Taksa pa efekt, “Një pjesë e madhe e pushtetarëve kanë lidhje me bizneset në Serbi” - Bota Sot
Taksa pa efekt, “Një pjesë e madhe e pushtetarëve kanë lidhje me bizneset në Serbi”

Politika

Taksa pa efekt, “Një pjesë e madhe e pushtetarëve kanë lidhje me bizneset në Serbi”

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 18 gusht 2019 Në ora: 11:19
Foto ilustrim

Qeveria në dorëheqje e përbërë nga koalicioni PAN, vuri taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje e Hercegovinës. Ky veprim, zgjoi reagim të ashpër nga ndërkombëtarët, duke nisur nga BE-ja, e duke vazhduar tek SHBA-të e kohëve të fundit edhe nga shtetet kryesore të BE-së, përfshi këtu Gjermaninë, Francën, Italinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-të, të cilat me ngulm kërkojnë që qeveria e ardhshme e Kosovës ta bëj shfuqizimin e taksës ndaj produkteve serbe. E vetmja mënyrë kjo, që sipas shteteve të Quintit, të normalizohen marrëdhëniet Kosovë – Serbi.

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal.

Vlerësojnë se status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme.

“Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, thuhet në reagimin e vendeve të QUINTit.

Këto vende deklarojnë se janë të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por thonë se mund ta bëjnë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, thuhet në reagim.

“Ne dëshirojmë të shohim që njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë të përfitojnë nga paqja e qëndrueshme dhe të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo mënyre”, thonë vendet e QUINTit.

Demaliaj: Kushti për heqjen e taksës është njohja e shtetësisë sonë nga ana e Serbisë

Nga ana tjetër, deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka deklaruar për media që, partia prej së cilës vjen, AAK-ja, nuk do ta heq taksën nëse vjen në pushtet përsëri.

Image
Shkumbin Demaliaj

“Qëndrimi jonë për vendimin e taksës tashmë dihet. Kërkesa për heqjen e taksës ka pasur edhe më herët nga shtetet e QUINT-it, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga ana jonë. Kushti për heqjen e taksës është njohja e shtetësisë sonë nga ana e Serbisë, përndryshe taksa do të vazhdojë të jetë në fuqi”, ka deklaruar Demaliaj.

Kujtojmë se AAK-ja ka potencuar edhe më herët se cilado parti që vie në pushtet, nuk duhet ta largojë taksën deri në njohje.

Millaku: Taksa iu ka konvenuar më së shumti pushtetarëve sepse dihet se një pjesë e madhe e tyre kanë lidhje me bizneset në Serbi

Image
Drita Millaku

Në anën tjetër, deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se taksa është vendosur pa ndonjë strategji afatgjate dhe për rrjedhojë nuk ka pas efektin e duhur.

Ajo tha se dyqanet e ndryshme në Kosovë, vazhdojnë të furnizohen me mallra serbe.

“Dihet se taksa është vendosur pa ndonjë strategji afatgjate prandaj edhe nuk ka pas efektin e duhur. Dyqanet tona janë përplot me mallra serbe bile edhe më tepër se para taksës. Kjo si rezultat i kontrabandës edhe më të madhe se që ka qenë më herët. Pra taksa iu ka konvenuar më së shumti pushtetarëve sepse dihet se një pjesë e madhe e tyre kanë lidhje me bizneset në Serbi. Pra taksë pa efekt”, tha ajo.

Millaku, tha se Kosovës i duhet të vendos një taksë që ka efekt dhe se Kosova ndaj Serbisë duhet të vendos reciprocitet.

“Reciprociteti duhet t’i përfshijë të gjitha sferat e jetës, ekonomia, tregtia, arsimi, siguria, transporti dhe efekti do të jetë më i madh”, tha ajo.

Dauti: Paratë e taksës në buxhet të Kosovës tashti kanë shkuar në xhepa të kriminelëve

Image
Daut Dauti

Njohësi i politikave ndërkombëtare, Daut Dauti, për “Bota sot”, ka thënë se në shikim të parë taksa është vendosur për treguar fuqinë vendimmarrëse të shtetit të Kosovës. Por, në realitet, sipas tij, ajo nuk ka prodhuar efektin e dëshiruar.

“Në shikim të parë duket se taksa është vendosur për të treguar fuqinë vendimmarrëse të shtetit të Kosovës. Në realitet ajo nuk ka prodhuar efektin e dëshiruar. Në shitoret e Kosovës mallrat e prodhuara në Serbi kanë qenë ende prezente dhe kjo nuk është gjë e mirë” tha ai.

Më tej, Dauti, potencoi se një e keqe tjetër është se taksa ka mundësuar kontrabandimin e mallrave që është veprim joligjor por nga i cili dikush ka përfituar.

“D.m.th në vend që të shkonin paratë e taksës në buxhet të Kosovës tashti kanë shkuar në xhepa të kriminelëve dhe ky nuk është efekt i mirë i taksës”, tha Dauti.

Ai, tha se taksa duhet të hiqet por edhe Serbia duhet të pranoj kërkesën e Kosovës që është ndalimi i aktivitetit diplomatik për njohjen e shtetit të Kosovës.

“Besoj që nuk duhet të hiqet taksa dhe Serbisë t'i lejohet që të vazhdoj me aktivitetin e saj kundër Kosovës. Nuk jam i sigurt se cili është qëndrimi momental i Vetëvendosjes por taksa është ide e kësaj partie të cilën e ka kërkuar me vite të tëra”, tha ai.

Haziri: Taksa nuk ka dhënë asnjë efekt pozitiv në Kosovë

Image
Nexhat Haziri

Nexhat Haziri, analist dhe njohës i rrethanave politike, për “Bota sot”, ka thënë se pa marrë parasysh se kush do të jetë në qeverinë e ardhshme të Kosovës, taksa ndaj mallrave ndaj Serisë dhe Bosnjës, duhet të hiqet. Njëjtë sipas Hazirit duhet të veproj edhe Vetëvendosje nëse zgjedhjet e parakohshme do ta sjellin në krye të qeverisë apo si pjesë të saj.

“Pa marrë parasysh se kush do të jetë në qeverinë e ardhshme të Kosova, taksa ndaj mallrave nga Serbia dhe BH duhet të hiqet. Njëjtë duhet të veproj edhe VV-ja nëse zgjedhjet e parakohshme e sjellin në krye të qeverisë apo si pjesë e saj”, tha ai.

Haziri, theksoi se Kosova nuk e ka komoditetin për t'u sjellë me kokëfortësi ndaj kërkesave të partnerëve tanë, siç është kjo për taksën.

“Ndërsa unë ruaj akoma mendimin se taksa ishte dhe mbetët një mjet popullizmi i atyre që e vendosën, duke e favorizuar kontrabandën dhe bizneset e afërta me ta”, tha ai.

Haziri tha se taksa nuk i ka sjellë asnjë të mirë vendit përveç propagandës nga ish-kryeministri Haradinaj.

“Si e tillë nuk ka dhënë asnjë efekt pozitiv në Kosovë dhe për ekonominë e vendit, përkundër propagandës nga ish-kryeministri Haradinaj dhe partia e tij AAK-ja. Si e tillë duhet të hiqet dhe të aplikohet masa e reciprocitetit të plotë me sjelljet e Serbisë në raport me Kosovën”, tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...