Kjo është “Ftyra” e qeverisë: Bandat kriminale që e kanë kapur shtetin - Bota Sot
Kjo është “Ftyra” e qeverisë: Bandat kriminale që e kanë kapur shtetin

Politika

Kjo është “Ftyra” e qeverisë: Bandat kriminale që e kanë kapur shtetin

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 gusht 2019 Në ora: 17:22
Foto ilustrim

Pas Britanisë së Madhe edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr nga bordi i Agjencisë Kosovare për Verifikimin e Pronës. Kjo tërheqje erdhi për shkak të pakënaqësisë së tyre ndaj mosreagimit të institucioneve të Kosovës për shkarkimin e Naser Shalës nga pozita e kryetarit të këtij institucioni.

Në një reagim, ambasada amerikane ka njoftuar se kjo dorëheqja vie si shenjë pakënaqësie ndaj mosreagimit të institucioneve për shkarkimin e Naser Shalës nga pozita e kryetarit të këtij institucioni.

Ambasada amerikane ka thënë se SHBA-të nuk do të vazhdojë aty ku lidershipi i shërben interesave personale dhe politike, më shumë se popullit.

Ambasadori Phillip Kosnett, ka theksuar se zgjedhja e njerëzve të pakualifikuar për pozita qeveritare e dëmton imazhin e Kosovës dhe e tradhton besimin publik.

“SHBA-të kanë dhënë dorëheqje nga Bordi i Agjencisë së Verifikimit të Pronës, siç ka bërë edhe Britania. Ne nuk do të vazhdojmë aty ku lidershipi i shërben interesave personale dhe politike, më shumë se popullit. Zgjedhja e njerëzve të pakualifikuar për pozita qeveritare e dëmton imazhin e Kosovës dhe e tradhton besimin publik”, ka shkruar ambasadori Kosnett në rrjetet sociale.

Opozita konsideron se qeveria aktuale ka dëmtuar shumë vendin në këto dy vite në çdo aspekt. Andaj, ata bëjnë me dije se ky është sinjali më domethënës në prag të zgjedhjeve për të vetëdijesuar popullin se kjo nomenklaturë qeverisëse nuk duhet votuar, pasi sipas tyre po i bëjnë dëm vendit dhe raporteve me miqtë tanë perëndimorë.

Ndërsa, njohësit e kësaj fushe janë të mendimit se tërheqja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është këmbanë alarmi se kështu me nuk shkohet, dhe se e keqja ka tejkaluar çdo kufi të normalitetit.

Rugova: PAN-i ka dëmtuar shumë vendin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se qeveria aktuale ka dëmtuar dhe rrezikuar vendin në këto dy vite qeverisje në çdo aspekt.

Image
Naser Rugova

“Qeveria e PAN-it e ka dëmtuar shumë vendin në këto dy vite në çdo aspekt. Imazhi ndërkombëtar i Kosovës është rrëzuar për toke nga kjo mendësi qeverisëse feudale, raportet me miqtë tanë strategjik janë kthyer në piken zero, tërheqja e SHBA-ve nga një agjencion që prekë sundimin e ligjit është me tepër se alarm shqetësues”, ka thënë Rugova.

Sipas Rugovës, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që pritet të mbahen në shtator të këtij viti, janë shansi i vetëm për reflektim qytetar.

“Prandaj, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë shansi i vetëm për reflektim qytetar për ndryshimin e domosdoshëm dhe kthimin e shpresës në vendin tonë”, shtoi për gazetën “Bota sot”, deputeti i LDK-së, Naser Rugova.

Millaku: SHBA-të me sinjale të qarta se nuk do ta përkrahin një qeveri të krimit

Nga ana tjetër, deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, duke e komentuar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është shprehur se ky është sinjali i qartë se demokracitë perëndimore po e braktisin këtë nomenklature qeverisëse.

Sipas saj, gjithashtu ky është edhe një sinjal tjetër në prag të zgjedhjeve për të vetëdijesuar popullin.

Image
Drita Millaku

“Këto janë sinjalet e qarta që demokracitë perëndimore po e braktisin këtë nomenklature qeverisëse. Ky është sinjali më domethënës në prag të zgjedhjeve për të vetëdijesuar popullin se kjo nomenklaturë qeverisëse nuk duhet votuar, sepse po i bëjnë dëm vendit dhe raporteve me miqtë tanë perëndimorë”, është shprehur deputetja e VV-së.

Tutje, Millaku ka theksuar se SHBA-të dhe jo vetëm po japin tani me sinjale të qarta se nuk do ta përkrahin një qeveri të krimit e të korrupsionit.

“Ky është një rast simbolik, ndërsa Qeveria e Kosovës ka plotë skandale e SHBA-të dhe jo vetëm po japin tani me sinjale të qarta se nuk do ta përkrahin një qeveri të krimit,korrupsionit e nepotizmi”, tha mes të tjerave deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Alarmon Mehmeti: Lajmi i keq për Kosovën dhe të ardhmen e saj

Ndërkaq, analisti politik, Faton Mehmeti, konsideron se rasti “Ftyra”, dëshmon edhe një herë kapjen e shteti nga nëntoka kriminale.

Ai për gazetën “Bota sot”, tregon se si edhe njëherë bie poshtë propaganda e Kadri Veselit për të luftuar korrupsionin.

Image
Faton Mehmeti

“Rasti në fjalë dëshmon edhe një herë kapjen e shteti nga nëntoka kriminale, të cilët sfidojnë shtetin dhe institucionet e saja. “Ftyra” njihet si person që kontrollon PDK-në, njerëzit e saj e të cilët janë argat të tij. Këtu edhe njëherë bie poshtë propaganda e Kadri Veselit për të luftuar korrupsionin, kur njerëzit e tij janë në bordet dhe agjensionet më të rëndësishme të shtetit.

Mehmeti është i mendimit gjithashtu se ky është një alarm se kështu me nuk shkohet, dhe se e keqja ka tejkaluar çdo kufi.

“Tërheqja e SHBA-së është këmban alarmi se kështu me nuk shkohet, dhe se e keqja ka tejkaluar çdo kufi të normalitetit. Në këtë rast duhet theksuar se Naser Shala është vetëm një nga njerëzit që ka kapur shtetin, dhe qëndrojnë mbi shtetin”, shpjegon analisti politik.

Në fund, ai potencon se është një lajm i keq për vendin dhe të ardhmen e saj tërheqja e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

“Mos largimi i këtij njeriu tregon qartë se bandat kriminale janë mbi shtetin, kontrollojnë çdo gjë dhe rrjedhimisht nuk guxon askush të sfidoj. Lajmi i keq për Kosovën dhe të ardhmen e saj është tërheqja e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, që faktikisht shpërfaqin shtetin e dështuar”, përfundoi analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se lidhur me këtë, nuk ka vonuar përkrahja e ambasadorit britanik në Prishtinë, Ruairí O'Connell, për Ambasadën Amerikane, që ndoqi pikërisht shembullin e tij, duke u tërhequr nga Bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Duke shpërndarë njoftimin e Ambasadës së SHBA-së, O’Connell ka thënë se ai kishte dhënë dorëheqje nga bordi i KPCVA-së kur Kuvendi i Kosovës emëroi Naser Shalën, siç e vlerëson ai, të pakualifikuar dhe të paaftë si kryetar të saj, vetëm për shkak të lidhjeve me deputetë që nga koha e tij në UÇK.

“Kuvendi injoroi një kandidat të kualifikuar i cili nuk i kishte këto lidhje. Tani SHBA-ja ka ndjekur shembullin tonë”, ka thënë O’Connell.

“Nuk ka kuptim të harxhojmë kohën tonë duke u përpjekur që të ndihmojmë institucionet e Kosovës kur shumica në Kuvendin e Kosovës nuk kujdeset për këtë, dhe kur individët nuk ndjejnë turp për të marrë punë në mënyrë të padrejtë e të cilën ata nuk mund të bëjnë siç duhet. Nepotizmi, kronizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën. Durimi i miqve të Kosovës po ftohet. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, por vetëm nëse vendosin të ndëshkojnë ata që përfshihen në këto praktika”, ka thënë O’Connell.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...