“Taksa do të përdoret për populizëm gjatë fushatës zgjedhore” - Bota Sot
“Taksa do të përdoret për populizëm gjatë fushatës zgjedhore”

Politika

“Taksa do të përdoret për populizëm gjatë fushatës zgjedhore”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 13 gusht 2019 Në ora: 21:11
Foto ilustrim

“Taksa është vetëm një vendim politik i pa menduar mirë, kështu që nuk ka shumë rëndësi se si vendosë qeveria e radhës. Problem është se taksa do të përdoret për populizëm gjatë fushatës zgjedhore. Paramendoj se qeveria e re duhet të sjelle vendime të studiuara e menduara mirë në interes të qytetarëve të Kosovës”, tha opinionisti Sali Rexhaj.

Qeveria e re që do të dihet në muajin tetor, do të ketë punë të merret me disa çështje të lëna nga qeveria tashmë e dorëhequr e Ramush Haradinajt. Njëra ndër to është çështja më e përfolur jo vetëm në vend, por edhe jashtë, taksa.

Përderisa Serbia ishte zotuar se nuk do të zhvillojë dialogun me Kosovën pa u hequr taksa, ish kryeministri Haradinaj nuk lëshonte pe dhe kësisoj e bllokoi tërësisht presidentin Thaçi për të arritur një marrëveshje të mundshme, siç pretendonte ai, prekjen e kufijve.

Nga LDK-ja thonë se nëse ata vinë në qeveri, do ta heqin taksën, pasi sipas tyre, ajo e ka arritur efektin e vet.

Bunjaku-Rexhepi: Taksa ka arritur efektin e saj politik

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka thënë për “Bota sot” se taksën duhet ta vazhdojnë vet qytetarët nëse duan, duke bojkotuar produktet serbe.

Image
Valentina Bunjaku

“Është qëndrim i LDK-së taksa ka arritur efektin e saj politik dhe nëse duhet zbatuar edhe më tutje, këtë duhet ta bëjnë qytetarët e vendit duke vazhduar atë në përditshmërinë qytetare. Reciprociteti mund të mbetet opsion tjetër relevant por taksa duhet hequr dhe të hap rrugën e dialogut me Serbinë si kërkesë e BE dhe SHBA të cilat janë më së të interesuara për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë”, ka deklaruar ajo.

Deputetja e LDK-së mendon se qeveria Haradinaj e vendosi dhe kjo pati jehonë popullore, por ajo nuk mund të mbetej peng i kryeneçësisë së ish qeverisë sepse u bllokua dialogu me vonë.

“Qeveria e ardhshme ka mjaft detyra të rënda dhe të ndjeshme dhe këtij vendi i duhen njerëz të cilët kane dije intelektuale që proceset t’i dërgojnë në avancimin e zhvillimit të vendit në raport me shtetet fqinje duke përfshirë këtu së pari Serbinë. Qeveria Haradinaj e vendosi dhe kjo pati jehonë popullore por ajo nuk mund të mbetej peng i kryeneçësisë së ish qeverisë sepse u bllokua dialogu më vonë, dhe tani e tutje duhet vendosmëri në hapa konkret, platformë në dialog dhe strategji në qasje”, u shpreh ajo.

E nga Lëvizja Vetëvendosje, thonë se taksa si e tillë do duhej të hiqej vetëm kur Serbia ndryshon sjelljen ndaj Kosovës.

Zogiani: Një qeveri nuk duhet të reduktohet në një veprim

Zyrtari i kësaj partie, Avni Zogiani, për “Bota sot” ka dhënë kritika për qeverinë Haradinaj, duke thënë se është dashur që të zhvillohet një politikë e përgjegjshme, që do të ndikonte në reduktimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Image
Avni Zogiani

“Një qeveri nuk duhet të reduktohet në një veprim, pra në taksë në këtë rast. Po të kishte qeveri e politikë të përgjegjshme Kosova s'do kishte nevojë fare për taksë, por në mënyrë të thjesht dhe të kuptueshme do të ndikonte në reduktimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke promovuar marrëdhënie politike e ekonomike me vende tjera. Është krejt e logjikshme dhe e zakonshme që kur një shtet nuk ka marrëdhënie të mira politike me një shtet tjetër, të mos ketë as marrëdhënie ekonomike me të”, tha ai.

Teksa ka theksuar se taksa si e tillë do duhej të hiqej vetëm kur Serbia ndryshon sjelljen ndaj Kosovës, Zogiani thotë se taksa ka dhënë efekt vetëm në përçarjen e politikës në Kosovë.

“Mirëpo, Kosova ka qenë një përjashtim në këtë sens për shkak se politika në pushtet ka pasur patriotizëm falso e në anën tjetër ka qenë e blerë nga kapitali serb. Pra, një politike e përgjegjshme barazon marrëdhënien ekonomike me një shtet me marrëdhënien politike që ka me të njëjtin. Taksa ka qenë një lloj reagimi gati skizofrenik i një politike që u shkel fort nga Serbia në arenën ndërkombëtare. Ajo ka dhënë një efekt vetëm në përçarjen e politikes kosovare, sepse siç e kemi parë, Serbia nuk ka ndryshuar fare. Mirëpo, taksa si e tillë do duhej të hiqej vetëm kur Serbia ndryshon sjelljen ndaj Kosovës”, potencoi Zogiani.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Sali Rexhaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se taksa do të përdoret për popullzim gjatë fushatës zgjedhore, teksa thotë se është një vendim i pa menduar mirë.

Image
Sali Rexhaj

“Taksa është vetëm një vendim politik i pa menduar mirë, kështu që nuk ka shumë rëndësi se si vendosë qeveria e radhës. Problem është se taksa do te përdoret për popullzim gjatë fushatës zgjedhore. Paramendoj se qeveria e re duhet të sjelle vendime të studiuara e menduara mirë në interes të qytetarëve të Kosovës”, tha Rexhaj.

Duhanaj: Aspekti politik ka qenë më se pozitiv

Analisti politik, Leon Duhanaj, mendon se taksa ndaj Serbisë ka ndikuar të ketë lëvizje mallrash shumë kontrabandë, por edhe shumë ngritje çmimesh. Sipas tij, taksa ka dhënë efekt pozitiv vetëm në aspektin politik.

Image
Leon Duhanaj

“Për mendimin tim, nëse taksën e analizojmë nga aspekti ekonomik, atëherë mund të konstatojmë se Serbisë i ka sjellë dëme ekonomike. Në anën tjetër, në Kosovë ka ndikuar të ketë lëvizje mallrash shumë kontrabandë, por edhe shumë ngritje çmimesh. Nuk e di nëse qytetari i Kosovës ka përfituar nga kjo. Ajo çfarë është dhe ka qenë me rëndësi, për mendimin tim, ka qenë aspekti politik e që mendoj ka qenë më se pozitiv”, u shpreh Duhanaj.

Tutje, ai thotë se qeveria e re duhet të jetë e aftë që ta zgjidh problemin e Serbisë, mirëpo jo në mënyrën e presidentit dhe ministrit të jashtëm.

“Natyrisht që, tani me ardhjen e qeverisë se re, në radhë të parë kërkohet një qeveri e fortë, përfaqësuese dhe stabile, e cila ka projekt dhe platformë të çartë se si e nxjerrë Kosovën nga ky kolaps. Çështja e taksës do të riaktivizohej, nëse do të kemi qeveri dhe institucione që ngrehin së bashku dhe në drejtimin e duhur. Nëse s’ka qeveri të mirë, një taksë mund të ndikoj në bllokim të procesit por assesi nuk do të jetë mjet i zgjidhjes së problemeve. Kosovës në radhë të parë, i duhen njerëz me kredibilitet që e përfaqësojnë në marrëdhëniet me jashtë. Kjo çfarë kemi tani me Presidentin dhe ministrin e jashtëm nuk i duhet dhe nuk i bën mirë as nderë Kosovës”, tha për “Bota sot”, Leon Duhanaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...