LDK nuk pranon koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen  

Politika

LDK nuk pranon koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen  

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 5 gusht 2019 Në ora: 21:20
LDK-VV

Pak kohë para se të binte qeveria Haradinaj, është përfolur një koalicion i mundshëm  parazgjedhor në mes të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Madje, kryetarët e të dy partive, Isa Mustafa dhe Albin Kurti janë takuar disa herë për të arritur një marrëveshje paraprake.

Por, takimet e shpeshta dhe intenzive në mes të kryetarëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes për të arritur një koalicion të mundshëm, pas rrëzimit të qeverisë, duket se nuk kanë sjellë rezultat.

Hoti: LDK e vetme në zgjedhje

Image
Avdullah Hoti

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për “Bota sot”, ka thënë se orientimi i LDK-së është të shkojë e vetme në zgjedhje. Ai, ka shtuar se besimi i qytetarëve në LDK është i madh dhe në rritje. Kësisoj, ai është i bindur se qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga LDK-ja.

“Orientimi i jonë është të shkojmë vetë në këto zgjedhje. Besimi i qytetarëve në LDK-në është i madh dhe në rritje. Prandaj, qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga LDK-ja”, tha ai.

Më tej, Hoti, megjithatë ka paralajmëruar se koalicioni do të shqyrtohet me kohë, por gjithmonë duke u bazuar në orientimi proevropian të Republikës së Kosovës, mbi parimet e fqinjësisë së mirë dhe të zhvillimit ekonomik.

“Koalicioni i ardhshëm pas zgjedhor do të shqyrtohet me kohë, por gjithmonë duke u bazuar në orientimin pro evropian të Republikës së Kosovës, mbi parimet e fqinjësisë së mirë, të zhvillimit ekonomik bazuar në ekonominë sociale të tregut”, tha Hoti.

Ndryshe, të dielën, është mbajtur edhe kuvendi zgjedhor i LDK-së, ku me aklamacion, Isa Mustafa është rizgjedhur kryetar i saj edhe për një mandat të ardhshëm.

“Dje kemi përmbyllur me shumë sukses zgjedhjet e brendshme, me unitet të plotë, me besim në njëri tjetrin, me besim në strukturat tona dhe në lidershipin e LDK-së”, tha Hoti.

Haxhiu: LDK duhet të vendos, nëse është me PDK apo me LVV

Image
Albulena Haxhiu

Nga ana tjetër, për deputetën e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, nuk është edhe aq me rëndësi se si do të vijoj situata sa është me rëndësi që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Së pari për ne është e rëndësishme që vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme, nesër në mbledhje të Kryesisë sërish do kërkojmë sa më shpejt të shpërbëhet Kuvendi”, tha ajo.

Nga ana tjetër, sa i përket koalicionit me LDK, Haxhiu, për “Bota sot”, tha se është diskutuar një koalicion i mundshëm në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së, por se akoma s’është marrë ndonjë vendim konkret.

“Sa i përket koalicionit me LDK, e kemi diskutuar,  ndonëse nuk kemi vendosur ende por jemi të hapur për këtë koalicion sepse konsiderojmë që është e nevojshme që opozita e tanishme, të jetë Qeveria e ardhshme. Aktualisht në Kosovë, janë dy pole, PDK që e ka kapur shtetin dhe është thellësisht e korruptuar dhe në anën tjetër ne si Lëvizje Vetëvendosje!, që e duam demokracinë dhe daljen nga kriza përmes zhvillimit, drejtësisë e barazisë andaj LDK duhet të vendos, nëse është me PDK apo me LVV. Fitorja do të jetë qoftë para zgjedhjeve, qoftë pas zgjedhjeve”, tha Haxhiu.

Krasniqi: Ky koalicion do t'i jepte fund perandorisë së Klanit Pronto, por është një problem

Image
Faik Krasniqi

Analisti i njohur Faik Krasniqi, për “Bota sot”, ka thënë se koalicioni mes LDK-së dhe VV-së, do të ishte koalicioni i shpresës dhe me i mirë në Kosovën e pasluftës.

Sipas tij, koalicioni në fjalë, do t’i jepte fund perandorisë së Klanit Pronto, por për t’u realizuar kjo është problem për shkak inateve politike.

“Ky koalicion do t'i jepte fund perandorisë së Klanit Pronto. Por është një problem. Në LDK një pjesë e mirë e kryesisë më shumë parapëlqejnë një koalicion me PDK-në, sepse duke qenë në koalicion me ta mundësia e keqpërdorimit të parasë publike dhe korrupsionit është i madh. Shto këtu edhe postin e kryeministrit, ku asnjëra palë nuk lëshon pe për këtë post”, tha ai.

Opsioni më i mirë sipas Krasniqit do të ishte që ajo parti e cila fiton më shumë vota t'i takojë posti i kryeministrit. Me PDK edhe një mandat në pushtet, sipas Krasniqit, do të ishte fatale për Kosovën dhe qytetarët e saj. Vazhdimësi e keq-qeverisjes, krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizmit dhe zbrazjes së Kosovës!

Rexhaj: LDK ka mundësi t`i përmirësoj gabimet e së kaluarës

Image
Sali Rexhaj

Për një koalicion të mundshëm qeveritar në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së, u shpreh edhe publicisti Sali Rexhaj i cili në mënyrë kategorike ishte kundër një marrëveshjeje të mundshme në mes të këtyre dy partive.

Publicisti Sali Rexhaj, për "Bota sot" ka thënë se ky koalicion nuk mund dhe nuk duhet të ndodh ngase Kurti nuk e njeh Kosovën shtet dhe se nuk e respekton figurën e ish-Presidentit historik Ibrahim Rugovës.

“Për mua nuk është i pranuar. VV nuk e njeh shtetin dhe Kurti përkulet te varri i Izetbegoviqit e injoron varrin e Rugovës”, ka thënë ai.

Duke marrë parasysh faktin që LDK-ja ishte në qeveritë e mëparshme, kryesisht në koalicion me PDK-në, sipas disa veprimtarëve, kësaj radhe e ka mundësinë që të përmirësoj gabimet e së kaluarës duke iu përafruar Vetëvendosjes, gjegjësisht Albin Kurti”, është shprehur Rexhaj.

Kelmendi: Listës t’i paraprijë Albin Kurti

Image
Betim Kelmendi

I këtij mendimi është veprimtari i çështjes kombëtare Betim Kelmendi, i cili ka thënë se LDK-ja e ka mundësinë që të përmirësoj vetën me Albin Kurtin.

“LDK-ja ka qenë disa herë në qeveri, me fajin e saj apo të partnerëve qeverisës, asnjëherë nuk ka dhënë ndonjë rezultat në të mirë të vendit. Kështu që, i vetmi opsion për të mirë të vendit është Vetëvendosje – LDK, por me të vetmin kusht: listës t’i paraprijë Albin Kurti, si personi më i votuar në Kosovë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat