Heshtja e Bukoshit po e vërteton deklaratën e Rexhep Selimit - Bota Sot
Heshtja e Bukoshit po e vërteton deklaratën e Rexhep Selimit

Politika

Heshtja e Bukoshit po e vërteton deklaratën e Rexhep Selimit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 22 gusht 2019 Në ora: 13:34
Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, në një intervistë të martën mbrëma, tha se Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi nuk kanë pasur raporte fort të mira në mes vete. Madje Selimi tha se Bukoshi kishte kërkuar nga UÇK-ja bashkëpunim kundër presidentit historik, Ibrahim Rugovës.

“Shumë më i keq ka qenë raporti në mes Bukoshit dhe Rugovës sesa i këtyre dyve me UÇK’në. Bukoshi ka kërkuar prej nesh njëfarë bashkëveprimi kundër Rugovës. Mënyra ka qenë jo fort etike”, ka thënë Selimi

Pak ditë më parë, deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, në një intervistë akuzoi drejtpërdrejtë Bujar Bukoshin se kishte ofruar para për vrasjen e Rugovës, ndërsa paratë për ta kryer këtë veprim, i janë ofruar Shaban Mujës, veprimtarit të ilegales dhe njëherit vëllait të ish deputetit Shaip Muja.

Rugova: I dimë mirë rolin dhe deklaratat e Bukoshit dhe te disa eksponentëve të UÇK-së së Rognerit

Image
Naser Rugova

Ndërsa lidhur me deklaratën e deputetit Selimi, ka folur për gazetën “Bota sot” deputeti i LDK-së, Naser Rugova tha se të gjithë i dimë mirë deklaratat e Bukoshit dhe eksponentëve të UÇK-së së Rognerit, mirëpo thekson se presidenti Rugova nuk është marrë me individ.

“Presidenti Rugova ishte filozof i mendimit politik dhe vizionar, vizion ky që e bëri Kosovën shtet dhe që vazhdon ta përcjellKosovën edhe sot e do e përcjellë edhe për vite të tëra. Presidenti Rugova nuk merrej me individ, por me procesin e lirisë dhe pavarësisë. E dimë mirë rolin dhe deklaratat e Bukoshit dhe te disa eksponentëve të UÇK-së së Rognerit të cilët tani i kanë ndërruar fjalët plotësisht apo siç thotë populli, i kanë hëngër fjalët e veta në raport me presidentin, kjo do tëthotë se sa të drejt ka pasur Presidenti për vendimet e tij tëkohës si në rrafshin e jashtëm dhe atë të brendshëm”, ka thënë deputeti Naser Rugova.

Heshtja e Bukoshit

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa ish bashkëpunëtori i presidentit Rugova, Skënder Zogaj, për “Bota sot” pohon se gjithçka që ka thënë Rexhep Selimi, janë të vërteta.

“Rexhep Selimi në intervistën e dhënë nuk ka asnjë dyshim se e tregon të vërtetën e raporteve aspak të mira të ish kryeministrit Bujar Bukoshi, i cili siç po e tregojnë shpalimet e kujtimeve, ka qenë tepër destruktiv kundër Presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilin e ka sabotuar në mënyra të ndryshme, deri edhe te ekstremi i "eliminimit të tij" nga skena politike e mbase edhe nga jeta. Se Komandanti i UÇK-së, Rexhep Selimi e thotë të vërtetën, shihet nga heshtja e Bujar Bukoshit, i cili është gjallë dhe po të mos ishte e vërtetë kjo që tregon Rexhep Selimi, do ta demantonte publikisht! Heshtja në rastin konkret është vërtetim i veprimtarive subverzive të ish kryeministrit Bukoshi kundër Presidentit Rugova, dhe jo vetëm kundër tij”, është shprehur Zogaj.

Ai tutje thotë se nuk është e vërtetë që ka pasur raporte të acaruara ndërmjet Rugovës dhe Bukoshit, pasi sipas Zogaj, presidenti Rugova nuk ia ka varë fare veshin Bukoshit.

“Sa i përket raporteve - nuk ka pasur acarime, siç thuhet, sepse Rugova nuk ia ka varë fare veshin Bukoshit, por ka bërë punën e tij dhe kjo ka qenë lufta paqësore rugoviane, e mbrojtjes së pragut të ndërgjegjes personale në dobi të fitores historike”, tha tutje për gazetën “Bota sot”, Skënder Zogaj.

Islami: Bukoshi ishte kundërshtar më i fuqishëm i linjës së presidentit

Image
Gazmend Islami

E për publicistin Gazmend Islami, Bujar Bukoshi ishte kundërshtar më i fuqishëm i linjës së presidentit Rugova dhe ishte njeriu i cili përçau spektrin ushtarak në Kosovë, madje mendon se duhet të hetohet për vjedhjen e parasë së shtetit, por edhe mund të implikohet edhe në vrasjen e Ahmet Krasniqit dhe atentatin ndaj Rugovës.

“Bujar Bukoshi ishte kundërshtar më i fuqishëm i linjës së presidentit Rugova dhe ishte njeriu i cili përçau spektrin ushtarak në Kosovë, ku përdori mjetet e grumbulluara financiare nga bashkatdhetarëttanë, e përmes tyre dirigjonte edhe luftën në Kosovë, formonte dhe kontrollonte grupacione në Kosovë që të zëvendësonte Rugovën, e padyshim që po të kishim gjygjyësi dhe hetuesi të pavarur, do të ishte mirë që të nisin hetimet kundër tij, jo vetëm për vjedhjen e parasë së shtetit, por mund të implikohet edhe në vrasjen e Ahmet Krasniqit dhe atentatin ndaj Rugovës, pra gjithçka është e mundshme dhe këtë më së miri e theksoi edhe Rexhep Selimi”, tha Islami.

Sipas tij, Bukoshi duhet të hetohet pasi ka edhe padi nga “Dardania Bank”.

“Përgjegjësia e Bukoshit në asnjë mënyrë nuk do të bie poshtë, përderisa të mos hetohet biografia dhe veprimtaria e tij sa ishte kryetar i qeverisë në ekzil. Mos intervenimi i prokurorisë i shtetit, pasi kemi fakte të mjaftueshme edhe nga padia e “Dardania Bankës”, ku Bukoshi vodhi rreth 15 milionë euro”, potencoi Gazmend Islami për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...