PDK në ethe, e padëshiruar nga partitë tjera për koalicion

Politika

PDK në ethe, e padëshiruar nga partitë tjera për koalicion

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 7 gusht 2019 Në ora: 11:52
PDK

Rizgjedhja e Isa Mustafës në krye të LDK-së, i zbeh gjasat që ta kemi një koalicion në mes të LDK-së dhe VV-së.

Pas mbledhjes së kryesisë, krerët e partive politike kanë njoftuar se më 22 gusht do të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës, që çon në zgjedhje të reja. Por, ende nuk dihet se çka do të pritet prej këtyre zgjedhjeve dhe sa janë gjasat që PDK të largohet nga pozita bashkë me AAK-në dhe Nismën, me të cilët ishin në qeverisje deri më sot.

Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë ftesë të hapur LDK-së për koalicion parazgjedhor,ndërkohë që kjo e fundit po është shprehur kundër një koalicioni të tillë.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi, ka thënë se shpërbërja e Kuvendit do të duhej të bëhej shumë shpejt, por PDK me Veselin e Thaçin, kanë dashur të "blejnë" kohë për të bërë ndonjë Qeveri teknike, copa-copë.

“Zgjedhjet siç po shihet, më së shumti po i kërkon LDK dhe fare nuk po i do, vetëm PDK. LDK që ditën kur e mori pushtetin PAN, u rrit tej mase. Qytetarët e panë se ne ishim "viktima" të virtytit akademik të udhëheqësisë së LDK-së! Asnjë parti nuk e do koalicionin me PDK-në dhe me të gjitha parashikimet, ajo veçse ka rënë, madje as për opozitë.

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Zogiani: Fitorja arrihet më lehtë me një koalicion VV-LDK

Kurse, Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se ideja e tyre, është që nuk mjafton thjesht të fitohen zgjedhjet, pasi zgjedhjet duhet të fitohen bindshëm, kjo për shkak se aq keq është zhytur Kosova në krim e korrupsion, saqë kërkohet një legjitimitet i shkallës së lartë për ta transformuar.

Image
Avni Zogiani

“Kjo fitore arrihet më lehtë me një koalicion VV-LDK. Pra, nuk jemi duke folur thjesht për ta larguar PDK-në, por edhe për ta luftuar krimin e korrupsionin. Me fjalë tjera po flasim për transformimin e politikës. E për të ndodhur kjo kërkohet një legjitimitet i pakontestueshëm që pa asnjë problem arrihet me koalicionin VV-LDK-në”, ka thënë Avni Zogiani.

Mushkolaj: Çdo koalicion i mundshëm i ndonjë partie me PDK-në, garanton vazhdimin e kapjes së shtetit dhe keqqeverisjes

Analisti politik Imer Mushkolaj, ka pohuar se zgjedhjet duhet të prodhojnë rezultat për ta çuar PDK-në në opozitë.

Image
Imer Mushkolaj

Sipas tij, kjo bëhet e mundur po që se të gjitha partitë politike, e sidomos LDK vendosin vija të kuqe ndaj këtij subjekti.

“PDK është në pushtet tash 12 vjet dhe qëndrimi në opozitë do t’i bënte mirë edhe partisë, e më së shumti vendit. Çdo koalicion i mundshëm i ndonjë partie me PDK-në, garanton vazhdimin e kapjes së shtetit dhe keqqeverisjes”, ka thënë analisti politik Imer Mushkolaj.

Krasniqi: Një koalicion mes LDK-së dhe VV-së, do të ishte një koalicion i shpresës

Image
Faik Krasniqi

Politologu Faik Krasniqi ka thënë se një koalicion mes LDK-së dhe VV-së, do të ishte një koalicion i shpresës, apo një koalicion që “Klanin Pronto” do ta dërgonte në opozitë.

“Por rizgjedhja e Isa Mustafës në krye të LDK-së, i zbeh gjasat që ta kemi një koalicion në mes të LDK-së dhe VV-së, marrë parasysh që garda e vjetër e LDK-së e duan një koalicion me PDK-në, në mënyrë që të vazhdojnë avazin e vjetër të keqpërdorimit të parasë publike. Sidoqoftë, mbetet të shihet se Isa Mustafa dhe kryesia e LDK-së, a e kanë seriozisht dërgimin e PDK-së në opozitë, apo edhe kësaj radhe do e mashtrojnë elektoratin e saj”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Mehmeti: Kosova duhet me u qeverisë nga njerëz që nuk i kanë duart e përlyera me krim

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, Faton Mehmeti ka thënë se me Isën në krye të LDK-së nuk ka shumë shpresë së LDK do kthehet në pushtet, përveç se nëse përdor karremin e saj që quhet Vjosa Osmani.

Sipas tij, Vjosa shihet si shpëtimi i LDK-së, ndryshe kjo parti do të pësoj keq në zgjedhje.

“Kjo do i shërbente PDK-së për të vazhduar të mbetet në pushtet, nëse LDK nuk i vendos vija të kuqe kësaj partie. Gjithashtu edhe një koalicion me Vetëvendosjen do të ishte i mirëpritur nga qytetarët, vetëm për të larguar Klanin " Pronto", nga pushteti, që faktikisht ka kapur shtetin dhe ka rrënuar shpresën e qytetarëve të Kosovës. Kosova duhet me u qeverisë nga njerëz që nuk i kanë duart e përlyer me krim, që i bie që me çdo kusht mos me lidh koalicion me PDK dhe me Nismën, që është produkt i PDK-së. Nisma janë hajna njësoj si PDK, andaj me këto dy parti nuk duhet me lidh koalicion në asnjë mënyrë”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat