LDK dhe VV do të konfirmohen si dy partitë që do marrin më së shumti vota - Bota Sot
LDK dhe VV do të konfirmohen si dy partitë që do marrin më së shumti vota

Politika

LDK dhe VV do të konfirmohen si dy partitë që do marrin më së shumti vota

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 gusht 2019 Në ora: 08:31
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në takimin e mbajtur të hënën, kanë diskutuar për situatën politike në vend dhe gjendjen e rëndë ekonomike, për nevojën e daljes nga kriza dhe të vendosjes së shtetit në binarët e zhvillimit.

Madje Kurti përmes një postimi në Facebook ka treguar se me 22 gusht dy grupet parlamentare LDK-LVV do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin, duke premtuar se qytetareve të Kosovës t’iu rikthehet shpresa.

Mushkolaj: Një koalicion parazgjedhor ndërmjet LDK dhe VV është i pamundur, për shkak të postit të kryeministrit

Image
Imer Mushkolaj

Analisti politik Imer Mushkolaj takimin e dyshes Muatafa dhe Kurti e ka quajtur një takim pajtimi, për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve.

“Një koalicion parazgjedhor ndërmjet këtyre dy partive është i pamundur, për shkak se të dyja kërkojnë ta kenë postin e kryeministrit. Por, nuk përjashtohet mundësia e bashkëpunimit pas zgjedhjeve, natyrisht nëse ndonjëra nga këto dy parti fiton më së shumti vota. Deri tash të gjitha projeksionet po bëhen bazuar në sondazhe, por vetëm rezultati i zgjedhjeve determinon përbërjen e qeverisë së re. Gjithnjë nëse zgjedhjet do të mbahen sipas paralajmërimeve”, është shprehur analisti politik Imer Mushkolaj.

Maloku: Nëse vërtetë duan koalicione, atëherë e pëlqyer do të ishte që këto koalicione të bazohen mbi një program të mirëfilltë politik

Image
Albinot Maloku

Nga ana tjetër, politologu Albinot Maloku, ka thënë se sipas asaj që ka treguar kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, temë e pa kontestueshme e bisedimeve mes akterëve të spektrit politik, duhet të jetë gjendja politike në vend e me theks të veçantë zhvillimi ekonomik.

“Fakti që më 22 gusht do të ketë unitet për shpërndarjen e Kuvendit, besoj se kjo as nuk është meritë as ndonjë e re që është nxitur nga këto subjekte politike. Nëse flasim për atë se a mund të ketë koalicion mes këtyre dy subjekteve politike, pra Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pa dyshim se LVV e ka prezantuar këtë ofertë që moti duke thënë se një koalicion me krahun reformator të LDK-së do të ishte i mirë. Nuk e di cili është krahu reformator në LDK, por e përsërisë, më e shëndetshmja për demokracinë e vendit do të ishte që subjektet politike në vend të shkonin të gjitha veç e veç e të mateshin forcat realisht në zgjedhje”, ka thënë Maloku.

Sipas tij, nëse vërtetë duan koalicione, atëherë e pëlqyer do të ishte që këto koalicione të bazohen mbi një program të mirëfilltë politik dhe së dyti duke u mbështetur tek resurset humane të tyre.

“Në një koalicion mes LVV-së e LDK-së, padyshim që kandidatura për kryeministër i takon Albin Kurtit si ndjelladashësi dhe vullnet ploti për koalicion të subjektit të tij me LDK-në e Isa Mustafës. Albin Kurti është alternativa e ndryshimit nëse veç ka vullnet për ndryshime tek qytetarët e vendit”, ka thënë analisti politik Albinot Maloku.

Meha: Nuk ka koalicion LDK-VV, por ka funksionalizim të boshtit proletar Albin-Isa

Image
Xhevat Meha

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike politik Xhevat Meha, ka thënë se puna e koalicioneve është aktuale.

“Takimi është vetëm vazhdim i funksionimit të boshtit proletar Albin-Isa. Dhe ky bosht është krijuar shumë kohë më parë dhe krijimin e këtij boshti e shoh si krijim i mekanizmit për të pamundësuar që në Kosovë të ndodhin ndryshimet që kanë nevojë qytetarët e Kosovës. Marrëveshjet në mes këtyre dy individëve janë kryer kohë më parë kur është krijuar boshti. Tani këta vetëm duhet që ta jetësojnë boshtin ashtu si i marrin direktivat nga qendrat e vendosjes ku këta dy kanë marrë mandatin për t'i realizuar. Nuk ka koalicion LDK-VV po ka funksionalizim të boshtit proletar Albin-Isa. Nuk është problem nëse ka koalicion LDK-VV por problem është boshti proletar. Nuk duhet lejuar kurrsesi që këta dy individ të janë në funksionet e kryetarëve të këtyre partive për faktin se derisa këta janë në krye të partive politike edhe boshti proletar funksionon”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Xhevat Meha.

Haziri: Takimet shihen si një përafrim i këtyre subjekteve aktualisht opozitare

Image
Nexhat Haziri

Kurse opinionisti Nexhat Haziri, beson se ky takim është në vazhdën e takimeve që kanë zhvilluar këto dy subjekte politike, në këtë rast për ti bashkërenduar veprimet për seancën e 22 gushtit, kur edhe pritet edhe shpërbërja e Kuvendit të Kosovës dhe shkuarja e vendit në zgjedhjet e parakohshme.

“Po ashtu këto takime në mes LDK-së dhe VV-së në nivel kryetarësh shihen si një përafrim i këtyre subjekteve aktualisht opozitare, në tentimin e tyre për të gjetur dakordime lidhur me qeverisjen e ardhshme pas zgjedhjeve, ku reale janë pritjet se LDK dhe VV do të konfirmohen si sy partitë që do marrin më së shumti vota dhe ulëse në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë opinionisti Haziri.

Sipas tij, përfolja gjithnjë e më shumë për një koalicion parazgjedhor në mes tyre padyshim se do të përbënte një momentum të ri dhe pro LDK-së dhe VV-së.

“Por, ajo që është shndërruar në thembrën e Akilit, është posti i kryeministrit, dhe si duket të dyja subjektet e kanë betonuar pozicionin e tyre sa i përket se kush duhet të jetë shefi i ardhshëm i qeverisë. Nëse flasim për momentin se kush është subjekti më i madh do të duhej ti takonte i nominuari për kryeministër, atëherë ky subjekt është LDK-ja”, ka thënë opinionisti Nexhat Haziri.

Krasniqi: Albin Kurti do të ishte kryeministri ideal për Kosovën

Image
Faik Krasniqi

Kurse politologu Faik Krasniqi, ka thënë se është për t`u ardhur mirë që Mustafa dhe Kurti janë takuar.

“Se për çfarë kanë biseduar, është vështirë ta dimë, ndoshta kanë biseduar që LDK dhe VV të shkojnë bashkërisht në një koalicion parazgjedhor. Ose edhe e kundërta. Por është e rëndësishme që ta kemi një Qeveri mes VV-së dhe LDK-së, sepse nëse ndodh që PDK-ja prape të ngelet në pushtet, do të ishte tragjedia me e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka thënë politologu Kransiqi.

Sipas tij, për kryeministrin dihet se vendos qytetari i Kosovës, se kush duhet të jetë, megjithatë Albin Kurti do të ishte ideal për Kosovën.

“Dhe nëse lind pyetja se përse Albin Kurtit do të ishte ideal është fakti se Kurti do ta godiste në rrënjë krimin dhe kriminelët e “Klanit Pronto”. Edhe Vjosa Osmani do të ishte ideale për kryeministre, por vështirë se garda e vjetër e LDK-së, s’do ta lejonte të bëhej kryeministre”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...