Fat i madh për Kosovën koalicioni LDK-LVV me Albin Kurtin kryeministër

Politika

Fat i madh për Kosovën koalicioni LDK-LVV me Albin Kurtin kryeministër

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 23 gusht 2019 Në ora: 08:38
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

“Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të kuptojnë se nuk mund dhe nuk duhet të tentojnë ta komandojnë LDK-në as tani dhe as kur të hyjnë në bashkëqeverisje, por duhet ta funksionojnë vetëm si partnerë”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë shumë afër që të arrijnë një koalicion parazgjedhor mes tyre, e që po konsiderohet si koalicioni më i fuqishëm në Kosovë që do të mund të ndodhte.

Por, kandidati për kryeministër, mund të jetë shkas që këto dy parti të mos e arrijnë koalicionin e “shpresës”, pasi asnjëra prej tyre nuk po lëshon pe lidhur me këtë post.

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht po i kërkon bashkëpunim LDK-së, këta të fundit po rrinë të qetë karshi kësaj oferte, madje edhe po thonë që do të garojnë vetëm në zgjedhje.

Kështu tha edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, për të cilin shkuarja vetëm e LDK-së në zgjedhje, është rruga më e mirë për sukseset e LDK-së.

Ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje të gjithë e kërkojnë koalicionin me LDK-në, me Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.

Aliu: Kurti ka me pas shumë vota

I fundit ishte Liburn Aliu i cili i tregojë edhe njëherë qëndrimet e Vetëvendosjes.

Për kandidatin më të mirë, Aliu ka thënë se mendon që kjo i takon Albin Kurtit, kreut të VV-së. Këtu ai thotë se duhet bazuar në faktin që Kurti ishte më i votuari në zgjedhjet e fundit dhe se “ai është i duhuri për këtë moment”.

Image
Liburn Aliu

“Ne mendojmë se e meriton Albin Kurti. Ka pas më së shumti vota. Ka një ambient pozitiv të krijuar ndaj Albinit, bazuar në votat nga e shkuara. Mendojmë se ai është i duhuri për këtë moment, gjithmonë në bashkëveprim me partnerin në koalicion. Do të ketë rezistencë të madhe nga ata që kanë monopole. S’do të jetë i lehtë ndryshimi. Çdo lloj tentative për ndryshim s’do të jetë e lehtë. Për të luftuar korrupsionin duhet figurë që nuk frikësohet e nuk korruptohet”, ka shtuar Aliu, teksa ka theksuar se për një koalicion ka disponim në të dy partitë. “Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Të dy palët janë të vetëdijshme se sado që të shkonin vetë, edhe LDK edhe ne duam, por duke pas parasysh kur jemi në një situatë ku koalicionet mund të dalin të parat e të rrezikojnë ndryshimin që po flasim e qytetarët po e presin e kemi obligim që të bashkohemi e të mos dalim vetë e vetë. Sado që më 2017, VV doli mbi 30 për qind, koalicioni PAN si koalicion kishte 39 deputetë dhe doli në vend të parë”, ka thënë Aliu.

Lama: VV-ja nuk mund ta komandojë LDK-në

Ndërsa ish deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Alma Lama, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se nëse tejkalohet problemi i sjelljeve në të shkuarën,është i mundshëm një koalicion pas zgjedhor.

Image
Alma Lama

“Nëse tejkalohet problemi i sjelljeve në të shkuarën, them se është i mundshëm një koalicion pas zgjedhor, dhe mund të jetë pozitiv për të shërbyer si kundërpeshë ndaj PDK-së dhe mënyrës së saj të qeverisjes. Por krerët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të kuptojnë se nuk mund dhe nuk duhet të tentojnë ta komandojnë LDK-në as tani dhe as kur të hyjnë në bashkëqeverisje, por duhet ta funksionojnë vetëm si partnerë. Unë di disa shembuj të partive të ngjashme nëpër vende të BE-së kur për shkak të sjelljeve arrogante me partnerët e koalicionit, shumë shpejt kanë dalë nga skena politike”, u shpreh Lama.

Ajo i bën thirrje LDK-së që të heqë dorë nga metodat e linçimit të kundërshtarëve politik.

“VV duhet gjithashtu të heqë dorë nga metodat e linçimit të kundërshtarëve politikë, pasi jetojmë në demokraci, dhe vullneti i njerëzve për tu pajtuar ose mos pajtuar me ta, duhet të jetë i lirë. Në përgjithësi, Kosova ka nevojë të ndryshojë kulturën e komunikimit politik e cila ka degraduar në shkallën më të ulët të mundshme vitet e fundit. Betejat politike duhet të zhvillohen sipas një kulture institucionale, jo sipas modelit të sotëm të sharjeve, fyerjeve e linçimeve”, theksoi Lama.

Krasniqi: T’i jepet rasti Albin Kurtit

E për analistin politik, Faik Krasniqin, Albin Kurti do të duhej të ishte kandidatë për postin e kryeministrit.

“LDK gati gjithmonë ka qenë në pushtet. Koalicionet e saj me PDK-në na kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë, shtetin dhe qytetarët. Një mandat kishin edhe kryeministrin. Isa Mustafa edhe pse ekonomist me profesion, dhe i cilësuar si një ndër ekonomistët më të mirë që ka Kosova, nuk bëri asgjë për të ndryshuar gjendjen e rendë në vendin tonë, përveç rehatimit të militanteve dhe familjarëve të tyre. Lëvizja Vetëvendosje s'ka qenë kurrë në pushtet. Nuk e dimë se si qeverisin pa i provuar. Do të ishte mire që Albin Kurti të merrte postin e kryeministrit”, tha Krasniqi për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Ai tutje tregon pse duhet që Albin Kurti të jetë kryeministër.

“Pse Albin Kurti? Prej që e njohim nuk ka bërë kompromis me të keqen për pushtet dhe para. Ka qenë besnik i parimeve të tij. Nëse edhe z. Kurti dështon që të bëj ndryshimin e madh, atëherë lirisht mund t'i quajmë të gjithë se janë njësoj. Por një rast duhet t'i jepet Albin Kurtit”, theksoi Krasniqi.

“Është koha që Vetëvendosja të merr timonin e drejtimit të shtetit e ndihmuar nga LDK-ja”

Ndërsa analisti Ali Hertica, duke folur për “Bota sot” lidhur me këtë temë, tha se koalicioni LDK-VV do i ndihmonte vendit.

Image
Ali Hertica

“Tani në Kosovën pluraliste, dhe partitë politike të cilat deklarohen si të majta janë fare pak, por megjithatë duhet pranuar se skena politike në Kosovë ka një tendencë të profilizimit dhe rreshtimeve ideologjike të çdo subjekti politik. Fatkeqësisht, koalicionet nuk bëhen në bazë të vullnetit për ta shpëtuar republikën por bëhen vetëm për interesa të ngushta klanore të disa partive politike, prandaj është vështirë që të parashikohen tani disa parti kanë nënshkruar marrëveshje për koalicione, dhe pritet që të hyjnë së bashku në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas barometrave politikë, Vetëvendosja duhet të arrij në koalicion me LDK-në mes dy palëve ku do të kanë një platformë të përbashkët qeverisëse për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomiko-sociale dhe atë politike”, u shpreh ai.

Mirëpo, Hertica mendon se kandidati për kryeministër duhet të jetë nga Vetëvendosja, respektivisht Albin Kurti, për të cilin thotë se së bashku me LDK-në, do ta çonin Kosovën drejt rrugës euroatlantike.

“Por gjatë përcaktimet programore duhet të përcaktohet edhe mandatari i qeverisë, që do ishe Albin Kurti, sepse ideologjia dhe platforma politike dhe guximi do ta orientonte shtetin drejt një rrugëtimi të qëndrueshëm politik dhe stabilitet rajonal, që besoi se do shpaloste gjatë fushatës zgjedhore nga ana e Vetëvendosjes dhe LDK-së. LDK kishe timonin qeveritar po u tregua jo e guximshme dhe bëri gabime historike të nënshkrimeve në dëm te shtetit dhe thuajse u dorëzua në politikat shtetërorë jo gjithmonë i mbështesin vete deklarimet mbi përkatësinë ideologjike të partive. Duhet pranuar se në Kosovë nuk ka një kufi të qartë mes të djathtës dhe të majtës andaj tani është koha që Vetëvendosja të merr timonin e drejtimit të shtetit e ndihmuar nga LDK-ja, në anën tjetër jo pak parti i ngjasojnë më shumë konglomerateve rreth të cilave janë mbledhur njerëz me bindje ideologjike të ndryshme por që brenda partisë i bashkon një çështje e caktuar edhe interes për shtetin e jo personalitetin që ka qenë deri më tani. Lëvizja Vetëvendosje, sot prin në mesin e partive të cilat vete deklarohen si të majta, kurse një kohë ishte, harmonizim ideologjik dhe i plan programeve të tyre, dhe quhej si një koalicion i mirëfilltë dhe stabil për të shty procese përpara drejt rrugëtimit në familjen Evropiane dhe ato botërore dhe këtë mund ta bën lideri Albin Kurti së bashku me partnerin e koalicionit LDK-në dhe do të ishte fat për Kosovën”, potencoi Hertica për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat