Misioni i rrejshëm dhe i pamundur i Kadri Veselit - Bota Sot
Misioni i rrejshëm dhe i pamundur i Kadri Veselit

Politika

Misioni i rrejshëm dhe i pamundur i Kadri Veselit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 13 gusht 2019 Në ora: 14:11
Kadri Veseli

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se nëse i fiton zgjedhjet dhe bëhet kryeministër i Kosovës, atëherë nga Qeveria e tij do të largojë të gjithë të korruptuarit.

Por se si do i largonte të gjithë të korruptuarit, kur partia e tij dyshohet se është kryesorja në kapjen e shtetit dhe të gjitha institucionet duke përfshirë ato më të rëndësishme si drejtësinë, prokurorinë e gjyqësinë?

Analistët politik kanë vlerësuar se kjo është një deklaratë sa për konsum politik, pasi këto ditë është një hapje e parakohshme e fushatës zgjedhore nga Kadri Veseli. Sipas tyre, deklaratat e Veselit janë zero dhe një marketing para zgjedhor.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Imet Rrahmani, ka thënë se lufta më e mirë dhe më efikase kundër korrupsionit dhe nepotizmit, apo kundër kapjes së shtetit, është që PDK të shkojë në opozitë të gjatë.

“Deklarimet se nëse marrin rishtas pushtetin do të përmirësohen jo që nuk besohen nga askush në Kosovë, por mund të konsiderohen tallje me votuesin. Spektaklet e tilla elektorale u panë sa patën sukses te "pastrimi" i partisë nga ata që kanë probleme me ligjin. Tek e fundit e kuptueshme, sepse pothuajse asnjë nga ata që në njëfarë forme ishin në pozita dhe pushtet, nuk ka shpëtuar pa hy në ujëra që nuk notohej”, ka thënë deputeti Rrahmani.

Image
Imet Rrahmani

Millaku: Si mundet një super i korruptuar ta luftojë korrupsionin

Kurse deputetja e VV-së, Drita Millaku, ka thënë se deklaratat e Veselit për luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit janë më qesharaket që i kemi dëgjuar deri sot. Sipas saj, askush nuk i beson këto deklarata madje as ai vet.

Image
Drita Millaku

“Një udhëheqës partiak që nuk mundet ta pastrojë partinë e vet nga të korruptuarit si është e mundur ta luftojë korrupsionin në institucione. Zgjedhjet janë shumë afër dhe Veseli do ta shoh veten se ku është dhe do ta ngopim Vetëvendosjen në këto zgjedhje. Tek e fundit si mundet një super i korruptuar ta luftoj korrupsionin”, ka thënë deputetja Millaku.

Kadriu: Deklarata e Veselit është një deklaratë sa për konsum politik

Kurse, analisti politik Kushtrim Kadriu, ka vlerësuar, se kjo është një deklaratë sa për konsum politik dhe këto ditë është një hapje e parakohshme e fushatës zgjedhore nga Kadri Veseli.

Image
Kushtrim Kadriu

Ai ka thënë se largimi i atyre me aktakuza dhe me dosje nga Partia Demokratike do të jetë e pamundur pasi që figurat kyçe të kësaj partie janë me procese të hapura me drejtësinë.

“Një largim i këtyre figurave do ta bënte PDK-në, një parti me shumë pak vota pasi që personat e akuzuar si: Grabovci, Lushtaku etj. të cilët kanë një numër të madh të votave dhe përkrahjes në njerëzit e grupet e interesit të cilëve i kanë kryer ndonjë punë. Madje, në rast mos përfshirje të tyre në listat zgjedhore PDK do të pësonte një fiasko, e këta individ do ta sabotonin me vota Veselin. Këto janë një farsë sa për të hedhur hi në sytë e qytetarëve është proces i pa mundur pasi që PDK-ja është ndërtuar në bazat jo të shëndosha dhe në baza të tilla. Më parë PDK-ja mundet të mbyllet se sa këta individ të largohen nga PDK-ja”, është shprehu analisti politik Kushtrim Kadriu.

Burjani: Deklaratat e Veselit janë deklarata marketingu para zgjedhor

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani ka thënë se sa i përket deklaratës së Veselit gjasa janë zero, pasi edhe ashtu deklaratat janë marketing para zgjedhor.

Sipas tij, Veseli shpesh duket qesharak kur flet për korrupsionin që e bëjnë mjeshtërit e tij bashkë partiak dhe kontrollojnë shtetin dhe paranë publike.

“Ai duhet së pari ti largojë 15 sekretar partiak në qeveri që me vite punojnë për të dhe tjerët në PDK, e pastaj të heq dorë nga ordet publike që kanë njerëz t`i kontrollojnë ndërmarrjet publike me borde e qe janë të shumtë dhe të agjenisioneve të pavarura, duhet të largojnë njerëz pa meritë që e kanë quar ambasadorë, kunata e dajë, bashkë partiak dhe shërbyes të tyre. Pra, kjo çështje është larg. PDK-ja është prodhues i të keqes e kjo nuk ndalet nga PDK-ja, por nga partitë tjera ose nga ndonjë qeveri teknike që do të pastronte administratën dhe shtetin të këqijat e shumta dhe shumëvjeçare. Pra, askush nuk i beson Veselit as kurrë nuk i ka besuar, madje as mediat, e as shoqëria civile, e as bota akademike e mirëfilltë”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Duhanaj: Nëse kjo do të ndodhte atëherë natyrisht që ka mundësi për të caktuar qeveritarë të pa komprometuar

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se kryetari i partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e pati proklamuar një hap dhe e bëri vepër me shkarkimin e zyrtarëve të PDK-së nga pozitat në qeveri.

Sipas tij, kjo ishte një përpjekje e mirë drejtë hapave me të mëdhenj.

“Nëse kjo do të ndodhte, atëherë natyrisht që ka mundësi për të caktuar qeveritarë të pa komprometuar, pra kërkohet pak bashkëpunim institucional dhe durim. Krejt arrihen, nëse ekziston vullneti politik”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Kelmendi: Propagandë për të mos e humbur pushtetin

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi, ka thënë se PDK-ja e Kosovës është krijuar si parti mbi gërmadhat e LPK-së, të cilën kreu i tashëm, e shkatërroi për qëllime të veta.

Sipas tij, që nga koha e kapjes së LPK-së e të UCK-së, mbi bazën e të cilave e ndërtuan PDK-në, ka qenë qartësisht e kuptueshme se korrupsioni dhe krimi do të mbijetojnë mbi këta njerëz të PDK-së.

“Nuk ka fakte, por vetëm nga akuzat që janë ndaj tyre të ngritura dhe dyshimet e deklarimet e tyre, si të Xhavit Halitit "se nuk ka qytetarë në Kosovë që nuk i ka dy milionë euro", flet qartë për energjitë e mëdha kriminale të koncentruara tek PDK-ja. Mirëpo si çdo subjekt, edhe PDK-ja, sikundër kryetari i saj, Veseli, bëjnë propagandë dhe angazhohet me forcë të shumëfishuar për të mos e humbur pushtetin. Çdo gjë tjetër nuk ka vlerë, pasi ky pushtet iu ka dhënë shumë të mira dhe natyrisht po bëjnë përpjekje të mëdha për të ruajtur të njëjtin pushtet. Në çdo vend ku sundon ligji nëse do të ishin kaq shumë nga udhëheqja e partisë nën dyshime dhe të akuzuar, prokuroria do të zhvillonte procedurë për të ndaluar këtë parti. Kuptohet, nëse jo për kohën, me siguri për disa vite. Por, në Kosovë nuk ka veprime dhe kjo për faktin se tërë pushteti shtetëror kontrollohet nga PDK-ja. Prokuroria, gjykatat AKI komisionet dhe KPK, si dhe KGJ. Pra, priten angazhime të fuqishme të PDK-së për fitore e si dhe çka do të bëjnë do të shohim”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike profesor Muhamet Kelmendi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...