Një qeveri LDK-VV është e mundshme, Zogaj jep arsyet - Bota Sot
Një qeveri LDK-VV është e mundshme, Zogaj jep arsyet

Politika

Një qeveri LDK-VV është e mundshme, Zogaj jep arsyet

Nga: G.B Më: 13 gusht 2019 Në ora: 23:42
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Gjatë ditës së sotme u takuan liderët e opozitës. Isa Mustafa dhe Albin Kurti pas takimit thanë se u pajtuan që vendi të shkojë në zgjedhje dhe të kemi një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve.

E pas këtij takimi pati reagime të shumta nga PDK.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se zgjedhjet e parakohshme janë si rezultat i krizës së thellë në të cilën është Kosova.

Image
Skënder Zogaj

“Zgjedhjet e parakohshme janë rezultat i zhvillimeve të jashtëzakonshme dhe krizës së thellë me të cilën po ballafaqohet Kosova. Në këto rrethana është shumë vështirë të flitet për parimet, sepse kaosi e përjashton mundësinë e arsyeshmërisë normale për të cilën sot Kosova ka nevojë më shumë se kurdoherë në historinë e saj”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, takimet e liderëve janë shenjë e mirë nëse e kanë për qëllim fatin e vendit dhe një qeveri LDK-LVV është e mundshme, nëse nuk ka variant tjetër.

“Prandaj, takimet e liderëve janë shenjë e mirë nëse e kanë për qëllim fatin e vendit e jo përfitimet partiake për pushtet! Gatishmëria e Isa Mustafës për të biseduar me kundërshtarët politikë nuk ka munguar asnjëherë, por i ka kushtuar shtrenjtë! Kjo mund t'i ngjajë edhe me Albin Kurtin, i cili nga "tigri' është ndërruar në "mace"! Një qeveri LDK-VV është e mundshme, nëse nuk ka variant tjetër më të mirë”, ka vlerësuar Zogaj.

Por, sipas tij, LDK duhet të shkojë e vetme në zgjedhje e më pas të gjejë partnerët për koalicion qeverisës.

“Në zgjedhje LDK duhet të shkojë e vetme, e pastaj sipas numrave të gjejë partnerët për koalicion qeverisës! Unë kam bindjen se elektorati i LDK-së kësaj radhe, pavarësisht nga vërejtjet dhe pakënaqësitë anësore, do t'ia ofrojë votën masovikisht si asnjëherë deri tash! Kjo do të ndodh si inercion i përkushtimit rugovian dhe si sprovim i strukturave aktuale të LDK-së që e kanë shansin e fundit për ta treguar seriozitetin qeverisës”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...