Zbulohen prapaskenat e koalicionit PSD-AAK

Politika

Zbulohen prapaskenat e koalicionit PSD-AAK

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 gusht 2019 Në ora: 07:56
Shpend Ahmeti dhe Ramush Haradinaj

Në prag të shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

Ky koalicion nuk u prit mirë nga analistët e vendit duke e cilësuar atë si një koalicion të zorit dhe të mbijetesës për këto dy parti.

Kurse, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin e PSD, Shpend Ahmeti ka thënë se për veç PSD-së, AAK-ja është e hapur edhe për partnerë tjerë.

“Sot është përmbyllja e një pune të përbashkët, jo të lehtë. Kjo punë ka pasur për bazë qëllimet programore të PSD-së dhe AAK-së dhe kemi arritur që të bashkojmë ekspertizat më të mira që kemi në parti. Jemi të hapur për bashkëpunim me Nismën, AKR-në me këto parti që kemi edhe një komunikim të ndërsjellë. Nuk synojmë PAN 2 apo PAN 3, nuk jemi pjesë e skenarëve për një PAN të ri dhe këtë e themi me përgjegjësi”, ka thënë Haradinaj pas nënshkrimit të marrëveshjes me PSD-në.

Shpend Ahmeti tha se do të garojnë bashkë në zgjedhjet e jashtëzakonshme më AAK-në me program të përbashkët qeverisës.

“Ky është një bashkëpunim edhe politik edhe zgjedhor, duke marrë parasysh disa vija të bashkëpunimit që i kemi pasur edhe në vitet e kaluara, por që janë zgjeruar në fusha të tjera, me të cilat do të garojmë bashkë me një program të përbashkët qeverisës”, tha Ahmeti

Ahmeti po ashtu tha se listës së këtij koalicioni do t’i prijë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke shtuar se këtu nuk mbaron puna me koalicione parazgjedhore, pasi që ky koalicion mund të zgjerohet edhe me parti të tjera.

Në program ky koalicion është i largët!

Politologu Musa Preteni për gazetën “Bota sot” ka thënë se, koalicioni AAK-PSD vjen në një kohë kur të gjitha partitë politike po kërkojnë aleatë për të hyrë në garë për vendin e parë.

Image
Musa Preteni

“Tashmë jemi dëshmitarë të një situate kur asnjë parti politike nuk ka siguri për të qenë e para, andaj koalicionet parazgjedhore shihen si mundësi e tillë. AAK tash e një kohë është me kërkim të aleatëve parazgjedhor për të siguruar futjen seriozisht në garë, kurse në anën tjetër PSD ka qenë më së e ditur që do të hyjë në koalicion parazgjedhor duke mos pasur shpresa në kalimin e pragut zgjedhor”, ka thënë Preteni.

Ndërsa më tutje ai ka konsideruar që të dyja partitë politike kanë pasur interes të dyanshëm AAK në kërkim të çfarëdo aleati politik e Shpend Ahmeti ka shfrytëzuar popullaritetin e Z. Haradinaj për t’i bashkangjitur.

“Në baza programore konsideroj që janë larg duke e ditur që PSD është profilizuar si e majtë kurse Aleanca si e qendrës së djathtë”, ka përfunduar Preteni.

“Devollët pas koalicionit AAK-PSD”

Image
Nexhat Haziri

Analisti Nexhat Haziri për “Bota sot” ka thënë se, koalicioni AAK-PSD është bërë për interesa biznesi, pas së cilit qëndrojnë biznesmenë të fuqishëm siç janë oligarkët "Devolli", dhe se një koalicion i këtyre dy partive nuk i sjellë asgjë të mirë Kosovës, përveç se ardhja eventuale e tyre në qeverisje, e që dyshojë shumë, do ta vazhdoj qeverisjen e tipit mafioz.

Sipas tij, jo shumë kohë larg, ndoshta para dy tre muajve për PSD-në, Ramush Haradinaj ishte figura e krimit të organizuar, tani po të njëjtit i bëhen patericë AAK-së dhe vet z. Haradinaj për të fituar edhe një qeverisje Haradinaj.

“Nuk shohë asgjë të përbashkët në mes këtyre dy partive, përpos asaj që e thash më lartë, se prapa këtij koalicioni qëndron interesat e biznesmenëve të fuqishëm, në të cilat hisedar janë edhe lidershipi i këtyre dy partive politike”, është shprehur Haziri.

Këto dy subjekte kanë dallimet e tyre substanciale

Image
Leon Duhanaj

Kurse Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot” ka thënë se, Kosova, në këto zgjedhje, në radhë të parë ka nevojë për koalicion konsensual mendimesh dhe qëndrimesh, mbi atë çfarë dhe si ne e projektojmë të ardhmen e Kosovës.

“Pa marrë parasysh se kush me kënd bën koalicion para apo paszgjedhorë, partitë politike duhet të përcaktohen për disa çështje që janë me rëndësi vitale për të ardhmen e vendit”.

Sipas tij çështja e parë është se partitë politike, duhet të distancohen çartë nga lëvizjet për ndarje të Kosovës. Pra për sovranitet të plotë të shtetit të Kosovës.

Dhe së dyti partitë politike duhet të deklarohen çartë rreth orientimit të Kosovës.

Ai thekson se kemi pasur parti që e kanë promovuar ndarjen e Kosovës nën ombrellën e "patriotizmit" siç ka qenë idea e "bashkimit" kombëtarë, duke luftuar shtetësinë e Kosovës, siç e bëri LVV vite me radhë. Këtë ide e promovoj edhe Presidenti i Kosovës nën parullën e shkëmbimit territorial, apo korrigjim kufijsh.

“Në radhë të parë, kërkohet deklarim publik i secilit subjekt pro shtetësisë së Kosovës dhe mbi pikat e lartpërmendura. Koalicioni AAK-PSD, për mendimin tim, është koalicion i natyrshëm dhe pozitiv. Këto dy subjekte kanë dallimet e tyre substanciale në mënyrën e organizimit dhe përbërjen e tyre. Në ketë kontekst mendoj që ky koalicion ka rolë komplementarë mes tyre, duhet plotësuar zbrazëtirat njera tjetrës. Një koalicion i tillë mund të plotësohet edhe me koalicione tjera, qoftë para apo paszgjedhore, natyrisht duke u pajtuar rreth pikave të lartpërmendura. Mendoj që janë pikërisht këto pika që këto dy subjekte i bashkojnë dhe, mbi të cilat mund të ndërtohet”, përfundoi Duhanaj.

Ky koalicion patjetër që është zgjedhor por assesi programor

Image
Albinot Maloku

Politologi Albinot Maloku për “Bota sot” ka thënë se, AAK e PSD tanimë e kurorëzuan me zyrtarizim bashkëpunimin e tyre të nisur prej vitesh ne Prishtinë.

“Ky koalicion patjetër që është zgjedhor por assesi programor e i mbështetur mbi hapa të ngjashëm politik”.

Tutje Maloku ka theksuar se bashkimi i PSD-së me AAK-në me siguri është shpresë e madhe për partinë e Ahmetit, nga se i siguron ekzistim në skenën politike te vendit.

“Të përbashkët këto parti politike e kanë prezencën e tyre në jetën parlamentare”, përfundoi Maloku.

“AAK-ja synon postin e kryeministrit me koalicione paszgjedhore”

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti për “Bota sot” ka thënë se, koalicioni AAK-PSD është koalicion i zorit, pasi të dy partitë kanë synimet e tyre.

“Derisa AAK synon të radhitet sa më lart, qe evnetulaisht te del e dyta në anën tjetër PSD synon të ketë koalicion pasi vet nuk e kalon pragun. Në këtë logjike është krijuar ky koalicion, jo edhe aq pariomor por me tepër si pasoje e interesave të të dy partive”.

Sipas tij, tashme dihet se njerëzit nga PSD janë njerëz të shitur, të cilët kanë krijuar këtë koalicion që të vijnë në pushtet pasi nuk janë parimor por duan pushtet.

“Edhe AAK synon të rritet që pastaj të kërkoj kryeministrin në koalicion paszgjedhor me LDK ose VV dhe këto kalkulime kanë prodhuar këtë koalicion, që në gjykimin tim nuk i lidh as programi dhe as vizioni. Nuk kemi koalicion të programeve dhe as ideve, krejtësisht janë të interesave që në këtë rast janë lidhur. Mendoj se është dashur që PSD të lihet vetë që të provoj fuqinë e saj, dhe jo të fshehet pas të tjerëve.

Fundi i PSD-së

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani për “Bota sot” ka thënë se është gabim i madh i PSD-së hyrja në një koalicion i cili mund ta fundos këtë subjekt të vogël politik,

“Ky subjekt politik është i njohur për koncentrim të votës dhe përcaktim pra orientim të votës së tyre, mund të mashtrohen si PSD-ja, por kuptohet është vullnet i një subjekti i cili gjasat e vetme normale për koalicion do t’i kishte me LDK”, shprehet Burjani.

Ai thekson se këtu mund të jetë fundi i PSD-së, në këto zgjedhje gjasat reale duhet të jenë PSD-LDK- VV mirëpo kjo është tjetër matematikë nuk ia vlen me subjekte problematike me hy në koalicion si NISMA dhe AAK, këto janë subjekte të një njeriu.

Sipas tij, AAK-ja ka anëtarësi në Deçan kurse degët e tjera nuk i funksionojnë. Në këtë parti janë emra njerëzish dhe familjar që përkrahin individ të kësaj partie.

“PSD më mirë të shkonte e vetme, e humbur se e humbur por jo të shkoj për të humbur edhe më keq, për t’u shuar si parti por sidoqoftë ky është mendim i njerëzve si Shpendi”, përfundoi Burjani.

Diskutimet për koalicion dhe zgjedhje të parakohshme kanë nisur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik të këtij viti.

Ai ka marrë këtë vendim pas ftesës që i është bërë për intervistim nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Si pasojë e kësaj situate, Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten një seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të bëhet shpërndarja e legjislaturës aktuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat