Deputetët pasiv i pret ndëshkimi me votë - Bota Sot
Deputetët pasiv i pret ndëshkimi me votë

Politika

Deputetët pasiv i pret ndëshkimi me votë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 gusht 2019 Në ora: 20:51
Kuvendi i Kosovës

Më 22 gusht është caktuar seanca për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, që ndodhi rreth dy javë më parë.

Por, ky gjysëmandati i legjislaturës që nisi punën në vitin 2017 po konsiderohet mjaft i dobët sa i përket miratimit të ligjeve dhe çuarjes përpara të shumë çështjeve me rëndësi për vendin. Për këtë arsye, njohësit e çështjeve politike, po konsiderojnë se deputetët që nuk punuan përgjatë këtyre dy viteve, duhet të ndëshkohen me votë në zgjedhjet e ardhshme.

Voca: Përderisa nuk vetëdijesohet sovrani, prapë do të shohim legjislatura të dobëta

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, ka thënë për “Bota sot”, se deputetët që nga pas lufta kanë qenë më të dobëtit dhe se nuk janë treguar fare të përgjegjshëm dhe ka përmendur numrin e madh të dështimeve të seancave vetëm për shkak të, mungesës së kuorumit:

Image
Mirsad Voca

“Si nga aspekti Intelektual apo profesional këta deputetë janë ma të dobëtit që nga paslufta.

Puna e kësaj legjislature në ikje sigurisht se mund të konsiderohet si më e dobëta nga të gjitha tjerat. Kjo nuk nënkupton se të tjerat kanë bërë ndonjë punë të madhe.

Këto lloj legjislaturash e qeverisjesh që nga paslufta nuk janë treguar të përgjegjshme si nga aspekti institucional ashtu dhe përball sovranit që i ka votuar. Sa e sa seanca të panumërta kanë dështuar vetëm pse nuk ka patur kuorum”, tha Voca.

Më tej, Voca u shpreh që këto lloj legjislaturash janë në shërbim të partive politike që po e mbajnë peng institucionet e vendit dhe sipas Vocës, sovrani tashmë duhet të zgjedh me votën e tij përfaqësimin sado pak më të denjë:

“Lirshëm mund të themi se këto lloj legjislaturash janë në shërbim të atyre partive politike që po i mbajnë peng institucionet e vendit, duke punuar vetëm në favor të tyre.

Ato pak punë që janë kryer e të cilat kanë qenë procese më shumë që shkojnë në favor të partive në rrethana zgjedhjesh, nuk kanë fort rëndësi për qytetarin e Kosovës. Mendoj se përderisa nuk vetëdijesohet sovrani, prapë do të shohim legjislatura të dobëta, dhe do të vazhdon mbajtja peng e institucioneve të Shtetit nga liderë të papërgjegjshëm dhe përfaqësues të dobët, neglizhentë e mospërfillës. Natyrisht se tani është momenti kur sovrani me votën e tij të ngulmoj që vendi të krijoj një përfaqësim sado pak më të denjë, duke pasur shpresë se nuk do të ketë manipulim votash siç është praktikuar rregullisht në zgjedhjet e mëparshme”, u shpreh Voca.

Voca, pastaj tregon që vota e lire dhe pjesëmarrja e shumicës në zgjedhje është bazamenti i një vendi demokratik dhe që mos dalja në zgjedhje kemi një kapje të shtetit që punojnë vetëm për interesat e tyre:

“Bazamenti i një vendi demokratik është vota e lirë qytetare dhe pjesëmarrja e shumicës absolute në zgjedhje mbi të cilin themel ndërtohet fryma demokratike qytetare, ndërsa në gati të gjitha zgjedhjet e kaluara jemi ballafaquar me mos dalje masive në zgjedhje. Si rezultate, me një praktikë të tillë të mospjesëmarrjes në votim, kemi një kapje të Shtetit nga grupe që punojnë ekskluzivisht vetëm për interesa të tyre”, tha Voca.

Në fund, Voca shprehet që vendi ka njerëz të përgatitur dhe se qytetari duhet vetëm të vetëdijesohet dhe të zgjedhë të duhurin, të shpresojmë që sovrani të jetë i vetëdijshëm për zgjedhjen dhe për mbrojtjen e votës së tij:

“Pastaj, besoj se secila parti ka njerëz të përgatitur nga aspekti profesional, mirëpo qytetari duhet të vetëdijesohet dhe të zgjedh figura më të duhura në listat zgjedhëse e jo t’u jap votën atyre pesë figurave që i paraprijnë listës.

Le të mbesim me shpresë se Sovrani tani është edhe më i vetëdijesuar jo vetëm për të zgjedhur por dhe për të mbrojtur votën e tij”, përfundoi Voca.

Haziri: Legjislatura më e dobët në këtë 20 vite gati të paralamentarizimit në Kosovë

Image
Nexhat Haziri

Njohësi politik, Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, tha që kjo është legjislatura më e dobët dhe se nuk i kanë të përmbushur as 25% agjendën e punës së vendit dhe se

përfaqësimi i disa individëve, jo të paktë që kanë dosje kriminal dhe aktakuza e devalvojnë vendin:

“Është padyshim se legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, një nga më të dobëtat në këtë 20 vite gati të paralamentarizimit në Kosovë. E gjithë puna e kësaj legjislature për dy vite kufizohet vetëm me 28 ligje të miratuara nga 144 të parapare, dhe marrë në total diku bije që kjo legjislaturë nuk e ka përmbushur me shumë se 25 % agjendën e punës së institucionit më të lartë ligjvënës në vend.

Kjo është edhe një pasqyrë se kush i përfaqësojnë qytetarët dhe interesat e tyre, që flet shumë se zgjedhjet e ardhshme , qytetarët duhet të jenë mjaftë të vëmendshëm se kë po e mandatojnë më votën e tyre si përfaqësues të interesit qytetar. Por duhet të kihet parasysh edhe një faktor tjetër kur flasim për përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës dhe duhet thuhet hapur se në këtë institucion në mënyrë të padrejtë dhe anti-demokratike e anti-civilizues, e që nuk është e shëndetshme as për zhvillimin demokratik të vendit, përfaqësimi i disa individëve, jo të paktë që kanë dosje kriminal dhe aktakuza , e që devalvojnë jo vetëm rolin e deputetit, por zbehin edhe imazhin e institucionit të kuvendit”, tha Haziri.

Lidhur më shtyrjen e seancës që do të shpërbëhet legjislatura deri më 22 gushtë u shpreh që është bërë për interesat e deputetëve dhe që zhvatin buxhetin e shtetit me taksat e qytetarëve:

“Ndërsa sa i përket shtyrjes së seancës që do të votohet shpërbërja e kësaj legjislature deri më 22 gushtë, është bërë pikërisht për interesat e deputetëve që atyre u njihet një mandate i plotë, përkundër që Kosova është në një situatë të rënd politike dhe institucionale, mirëpo këtyre përfaqësuesve të qytetarëve kur janë në pyetje interesat e tyre individuale, nuk iu bënë fare përshtypje. Këta thjeshtë janë zhvatës të buxhetit të shtetit që mbushte me taksat e qytetarëve tanë”, përfundoi Haziri.

Ahmeti: Kjo legjislaturë është e dështuar, dhe mund të llogaritet ndër legjislaturat më të dobëta

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, për “Bota sot” tha që legjislatura e tanishme është e dështuar dhe më dobëta që pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe se përfaqësuesit e popullit nuk përfaqësojnë as vullnetin e as zërin e popullit por interesat politike të tyre:

“Gjykoj se kjo legjislaturë është e dështuar, dhe mund të llogaritet nder legjislaturat më të dobëta të pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Dëshmia më e madhe është humbja e vullnetit politik dhe përkushtimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për t’i dërguar proceset e rëndësishme përpara. Është për keqardhje kur përfaqësuesit e popullit nuk përfaqësojnë vullnetin dhe zërin e popullit, por interesat e tyre personale e politike”, tha Ahmeti.

Në lidhje më mungesën e kuorumit në Kuvendin e Kosovës, Ahmeti u shpreh që është shembulli më i keq por vetëdijsues njëkohësisht për qytetarët që të zgjedhin njerëzint me vullnetin e qytetarëve dhe se atu ku preken interesat personale te deputetëve atu përfundon vullneti politik:

“Mungesa e kuorumit në Kuvendit të Kosovës është dëshmia më e madhe se kjo legjislaturë duhet mund të jetë shembull për të keq, dhe njëkohësisht do të përkthehet në vetëdijesim qytetarë për ndëshkim në baza racionale e konceptuale, dhe përfundimisht të zgjedhën njerëz të cilat përfaqësojnë vullnetin qytetare, shtetëror, kombëtar e nacional.

Lidhja e strukturuar, hierarkike dhe e orkestruar në mes krimit dhe politikes, domosdo stagnon procese të rëndësishme të cilat mund të përkthehen në pastrimin të skenës politike nga veprat kriminale. Aty ky preken interesat e ngushta personale, politike të deputeteve, ministrave apo politikanëve me ndikim në skenën politike kosovare, aty përfundon vullneti politik e institucional për të vazhduar me tutje”, tha Ahmeti.

Më tej, Ahmeti tha që interesat reciproke të partnerëve të koalicionit janë dëshmi për stagnimin e rregullativës ligjore dhe se është momenti ideal që qytetarët e vendit të shohin fytyrat e vërteta dhe frymën e mbrapsht të qeverisjes:

“Kalkulimi në baza të interesave reciproke të partnereve të koalicionit është dëshmia më e madhe e stagnimit të rregullatives ligjore anti-krim, e cila do të ishte një rrugë e mirë për procesin e konsolidimit të shtetësisë dhe pastrimin e politikës nga krimi. Kompromise të tilla politike në dëm të trupit publik dhe njëkohësisht heshtja në mënyrë tinëzare e koalicionit PAN , duke amnistuar veprat kriminale dhe zgjatjen e bashkëjetesës në mes krimit dhe politikes është absurd i llojit të vet. Është moment ideal që qytetarët e Republikës ta kuptojnë fytyrën e tyre të vërtetë dhe frymën e mbrapsht të qeverisjes, e cila do të jetë një dëshmi e mirë për ndëshkim në baza racionale e konceptuale, por mbi të gjitha do të përkthehet në disiplinim të partive politike e në veçanti të politikanëve karrierist”, u shpreh Ahmeti.

Për fund, Ahmeti, përmendi procesin e ndërtimit të shtetit me përkrahjen e ambasadorëve e duke mos thënë që shteti duket të përkthehet në rrugën Euro-Atlantike dhe në baza të interesave politike e jo në shtetërore e nacionale:

“Aventura të tilla politike nga struktura politike përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës, duke mos marr për bazë thirrjet e sinqerta të ambasadorëve, është pak sa e çuditshme, në njërën për shkak së përkrahja e tyre e sinqertë në procesin e ndërtimit të shtetit duhet të përkthehet në rrugën Euro-Atlantike e jo çdo veprim politik i tyre të kalkulohet në baza të interesave politike e jo në interesa shtetërore e nacionale”, përfundoi Ahmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...