Koalicioni LDK-Vetëvendosje do ta çlironte Kosovën për herë të dytë

Politika

Koalicioni LDK-Vetëvendosje do ta çlironte Kosovën për herë të dytë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 gusht 2019 Në ora: 08:10
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Koalicioni parazgjedhor i opozitës do ta shpëtonte Kosovën dhe do ta çlironte atë për herë të dytë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar ka gjasa që partitë të cilat sot janë në opozitë, të formojnë Qeverinë e re të Kosovës me një shumicë të qëndrueshme që u bën ballë temave të mëdha me të cilat po ballafaqohet vendi.

Njohësit e çështjeve politike, konsiderojnë se një nisme të tiillë mund t`i dalin disa pengesa përgjatë rrugës.

Kryeneçësi e Vetëvendosjes dhe interferenca nga parti të tjera në LDK  

Image
Kushtrim Kadriu

Analisti politik Kushtrim Kadriu, ka thënë se gjasat janë goxha të vogla pasi që ka një luftë dhe garë të madhe për postin e kryeministrit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Sipas tij, këto dy subjekte duhet pa tjetër të unifikohen dhe ta bëjnë me rotacion pozitën e kryeministrit, dy vitet mundet ta ketë njëra dhe dy vite partia tjetër.

“Pengesë mundet të jenë interferencat nga partitë e tjera brenda LDK-së, si dhe kryeneçësia e Vetëvendosjes mundet të sjell një mos arritje të marrëveshjes në mes këtyre dy partive. Andaj Kosova ka nevojë për një qeverisje ndryshe dhe stabile. Kurse, blloku tjetër shumë shpejtë mundet të merret vesh dhe të vazhdoi ashtu siç ishin të marrë vesh gjatë PAN-it e pjesën e opozitës ta lër në gjumë”, ka thënë analisti politik Kushtrim Kadriu.

Maloku: Pengesë, kandidati për kryeministër

Image
Albinot Maloku

Kurse, politologu Albinot Maloku, ka thënë se është një rekomandim nga instanca të ndryshme, i mbështetur nga mendimi se opozita aktuale po u bashkua mund të jetë ndryshimi dhe alternativa e duhur për vendin.

“Duke e parë gjithë eksperiencën politike të opozitës aktuale, konsiderojë se prapë ato nuk mund të futën në një thes. Lidhja Demokratike e Kosovës veç faktit që bëri një pauzë nga të mos qenurit në pushtet, ajo me procesin e vet zgjedhor nuk ofroi asgjë kreative e të re. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje është opozitë, e cila ka një konsistencë në qëndrime për tema që e preokupojnë edhe qytetarin e Kosovës, edhe krizën e pozicionit aktual të shtetit të Kosovës në dialogun me Serbinë. E njëjta ka shprehur gatishmërinë të futët në një koalicion parazgjedhor me LDK-në, mirëpo seç nuk i shoh të kenë edhe aq pika të përbashkëta vepruese në skenën politike të vendit”, ka thënë Maloku.

Sipas tij, ajo çfarë e shoh pakontestueshëm të shëndetshme për demokracinë në vend, është që të gjitha subjektet politike të shkojnë të ndara e veç e veç në zgjedhjet e parakohshme.

“Kjo gjë do t’ia tregonte vendin secilit subjekt politik realisht. Pengesë për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, padyshim që mund të jetë kandidati për kryeministër. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje me të drejtë mund ta kërkojë këtë pozicion. LDK-ja mund të mos jetë e kënaqur është shprehur politologu Albinot Maloku.

Ahmeti: Dy partitë më të mëdha opozitare e kanë shansin, mundësinë , potencialin intelektual e politik për ta drejtuar vendin

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse analisti politik Hidajet Ahmeti, konsideron se është e natyrshme që pozicioni opozitar është më i favorshëm për formimin e Qeverisë së ardhshme, duke u pozicionuar në një front të përbashkët dhe harmonizim të politikave programore.

“Megjithatë çdoherë duhet të kalkulohet politikisht, pasi kemi një precedent nga Gjykata Kushtetuese për mandatarin e formimit të Qeverisë, i cili ka prodhuar një klimë jo aq të favorshme në skenën politike kosovare. Kjo diskrepancë e krijuar në raport me realitetin faktik ka ngjallur apetitet e partive politike për koalicione parazgjedhore, të cilat me çdo kusht bëjnë kalkulime politike për të dalë të parët. Gjykoj se kjo është një precedent i pashembullt demokratik dhe i cili nuk prodhon as koalicione parimore, stabilitet politik qeveritar, por as hierarki institucionale të mirëfilltë, pasi legjitimiteti i të parit të Qeverisë po kontestohet përmes pazareve politike”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Sipas tij, momentumi politik nxjerrë favorit dy partitë më të mëdha opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në , të cilat potencialisht do të jenë determinues në fatin e shtetit të Kosovës, por nëse interesat partiake e personale i vendosin në rend të parë, prapë mund të përsëritet një skenar i njëjtë politik i pazareve politike të “territ”.

“Dy partitë më të mëdha opozitare e kanë shansin, mundësinë, potencialin intelektual e politik për ta drejtuar vendin, por duhet të veprojnë më vigjilencë e racionalitet, e jo të nxjerrin në sipërfaqe ambiciet personale e partiake”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Maxharraj:LDK dhe VV e kanë shansin historik për ndryshimin e vendit

Image
Prof. Dr. Binak Maxharraj

Analisti politik profesor Dr. Binak Maxharraj, ka thënë se koalicioni parazgjedhor i opozitës do ta shpëtonte Kosovën do ta çlironte për herë të dytë.

Kjo sipas tij, se jeta politike në Kosovë është shumë e brishtë, pasi në Kosovë. nuk behët një jetë politike e mirëfilltë.

Ai  ka theksuar se, strumbullari i të gjitha këtyre të këqijave e ka një emër të përbashkët, “PDK” e cila e shkatërroi dhe e dëmtoi shtetin me skandalet dhe aferat e “Klanit Pronto” më një qeverisje të keqe.

“Kësaj më shumë i ka kontribuar edhe vet lideri i saj Presidenti Hashim Thaçi, i cili bëri shumë dëme gati të pariparueshme Kosovës si brenda ashtu edhe jashtë i cili edhe ia hupi reputacionin Kosovës me manirët e tij, prej manjaku të cilat edhe po e qojnë më shumë drejtë shkatërrimit të Kosovës së drejtë prosperitetin te saj. Pra, ky njeri i cili është i kapur nga agjentura e jashtme mafioze, sidomos të atyre serbe, e kanë zënë rob me shumë dosje. Ky njeri është i vetmi President në botë, i cili lufton për shkatërrimin e jo ndërtimin e shtetit të vet për interesa te shtetit tjetër Serbisë vrastare. Andaj, jam skeptik se Kuvendi do të shpërndahet me 22 gusht, sepse këtë nuk e dëshiron PDK-ja, ani pse deklarohet për, por këtë më shumë nuk e dëshiron despoti Presidenti Hashim Thaçi, i cili për nevojat e tij personale do të mundohet ti bëjë të gjitha dallaveret e mundshme që vendi të mos shkojë në zgjedhje”, ka thënë profesor Maxharraj.

Sipas tij, këtë e vërteton fakti se ai qysh tani po hulumton për një Kryeministër për të formuar një Qeveri të përkohshme, për të vazhduar “sundimin e tij despotik”,

“Por tashti shtrohet pyetja kurciale ku është opozita, në çfarë rrafshi politik të bashkëpunimit gjendet?! Opozitën e përbëjnë dy subjekte të mëdha politike LDK dhe LVV, por aty janë më një këmbë edhe rebelët e LVV të konvertuar ne partin e Kaqusha Jasharit PSD. LDK dhe LVV qe sa kohë janë duke bërë luftë të brendshme për primat në stilin se kush është kush, e kush je ti, e kush jam unë, në lojën se unë jam parti më e madhe se sa ti, etj, etj. Pra në vend se t`i kthehen realitetit, dhe ti kthehen shansit historik që ju ka ardhur, kur pozitën e shtruar për tokë për t`ia dhënë grushtin e fundit, këta bëjnë luftë budallaqesh duke u shty më njëra tjetrën në stilin egoist se LVV nuk po shkon të varri i Ibrahim Rugovës, ndërsa tjetra se pse nuk po shkon te varri i Adem Demaqit. Ky është aq nivel i ulët i dialogut dhe kulturës së këtyre dy partive, ani pse Hashim Thaçi sot e kësaj dite përkulet, jo nga respekti, por nga frika, para përmendoreve të çetnikëve serb ku thuhet së këta i vranë terroristet shqiptarë. Por kjo nuk e çuditshme kur është në pyetje Hashim Thaçi”, ka thënë profesor Binak Maxharraj.

Ai më tej ka shtuar se këto dy subjekte politike, pra LDK dhe LVV janë para një vendimi historik për fatin e Kosovës.

“Kur bisha e quajtur PDK-së veç është shtrirë për tokë dhe askush më nuk ia non mendjen, për këto dy parti ka ardhur  çasti që të godasin fortë e ashpër që te ia marrin edhe frymën e fundit bishës PDK për ta nxjerrë dhunshëm në opozitë nga e cila nuk mund te dalë për kohë të gjatë. Prandaj, bashkëpunimi midis këtyre dy subjekteve politik LDK dhe LVV është një rast i veçantë, është historik. Në vend që të gjuhen me shigjeta ato duhet t`i ulin ato dhe të ulen e të merren vesh për një çështje madhore për kombin dhe Kosovën, që të bashkohen në zgjedhjet e parakohshme për t`i fituar këto zgjedhje bile bindshëm. Këto dy parti qe sa kohë po bisedojnë mes vete, me disa ndërskamca, por ende nuk po munden të merren vesh”, ka thënë Maxharraj.

Sipas tij, nyja e Gordit është egoja e tyre për postin e kryeministrit.

“Por, këtu opozita është para një dileme hamletiane, të jesh apo të mos jesh. Që të jesh duhet të bashkoheni në zgjedhjet parakohshme për ta qitur bishën e PDK-së në opozitë. Pra nuk ka çështje më madhore sot për kombin dhe Kosovës se sa ta heqësh qafe këtë kulqeder e cila për pak se nuk e përpiu Kosovën për këto 20 vite. Dhe mu për këtë arsye opozita duhet të bashkohet fuqishëm nëse vërtet dëshirojnë ta arrijnë këtë qëllim dhe ta shpëtojnë Kosovën. Krimi i koalicionit parazgjedhor do të arrinte këtë qëllim që më pas ta formoj një qeveri të re e cila siç thotë Kurti do ti ndryshonte lajmet e mbrëmjes, dhe do të qonte mesazh të mira pa skandale dhe afera të ndryshme siç janë mësuar të dëgjojnë për çdo natë”,  është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat