PSD dikur e shante, tani janë me Ramushin

Politika

PSD dikur e shante, tani janë me Ramushin

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 21 gusht 2019 Në ora: 21:09
Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti

Para datës 22 gusht kur edhe pritet që të mbahet mbledhja e Kuvendit, kur edhe pritet që pastaj të shpërbëhet kuvendi, kanë filluar lëvizjet e afrimeve mes partive.

Kryesisht po flasim për partitë e mëdha, apo që pretendohet që janë të tilla. Në veçanti marrëveshja e arritur mes AAK-së me PSD-në, që të shkohet me një listë të përbashkët në zgjedhje na vë përballë një realiteti të padëshiruar.

Të padëshiruar në sensin që arrihet mes njerëzve pa kredibilitet, dhe as shembull të mirë në opinion. Kjo edhe nuk pritet të prodhoj sukses, të cilin e proklamojnë me sentencën që koalicionin po e bëjmë “për të mirën e Kosovës”.

Megjithëse nuk kuptohet këtu ku është e mira e Kosovës, ajo çka dihet me siguri është përpjekja për realizimin e interesave të ngushta meskine. Deri dje njerëz të rëndësishëm nga PSD akuzonin z. Haradinajn në forma të ndryshme, dhe se një prej tyre ishte edhe haraçi, tani parashtrohet pyetja: ku mbeten këto akuza, deri sot nuk është mbajtur ndonjë gjyq për z. Haradianj për këto akuza që të hidhen poshtë, përsëri është i njëjti Ramush. A duhet të kërkoj falje Dardan Mulliqaj për këto akuza, apo ishin vetëm fjalë të kota që i merr era, siç ka edhe shumë të tilla.

Deri dje e himnizonin Albinin e sot e shajnë, dje e shanin Ramushin sot e ngrehin lartë figurën e tij. Këto janë vetëm disa nga rastet që fatkeqësisht ndodhin në skenën tonë politike. Lëshimi i fjalëve pa “i bluar” mirë, shfaq mungesë karakteri dhe mbi të gjitha mungesë formimi njerëzor dhe intelektual. Pas të gjitha këtyre akuzave prapë në koalicion të përbashkët i bie të “lëpish atë që pështyn”. Për më tepër në kohën kur dha dorëheqje kryeministri Haradinaj nga PSD thanë se preferojmë koalicion me partitë e majta. Apo kanë harruar se AAK është e deklaruar parti e djathtë. Kjo dhe një sërë të tjerash dëshmojnë se ky koalicion nuk garanton persektivë për Kosovën, me njerëz që sipas interesit veprojnë pa pasur prioritet shtetin. Nuk i besohet fati i Kosovës njerëzve që paradite thonë diçka tjetër e pasdite diçka tjetër.

Gjithashtu përflitet për një marrëveshje mes LDK-së dhe Nismës për të shkuar në koalicion së bashku. Pavarësisht se këto dy parti nuk kanë pasur akuza të rënda ndaj njëra tjetrës, megjithatë edhe këto dallohen nga orientimi. Njëra është e djathtë dhe tjetra e majtë. Kjo dëshmon se koalicionet nuk po krijohen në bazë të parimeve dhe programeve, por në bazë të interesave për të ardhur në pushtet.

Shembull të mos funksionimit të koalicioneve të panatyrshme kemi qeverinë aktuale, e cila është krijuar në konglomerat të shumë partive. Disa të majta disa të djathta, liberale dhe konservatore, katolike dhe islame etj. Për të funksionuar një qeveri duhet që në gjirin e saj të ketë të hartuar një program të qartë, mbi baza të interesave të qytetarëve me një emergjencë të krijimit të kushteve për vende pune.

Megjithëse ende PDK nuk është me askënd në koalicion, nuk përjashtohet mundësia që në momente të fundit të bashkohet me AAK dhe PSD, duke ditur se ndryshe mbetet jashtë pushteti. Kjo pastaj do të mund të rrezikonte shumë LDK dhe VV, nëse shkojnë të vetme në zgjedhje. LDK nuk duhet shumë t’i besoj Nismës, e cila bashkë me PDK mund të rreshtohen në një krah me tendencën që LDK dhe VV të mbetën prapë në opozitë. Me njerëz që nuk kanë kredibilitet, e që fatkeqësisht janë të shumtë dhe në krye të partive pritet çdo gjë, andaj s’duhet të habitemi për asgjë. Ndonëse PSD deklarohet se duhet me dërgua PDK në opozitë, nëse i premtohet Shpendit ndonjë post me peshë, të gjitha janë të mundura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat