re që do të dalte nga zgjedhjet e reja. Ne nuk duhet të sillemi me mistrecizem politikë, në këtë rast do të ishte interesant dhe e dëshirueshme gara me Albin Kurtin, si një ideolog i ri i së majtës, por që domosdoshmërish është gjetja e një bashkërendimi programor me LDK për një koalicion që t`i japin Kosovës një qeveri punëtore, moderne, me dituri kohezive dhe me vullnet politik që mbërthen në veti edhe idealizëm shtetëror”, ka thënë njohësi i çështjeve police Ismet Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat