Paralajmëron Lepaja: Situata po shkon drejt komplikimit e jo zgjidhjes

Politika

Paralajmëron Lepaja: Situata po shkon drejt komplikimit e jo zgjidhjes

Nga: G.B Më: 5 gusht 2019 Në ora: 22:45
Fadil Lepaja

Vjeshta pritet të jetë e nxehtë sa i përket zhvillimeve politike në Kosovë. Kjo, pasi në fund të shtatorit apo në fillim të muajit tetor pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, pas shpërndarjes së Kuvendit që do të bëhet me 22 gusht.

Por, sa janë të gatshme partitë të gjejnë konsensus sa i përket të ardhmes dhe çështjeve të rëndësishme për vendin, siç është dialogu me Serbinë, i cili prej muajsh nuk po zhvillohet?

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë se shpërndarja e kuvendit po vonohet për shkak të pushimeve të deputetëve, duke shtuar se kjo periudhë do të shfrytëzohet për negociata e koalicione të mundshme parazgjedhore.

“Zhagitja e votimit për shpërndarjen e parlamentit duhet shpjeguar me pushimin vjetor të deputetëve dhe me nevojën që të ketë kuorum për votim, pasi parlamenti sipas kushtetutës shpërndahet me votën e 2/3 të deputetëve. Gjithashtu, kjo kohë do të shfrytëzohet për negociata për koalicionet eventuale parazgjedhore, por edhe për mundësitë që të gjendet një kompromis për qeveri brenda këtij mandati. Nëse votimi del i pasuksesshëm atëherë topi prapë kalohet te presidenti i vendit, i cili vështirë se ka interes për zgjedhje të reja, pa një marrëveshje kumbarë i së cilës do të ishte ai vet”, ka thënë Lepaja.

Sipas tij, përpos Thaçit, as ndërkombëtarët nuk ishin për zgjedhje, andaj thotë se situata e krijuar nga dorëheqja nga Haradinaj mund të përfundojë në kushtetuese sërish.

“Edhe faktori ndërkombëtar nuk ishte shumë entuziast me zgjedhjet e jashtëzakonshme, prandaj, gjithë situata e krijuar nga dorëheqja e Haradinaj, mund të përfundojë sërish në kushtetuese dhe me një kompromis të domosdoshëm si rezultat i presionit ndërkombëtar”, ka vlerësuar ai.

Lepaja vlerëson se mundësia për të dalë nga kjo situatë është në dorë të LDK-së dhe ajo e pret ofertën që nuk mund ta refuzojë.

“Unë mendoj se mundësia për të dalë nga kjo situatë është në dorë të LDK dhe ajo pret ofertë të cilën e ka vështirë ta refuzojë. Mustafa, si zakonisht, mbetet mjeshtër i krijimit të situatave të pamundura dhe të faktorizohet përmes daljes sërish në krye të lojës, sikur me mandatin e kaluar kur e mori mandatin qeverisës edhe pse ishte përbetuar se asnjëherë nuk do bënte koalicion me "SHIK"-un””, ka theksuar ao.

Sipas Lepajës, situata mund të komplikohet sa të gjitha partitë përpos VV-së dhe AAK-së që të ketë një qeveri kompromisi, e që nga një situatë e tillë do të përfitonin LDK dhe PDK, e kështu kjo garniturë do ta suspendonte taksën dhe do të fillonte sërish dialogun.

“Pra, situata mund të komplikohet asisoji, sa që të gjitha palët me përjashtim të Vetëvendosjes dhe AAK, do të pajtohen për një qeveri kompromisi. Sidoqoftë, nga një situatë e tillë do të përfitonin kryesisht LDK dhe PDK, por edhe të tjerët do të ishin pjesë e kulaçit. Kjo garniturë do të suspendonte taksën, me kushte, dhe do të hapte sërish dialogun me ndoshta me mundësi një zgjidhjeje para përfundimit të mandatit të Vuçiç në Serbi dhe Thaçi në Kosovë”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat