“SHIK-u ende funksional, kontrollon disa prej institucioneve kryesore” - Bota Sot
“SHIK-u ende funksional, kontrollon disa prej institucioneve kryesore”

Politika

“SHIK-u ende funksional, kontrollon disa prej institucioneve kryesore”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 gusht 2019 Në ora: 18:11
Foto ilustrim

Ani pse iu kishte “premtuar” disa deputetëve të LDK-së se do t’i ngijë me SHIK në këtë mandat, një gjë e tillë nuk ndodhi në të vërtetë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po e përfundon edhe këtë mandat, më saktë më 22 gusht, pa e sqaruar edhe me tej veprimtarinë e tij të dikurshme në organizatën fantome, e njohur me shkurtesën SHIK.

Ish-kreu i SHIK-ut dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, gjithashtu kishte premtuar se gjatë këtij mandati do të ketë edhe komision hetues për SHIK-un.

“E keni marrë zanat SHIK-u, SHIK-u… do të ngiheni SHIK, do të shkojmë deri në fund në këtë mandat, edhe me komisionin hetues dhe media në mënyrë transparente, veç atëherë mos bëj ciu-ciu me u tërheq, qëndro deri në fund, mos manipulo me plagët e njerëzve dhe hajni sepse njëri nga ta je ti, shko padit ku të duash se je shpifës, i pa sjellshëm dhe pa dinjitet”, kishte thënë dikur Veseli.

Mirëpo, ish-agjenti i kësaj organizatë është i mendimit se veprimtaria e SHIK-ut në Kosovë edhe me tej nuk është shuar. Madje, ai paralajmëron se kjo e fundit është edhe më e fuqishme.

Ndërsa, analistët e zhvillimeve politike në vend, për dallim nga ish-agjenti i SHIK-ut, konsiderojnë se ky shërbim ka humbur fuqinë që e kishte dikur si organizatë kriminale, që drejtonte nëntokën e PDK-së, organizatë kjo e dyshuar edhe për vrasjet politike në Kosovë.

Alarmon Miftari: SHIK-u nuk ka humbur fare fuqi - nga kush janë paguar “90-të cubat zyrtarë” të Kadri Veselit?

Image
Naim Miftari

Ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se SHIK tashmë është institucionalizuar dhe se ky shërbim ka punuar me qëllimin për ta sjellë në pushtet me çdo çmim Hashim Thaçin dhe Klanin Pronto.

“SHIK-ut nuk i ka humbur fare fuqia, pasi tani vetëm është institucionalizuar, kjo do të thotë se nga një OJQ gjysmë ilegale, e cila është formuar (zyrtarisht për ta luftuar UDB-në dhe duke ndihmuar me informacione bashkësinë ndërkombëtare), por faktikisht iu ka shërbyer vetëm disa personave që e kanë pas qëllimin për ta sjellë në pushtet me çdo çmim Hashim Thaçin dhe Klani Pronto”, është shprehur Miftari.

Sipas Miftarit, Veseli nuk ka si ta sqarojë veprimtarin ilegale të SHIK-ut, e sidomos financat se nga kush janë paguar “90-të cubat zyrtarë” të Kadri Veselit.

“Kadri Veseli nuk ka si ta sqaron veprimtarin ilegale të SHIK-ut, sidomos financat nga kush janë paguar këta 90-të cubat zyrtar të Kadri Veselit pasi financat kanë ardhur nga krimi i organizuar nga tenderët, kushtëzimet dhe haraçi. Për financa duhet me pyetur sidomos Adem Grabovcin, Fahredin Gashin, Azem Sylen, Ahmet Shalën e AKM-në dhe oligarkët e firmave multi-miliardësh që brenda natës janë pasuruar dhe kanë fituar beneficione joligjore, sidomos në tenderë dhe blerjet e trukuara nga AKM-AKP”, ka thënë ai.

Tutje ai ka potencuar se me deklaratën “do t’iu ngije SHIK”, Veseli kishte si qëllim kërcënimin e deputeteve të rinj të LDK-së.

“Fjalia e Kadri Veselit se do ju ngijë SHIK drejtuar disa deputetëve të rijnë të LDK-së ka qenë kërcënimi i hapur pasi ka edhe ish-zyrtar deputetë e pushtetarë të LDK-së që kanë japë para nën tavolinë për SHIK-un duke përfituar edhe vet beneficione, tenderë, ndërtime, banka, prona, banesa, fabrika të Kosovës që i kanë blerë falas nga AKM (SHIK-u). Kërcënimi i Veselit ka të bëjë sidomos me dosjet që SHIK-u iu ka bërë kundërshtarëve të vet politik, dosje të bëra kundër disa komandantëve të UÇK që nuk i kanë pasur nën kontroll e vet,dhe dosje të sajuara kundërshtarëve-konkurrentëve në bizneseve dosje këto të bëra në bashkëpunim me njerëz të UDB-së, me të ashtuquajtur me thesarin e Kadri Veselit”, potencon ish-agjenti i SHIK-ut.

Në fund, Miftari ka nënvizuar se SHIK-u është më i fortë se dikur pasi sipas tij, kjo organizatë po kontrollon dikasteret kryesore të shtetit.

“Nëse nuk i keni hartuar 500 dosjet famoze të SHIK-ut që i ka dorëzuar UNMIK-ut, dosje këto kryesisht të sajuara dhe gënjeshtra e etiketime kundër kundërshtarëve politik dhe ekonomik të PDK-Thaçit, Veselit, Halitit, Grabovcit, Sylës. Tani, SHIK-u është më i fortë se dikur pasi kontrollon dhe është AKI-ja, Policia, Prokuroria, Gjyqësori, Parlamenti, Presidenca, Bankat ,Universitetet. Kërcënimet e Veselit do të zbatohen dhe SHIK-u ndoshta do të hetohet vetëm nëse PDK shkon në opozitë e disa bosë të SHIK-ut e Prontos shkojnë në burg nga ndonjë qeveri e pa korruptuar në të ardhmen nëse kemi të tillë”, ka përfunduar Miftari.

Maxharraj: PDK dhe SHIK në panik, Veseli njeriu tragjik!

Image
Binak Maxharraj

Ndërsa, ndryshe nga Miftari, Prof. dr. Binak Maxharraj ka thënë se partia e Kadri Veselit, por edhe ish-organizata e tij e dikurshme e njohur me shkurtesën SHIK, është duke kaluar në një periudhë jo të mirë.

Maxharraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se tani po vërehet një katandisje e kreut të PDK-së, të cilit ai mendon se i ka humbë busulla.

“PDK dhe SHIK kohët e fundit janë katandisë shumë keq. E patën një periudhë të vështirë dhe të keqe në qeverisje. Po sillet në rrethin vicioz, si pula po krye, sidomos në kohët e fundit kur i kanë kapë edhe ethet e zgjedhjeve. Ata nga paniku për çdo ditë po trumbetojnë se janë partia më e madhe dhe se do t’i fitojnë zgjedhjet. I ka kapë paniku, arusha nuk tutët më shoshë, ata e din fortë mirë se do t’i humbin këto zgjedhje. Po vërehet një katandisje e kreut të PDK-së Kadri Veselit, të cilit i ka humbë busulla”, ka thënë Maxharraj, për gazetën “Bota sot”.

Maxharraj me tej ka theksuar se lideri aktual i PDK-së është njeriu më tragjik në këtë parti.

“Është njeriu më tragjik në PDK, i po aftë në udhëheqje, i padijshëm dhe politikisht konfuz. E ka bërë “gjurullti” PDK-në dhe Kuvendin më performancën e tij shumë të keqe. PDK e rrokullisi teposhtë, kurse përformanca e Kuvendit është më e keqja nga paslufta. Krahas PDK-së i ka humbë edhe fuqia e SHIK-ut. SHIK ka mbet si i pa kokë, sillet vërdallë”, shprehet ai.

Profesori i njohur është i mendimit se edhe po të donte ta sqaronte veprimtarin e tij Veseli në SHIK, ky i fundit nuk e ka kurajën të zbulon më shumë rreth kësaj organizate fantome.

“Kadri Veseli pos që patë thanë do të ju rrasi shik,asgjë nuk ka bërë bile sado pak ta sqarojë veprimtarinë ilegale të SHIK-ut. Nuk e ka bërë këtë, por edhe të donte për ta bërë, nuk e ka kurajën të tregoi veprimtarin e kësaj organizate fantome, sepse do të ishte vetëvrasje për vet Kadri Veselin të cilin të gjitha të këqijat e tij janë të lidhura më SHIK-un”, shton ai.

Në fund, Maxharraj ka bërë më dije se përderisa do të jetë në pushtet PDK, SHIK-u do të rrijë rehat.

“Përderisa të jetë në pushtet PDK, SHIK-u do të rrijë rehat. Nevojite një forcë e madhe që ta lëvizë SHIK-un nga vendi. Këtë mund ta bëjë vetëm kur PDK të dalë në opozitë dhe të ç’kapët shteti të cilin e kanë zaptuar që 20 vjet. Kadri Veseli më shumë ka zhurmë rreth SHIK-ut se a po i frikësohet ndokush. Por, jo e ka bërë nga frika sepse sikur të zbulohet veprimtaria e SHIK-ut do të jëtë edhe fundi i tij, sepse prapa SHIK-ut qëndron vet Kadri Veseli.

Haziri: Tentativa dëshpëruese e Veselit për t’i frikësuar ata që kërkojnë hetimin e SHIK-ut!

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri, tregon se pse se SHIK-u ka humbur fuqinë që e kishte dikur si organizatë kriminale.

Ai thotë se përkundër që ka humbur fuqinë, potencon se jo edhe që ka pushuar së ekzistuari, pasi prezenca e kësaj organizate sidomos në institucionet e sigurisë është shumë prezente.

“Është e vërtetë se SHIK-u ka humbur fuqinë që e kishte dikur si organizatë kriminale që drejtonte nëntokën e PDK-së, organizatë kjo e dyshuar edhe për vrasjet politike në Kosovë, por jo edhe që ka pushuar së ekzistuari, pasi prezenca e kësaj organizate sidomos në institucionet e sigurisë është shumë prezente dhe aktive dhe e strukturuara mirë, siç janë në policinë e Kosovës, në AKI dhe në FSK (Ushtrinë e Kosovës). Por kjo nuk do të thotë së pas shkuarjes së PDK-së në opozitë dhe mbetjen pa pushtet të lidershipit të saj, SHIK-u nuk do të aktivizohet me të gjitha kapacitet që kishte dikur”, potencon ai.

Mes të tjerave ai ka thënë se Veseli me “do t’iu ngijë SHIK”, ishte një deklaratë dëshpëruese e bërë nga vet kryetari i Kuvendit, në tentimin e tij për t’i frikësuar jo vetëm deputetët, por, edhe të tjerët të cilët kërkojnë hetim të kësaj organizate.

“Ndërsa sa i përket pse Kadri Veseli, dikur ish-shef i SHIK-ut, nuk e sqaroi veprimtarinë e kësaj organizate të krimit të organizuar, është shumë normale, pasi nuk pat asnjë hetim nga prokuroria e shtetit për veprimet dhe funksionimin e kësaj organizate kriminale. Ndërsa deklaratës të cilës i referoheni ju, dhënë nga Veseli drejtuar deputetëve të LDK-së, “me do t'iu ngije SHIK”, ishte një deklaratë dëshpëruese e bërë nga vet Veseli, në tentimin e tij për t’i frikësuar jo vetëm deputetët por, edhe të tjerët të cilët kërkojnë hetim të kësaj organizate, SHIK-ut”, ka thënë në fund Haziri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...