Konsensuesi për Kryesinë e LDK-së, nismë e ndryshimit

Politika

Konsensuesi për Kryesinë e LDK-së, nismë e ndryshimit

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 22 gusht 2019 Në ora: 20:11
LDK

Kemi denoncuar me kohë frikën e stisur, të shpikut për ndarjen e LDK-së si dhe qëllimin e autorëve klanorë, për projektin e Konsensusit në Kuvendin e 9-të të LDK-së. Pasi dështuan në matematikat, për ta marrë kreun e partisë, u përqendruan në Konsensusin për vazhdimin e Isa Mustafës - kryetar. Dhe, kjo ishte përgatitja e infrastrukturës, për të mbetur klanorët rreth Isës, në kupolën e strukturave vendimmarrëse të LDK-së.

Konsensusi Isa-kryetar, ka vënë në dilemë e vështirësi kuadrin fushatorë të LDK-së, më qe ndryshimin e pritur, e pamundësoi Konsensusi në fjalë. Për ta çarë këtë bllokadë, për ta lehtësuar fushatën, për ta motivuar anëtarësinë dhe elektoratin, në vite abstenues, të munguar në votim, duke u dhënë shpresën e ndryshimit, edhe pse kreu u riciklua, pa votë demokratike, kërkohet një - Konsensus - i dytë, për zgjedhjen e Kryesisë dhe të Kryesisë të ngushtë, përkatësisht, të nënkryetarëve, numri i të cilëve, është thënë, do të shtohet.

Çfarë Konsensusi i duhet KP të së Premtës?

Ata që mund ta rrezikojnë ndarjen e LDK-së sot, aq më shumë nesër, janë klanorët e stazhionuar, ndër vite e dekada, në strukturat vendimmarrëse të partisë. Tashmë, ata e konsiderojnë vetën të plotfuqishëm, të pazëvendësueshëm. Fatmirësisht, nënkryetarët e deritashëm të LDK-së, janë kryetarë të komunave. Andaj - Konsensusi - vendimtar dhe krejt i pranueshëm nga anëtarësia, do të ishte heqja dorë, vullnetare, e nënkryetarëve aktualë të LDK-së, nga dy strukturat kryesore të LDK-së.

Në kompensim, LDK-ja do të mirrte angazhim mbështetjen serioze të tyre, në drejtimin e komunave përkatëse, deri në pensionimin e tyre, nëse ata do të vazhdojnë të jenë të suksesshëm. Fundja, Presidenti Rugova, nuk i kalaveshonte me poste kryetarët e komunave, sepse ata duhet të jenë në shërbim të popullit në komunë.

E kuptojmë pozicionin e vështirë të kryetarit Mustafa, në përzgjedhjen e Kryesisë dhe të Kryesisë të ngushtë. Por, vota e fshehtë lehtëson shumë dhe është më racionale, ka epërsi absolute, parësore, në raport me votën imponuese, tufëzuese aklamatve e hiçe.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm (KP), të Premtën, më 23 gusht 2019, duhet t`i japë fund statusit ultra-monist, i bërë për qëllime karrieriste e klanore, që ka dëmtuar tej mase LDK-në, duke e bërë bisht të PDK-së. Ndryshimi i parë do të ishte zgjedhja e kryetarit - një anëtar, një votë, që përjashton mundësinë e ndarjes të LDK-së; heqja e kushtit monstrum për kandidim 50+1, i cili përjashton konkurrencën; kufizimi i mandatit të kryetarit; kufizimi i kompetencave të kryetarit; zbatimi i tri parimeve bazë të demokracisë: debati i gjerë, konkurrenca e ndershme dhe votim i fshehtë demokratik.

Krijimi i Institucionit të Përgjegjësisë, është sa i shëndetshëm, aq edhe i domosdoshëm, për mbarësinë e LDK-së. Institucioni në fjalë do ta rriste përgjegjësinë e drejtuesëve dhe të kuadrove të tjerë të partisë.

Melmesa e Kuvendit të 9-të, ka qenë tërheqja e akademik Sabri Hamitit nga Këshilli i Përgjithshëm. Kjo dorëheqje fisnike, u mirëprit dhe u duartrokit, sinqerisht, nga delegatët e Kuvendit. Uroj që ky shembull të pasohet nga kolegët e tij. Përndryshe, është detyrë e kryetarit dhe e idealistëve të LDK-së, t`ua kujtojë këtë kod moral, të gjithë atyre, të cilët kanë përmbushur misionin, në interes të partisë dhe të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat