Hashim Thaçi “blenë” kohë në dobi të PDK-së

Politika

Hashim Thaçi “blenë” kohë në dobi të PDK-së

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 gusht 2019 Në ora: 18:12
Hashim Thaçi

Vendi është në një periudhë kur secila parti dhe secili lider po zhvillojnë mënyra të ndryshme për të qenë më afër qytetarëve dhe më shumë duke bërë për vendin. Por, së fundi ajo çfarë ka lënë përshtypje është thirrja e Kryesisë së Kuvendit nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, menjëherë pasi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili ka kërkuar nga kryetari i kuvendit, Kadri Veseli, që të propozojë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thirrur për të hënën (5 gusht 2019) mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku pikë e rendit të ditës do të jetë edhe përgatitja e seancës për shpërbërjen e Kuvendit.

Lajmi është konfirmuar nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Vendimi i Veselit, vjen disa orë pasi Presidenti i Kosovës,Hashim Thaçi, nëpërmjet një shkrese zyrtare, ka kërkuar nga bartësi i koalicionit fitues (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate), i zgjedhjeve të fundit, Kadri Veseli, që të propozojë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Diskutimet për formimin e qeverisë së re kanë ardhur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, meqë është ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Por, pas këtij akti të bërë nuk ka mbetur pa u komentuar as nga të tjerët, duke filluar nga politologu Ramush Tahiri, i cili reagoi menjëherë përmes një shkrimi në Facebook shtroi pyetjen se “a mund të ndodhë që Kuvendi ditën e enjte të mos ketë kuorum se përveç Listës serbe nuk do të vinte edhe një parti shqiptare në mbledhje dhe edhe nëse do të kishte kuorum, a thua në votim deputetët nuk do ta përkrahin shpërndarjen e Kuvendit”, duke e përfunduar këtë postim dhe pritur se çfarë do të ndodhë më pas.

Të kontaktuar pozita lidhur me këtë temë, nuk pranuan të flasin me arsyetimin se janë të zënë me ngjarjet e fundit.

Rugova: Javën tjetër do dihet data e zgjedhjeve të reja

Image
Naser Rugova

Naser Rugova, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për “Bota sot” tha që Thaçi dhe Veseli mund të bëjnë lojëra politike, mirëpo qeverisja PAN do të përfundojë:

“Thaçi e Veseli mund të bëjnë lojëra sa të duan, por një është e sigurt se qeverisja e PAN-it ka përfunduar dhe zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme”, tha Rugova.

Më tej, Rugova ceki që është e vendosur që të këto zgjedhje dhe se javën tjetër do të dihet data e zgjedhjeve të reja:

“Opozita dhe disa partner të koalicionit janë të vendosur për këtë, përkundër panikut të PDK-se javën tjetër do dihet data e zgjedhjeve të reja”, përfundoi Rugova.

Millaku: PDK nuk do të ekzistoj për një kohë 8 vjeçare

Image
Drita Millaku

Lidhur me këtë ngjarje deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Drita Millaku e pyetur se a mund të jenë këto thirrje vetëm zvarritje të zgjedhjeve, ajo tha  në një prononcim për “Bota sot” që këto lojëra të Thaçit nuk do kenë sukses dhe se PDK do të shkojë në opozitë:

“Lojërat e Thaçit kësaj here nuk do të kenë sukses, kuvendi shpërbëhet javën tjetër. Zgjedhjet janë në pjesën e dytë të shtatorit, për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë. Këto zgjedhje do të prodhojnë  ndryshimin e shumë pritur nga qytetaret.

Dhe e mira e gjithë kësaj është se PDK shkon në opozitë  dhe për një kohë 8 vjeçare kjo parti nuk do të ekzistoj, për shkak se klientela e saj janë votues të interesit personal”, përfundon Millaku.

Burjani: Shpërndaja e kuvendit nga vet kuvendarët, mund të ndodhë  si variant për të tejkaluar presidentin

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politikë dhe juridike, Blerim Burjani, tha që shpërndarjen e kuvendit e bën presidenti i shtetit pasi që takon partitë në konsultime:

“Nëse Veseli i shkruan Thaçit së bashku me PAN komplet e emër të këtij koalicioni, nënshkruhen tre partnerët e koalicionit se nuk dëshirojnë të vazhdojnë mandatin, shpërndarjen e kuvendit e bënë presidenti i shtetit, pasi që takon partitë në konsultime”, tha Burjani.

Më tej, juristi u shpreh që kuvendarët mund ta shpërndajnë kuvendin nëse presidenti nuk e bënë shpërndarjen:

“Shpërndaja e kuvendit nga vet kuvendarët mund të ndodhë  si variant për të tejkaluar presidentin, kjo mund të ndodhë nëse presidenti nuk e bënë shpërndarjen e kuvendit”, përfundon Burjani.

Mehazi: S’ka pse të përzihet Thaçi si Kryetar i Kosovës, kompetencat për zgjedhje i ka kryetari i parlamentit dhe deputetet e partive parlamentare

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, për “Bota sot” tha që pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nuk ka mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare:

“Pasi Haradinaj dha dorëheqje, parlamentit të Kosovës si ka mbetur asnjë veprim tjetër përveç zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, çdo veprim tjetër është mashtruese, stagnuese dhe e dëmshme për Kosovën”, u shpreh Mehazi.

Tutje, Mehazi tha që thirrja nga ana e Thaçit dhe Veselit shihet që janë lojëra politike dhe që janë dobi të tyre e kurrsesi në dobi të Kosovës:

“Si është e mundur Hashimi i Kadrisë fton koalicionin qeveritar për mandatar të ri, kurse Kadria i Hashimit thirr mbledhjen e kryesisë për shpërbërjen e qeverisë, hapur shihet se këto janë lojëra politike të Hashimit dhe Veselit në dobi të tyre e kurrsesi në të dobi të Kosovës.

Kundërshtitë e dy kryetarëve të shtetit dhe të parlamentit të Kosovës s'janë ndryshe përveç aktrimeve politike, dialogjet e kundërta bëhen nëpër skenat e teatrove për të krijuar konflikte dramatike”, tha Mehazi

Për fund, Mehazi tha që kompetencat për zgjedhje i ka kryetari i parlamentit dhe deputetet e partive parlamentare e jo Thaçi dhe se nuk pse të përzihet:

“Pra këta janë aktorë politikë nën regjinë e PDK-së. Nëse Kuvendi i Kosovës vendos për zgjedhje të jashtëzakonshme, s'ka pse të përzihet Thaçi si Kryetar i Kosovës, kompetencat për zgjedhje i ka kryetari i parlamentit dhe deputetet e partive parlamentare e jo Thaçi. Me siguri kundërshtitë ndaj njëri tjetrit janë të qëllimshme për të blerë kohë në dobi të PDK-së”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat