Reciprocitet apo nënshtrim ndaj Serbisë, a gaboi Kosova me vendimin pasaportat?

Politika

Reciprocitet apo nënshtrim ndaj Serbisë, a gaboi Kosova me vendimin pasaportat?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 gusht 2019 Në ora: 14:43
Pika kufitare në Merdarë

Vendimi që Kosova të mos e njohë pasaportën serbe, por vetëm letërnjoftimin e saj, ka ndarë në dy pjesë analistët dhe opinionin e gjerë.

Njëra palë e konsideron si të duhur këtë vendim, për faktin se edhe Serbia nuk e njeh pasaportën me emblemën e shtetit të Republikës së Kosovës.

Kurse pala tjetër, konsideron se me vendimin për mosnjohje të pasaportës së Serbisë, qeveria jonë “pajtohet” me Serbin, që Kosova nuk është ende e pavarur.

Analisti politik Sali Rexhaj, pohon se nëse kemi parasysh motivin se përse Serbia nuk i kërkon pasaportat tona, duke e konsideruar Kosovën si pjesë të Serbisë, ky hap i qeverisë sonë është tepër naiv.

Image
Sali Rexhaj

“Kjo do të thotë se edhe qeveria jonë pajtohet që Kosova nuk është ende e pavarur. Tjetër kuptim nuk shoh në këtë vendim. Por, kur kemi parasysh se si dhe nga kush udhëhiqet diplomacia e Kosovës, e cila jo se nuk solli asnjë njohje të re, po na u tërhoqën me dhjetëra, madje priten vendime të tilla naive. Pra, ky nuk është reciprocitet po nënshtrim ndaj Serbisë”, ka thënë analisti politik Sali Rexhaj.

Kelmendi: Këtu nuk është fjala për reciprocitet

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi ka thënë se lidhur me letërnjoftim është logjike dhe juridike të mos njihet, sepse është fjala për qytetarët e Kosovës, të cilët duhet domosdo në Kosovë të pajisen me letërnjoftimin e vendit.

“Sikur te merrej vendimi për pasaportë, duhet domosdo të futet reciprociteti. Kjo, për faktin se kështu imponohet njohja e pasaportës se Kosovës nga Serbia dhe anasjelltas, nga Kosova te Serbisë. Këtu është reciprociteti”, ka thënë profesor Muhamet Kelmendi.

Haziri: Nuk ka reciprocitet në këtë ide

Image
Ismet Haziri

Kurse njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri ka thënë se është mirë që të zbërthehet filozofia e reciprocitetit, në mënyrë që të merren vendime të drejta edhe në politikë.

“Në ketë rast do të doja të potencoja vendimin e individit për reciprocitet dhe qëllimin e tij në ketë situatë politike e fushat elektorale. Pra, ta zbërthejmë qëllimin, ku përcaktues duhet të jetë interesi shoqëror, apo të interesave që krijohen në kohë e hapësirë. Pra, është e rëndësishme se a po e bëjnë punën e duhur, institucionet tona, a po janë të fokusuar me vendimet e veta në interesin e përgjithshëm që është primare, apo janë të lidhura me mentalitetin egoist në dëm të jetës publike dhe të shoqërisë në tërësi”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, politikanët duhet të bëjnë politika të përparuar, që krijojnë favore për qytetarin e që e forcojnë kredibilitetin e Kosovës si shtet serioz, por disa vendime thuaja se janë shumë foshnjore, formale dhe shumë dekorative, pa relevancë dhe që për asnjë moment nuk e godet Serbinë, sikur që është vendimi për mosnjohjen e pasaportave.

“Thënë shkurt nuk e kam idenë e reciprocitetit në ketë rast, duke e analizuar funksionin apo rolin e pasaportës, që për asgjë tjetër nuk shërben, vetëm sa me dëshmuar identitetin personal për te kaluar një barrierë të quajtur kufi. Pra, si pyetje nga mentori i kësaj ideje është se çka ka arritur me ketë reciprocitet, cilën pasojë e bart Serbia si shtet, përveç se një bajraktar i Kosovës të flet në oda të burrave për aktit patriotikë siç themi ne thonjëza. Për idenë time reciprocitet do të ishin çështja e tabelave, ose pse neve Serbia na ka obliguar të i kemi dy lloje tabelash apo targa të regjistrimit ose pse ajo na obligon për një lloje të tabelave të paguajmë, këtu ka hapësira reciprocitetit, është për keqardhje se zyrtaret ton merren me ide koti”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

Haziri: Ky vendim është një hap i duhur i autoriteteve shtetërore të Kosovës

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se ky vendim është një hap i duhur i autoriteteve shtetërore të Kosovës për të vënë reciprocitet të plotë me Serbinë, në të gjitha ato segmente ku Serbia paraqet pengesa palës së Kosovës.

Ai konsideron se ky do të ishte një hap i nevojshëm që të aplikohet edhe në sferat e tjera në raport me Serbinë.

“Mendoj se do ta zëvendësonte edhe taksën e vënë prej 100 % për mallrat nga Serbia dhe BH. Andaj një veprim i tillë, nuk mund të konsiderohet si i padrejtë edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare, e sidomos nga partnerët tanë ndërkombëtar, pasi shtetet sillen komfor njëra-tjetrës në reciprocitet të plotë. Andaj edhe kësaj herë e përsërisë atë që e kam thënë edhe më par, se duhet doemos të hiqet taksa ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe BH, dhe në vend të saj të aplikohet reciprocitet i plotë me Serbinë, por edhe me BH”, ka thënë opinionisti Nexhat Haziri.

Mehazi: Duhet të ketë reciprocitet

Image
Sulejman Mehazi

Kurse njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë se, pas taksave, veprimi i dytë shumë i mirë i qeverisë së Kosovës është mosnjohja e pasaportave serbe, pasi serbët s'marrin vesh ndryshe.

Sipas tij, Qeveria e Brnabiqit vetëm në këtë mënyrë mund të vetëdijesohet për humbjen e Kosovës.

“Jo vetëm kaq, po veprimet e qeverisë së Kosovës duhet të jenë edhe më të thella e më mohuese kundrejt Serbisë. Dhe jo vetëm pasaportat, por edhe letërnjoftimet serbe nuk duhet njohur, të keqen serbe duhet mundur më të keqe, vetëm në këtë mënyrë ata mund t'i dorëzohen qeverisë së Kosovës, me mirësi e me marrëveshje me ata nuk shkon. Andaj duhet patjetër të ketë reciprocitet, nëse ata s'pranojnë lëvizje e shtetasve të Kosovës me pasaportë të Kosovës, atëherë pse Kosova mos të vepronte me të njëjtën masë. Për popullatën kosovare s'janë aspak problem lëvizjet jashtë Serbisë, ja Shqipëria e Mali i Zi, bile dhe lëvizjet do jenë më të rehatshme e më të sigurta”, ka thënë Sulejman Mehazi.

Shahu: Çdo vendim politik i tillë është i mirëpritur

Image
Rexhep Shahu

Kurse, analisti politik Rexhep Shahu, ka pohuar se çdo vendim është i fortë dhe i duhur nëse tregon e provon e shtetësinë, forcë, dinjitet, krenari imponim për reciprocitet, në mënyrë që Kosova të trajtohet e barabartë me Serbinë, e jo si vasale e saj.

“Pra çdo vendim politik i tillë është i mirëpritur e duhet mbrojtur. Por gjërat duhet bërë, e jo të thuhen por të bëhen”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat